7.3 C
Pristina
Wednesday, November 27, 2024

Bajrami: Do ta zvogëlohet për 30 për qind numri i studentëve në shkencat shoqërore

Më të lexuarat

Në takimin e katërt ministror të vendeve të Ballkanit Perëndimor, i cili po mbahet në Vlorë, ministri, i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami ka folur për planet në reformimin e programeve të arsimit të lartë në raport me nevojat e tregut të punës
 
Bajrami, me këtë rast theksoi se, momenti vendimtar për një reformë të suksesshme të arsimit të lartë është konsensusi politik dhe konsensusi akademik.
 
“Ky konsensus duhet të ndërtohet me një vetëdijësim që një reformë e arsimit të lartë është më tepër një projekt shtetëror dhe kombëtar se sa një projekt politik i një partie”.
 
Duke folur për autonominë e universiteteve, ministri Bajrami theksoi se qeveritë tona duhet t’iu japin autonominë e plotë financiare dhe akademike universiteteve, por duhet të kërkojnë llogaridhënie për cilësinë e shërbimeve që ofrojnë ato. “Ne duhet të krijojmë mekanizma të qëndrueshëm të ndërtimit të standardeve shtetërore të cilësisë”.
 
Bajrami tha se, është koha që universitetet tona të bëhen pjesë e zhvillimit ekonomik të vendit. “Është shumë me rëndësi që sot universitetet të lidhen me indikatorët e nevojave të zhvillimit dhe të tregut të punës”, tha ministri Bajrami, ndërsa përmendi faktin se në Kosovë tashmë është filluar me Bashkimin Evropian studimi i tregut të punës dhe në bazë të këtij studimi do të bëhen edhe reforma në sistemin arsimor, njofton kumtesa e MASHT.
 
Për të krijuar një stabilitet te arsimi i lartë, Bajrami tha se, fillimisht na duhet ligjshmëria, pastaj standardet akademike të një qeverisje funksionale, në mënyrë që universitetet të fillojnë të mendojnë për të krijuar fonde për vete duke gjetur forma për t’u lidhur edhe me ekonominë dhe bizneset.
 
Ministri foli edhe për një hap tjetër që do të ndërmarrë me konkursin e ri për pranim në universitete. “Do ta zvogëlojmë për 30 për qind numrin e studentëve në shkencat shoqërore, dhe 30 për qind do ta rrisim numrin për shkenca teknike, aplikative”.
 
Në Takimin e katërt ministror i vendeve të Ballkanit Perëndimor, i cili do të përfundojë sot, po diskutohen zhvillimet e arsimit në rajon dhe kontributi i Bashkimit Evropian në përafrim të sistemit të arsimit rajonal me vendet e BE-së.
 
Ky takim është organizuar nga Komisioni Evropian në kuadër të Platformës për Arsim dhe Trajnim për Ballkanin Perëndimor.kohaislame
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit