Arti i ndreqjes së gabimit
Gabimi është një sjellje, pjesë e natyrës njerëzore, ndaj të cilës askush nuk gëzon imunitet, i mençur qoftë apo jo. Në raste të tilla, lipset që gabimi të trajtohet me finesë dhe urtësi, i çfarëdo përmase të jetë. Gjithmonë neve na lipset pak kohë për të reflektuar ndaj reagimit dhe metodës së përdorur në trajtimin e një gabimi. Shpesh herë, na ndodh që një gabim të vogël ta trashim dhe ta ekzagjerojmë.
Trajtimi i gabimeve është një art më vete, i cili ka rregullat e tij, të cilat do i përmbledhim si më poshtë:
1 – Ti drejtosh gishtin akuzues, zakonisht nuk është një akt i duhur dhe pozitiv për personin që ka gabuar. Prandaj, është mirë ta shmangësh një reagim të tillë. Shërbëtori i profetit Muhamed a.s, ka deklaruar se Profeti a.s kurrë nuk e ka fajësuar dhe kritikuar gjatë viteve që i shërbente. Kritikat dhe fajësimet janë shigjeta vdekjeprurëse, pasi ato minojnë dinjitetin dhe krenarinë e tjetrit. Të mjafton si fakt, që askush në këtë botë nuk e pëlqen fajësimin dhe kritikën.
2 – Largoje barrierën e mjegullt nga sytë e personit që ka gabuar. Njeriu ndonjëherë nuk e ndjen se ka gabuar, prandaj do të ishte tepër negative nëse do i drejtohemi me kritika të drejtpërdrejta dhe qortime, ndërkohë që ai mendon të kundërtën. Prandaj, fillimisht lipset ti hiqet perdja e mjegullt, me qëllim që ta kuptojë se ka gabuar. Për këtë, vlen të cekim rastin kur një i ri, vajti tek i dërguari i Zotit a.s dhe i kërkoi leje për marrëdhënie jashtëmartesore. Profeti Muhamed a.s, ndoqi një metodë krejt ndryshe nga ajo që u orvatën të ndjekin disa nga myslimanët që u gjendën aty.
Profeti a.s e pyeti djalin:”A do e pranoje këtë vepër për nënën tënde?” “Sigurisht që jo” u përgjigj i riu.
Profeti a.s i tha:”Kështu dhe njerëzit, nuk e pranojnë një vepër të tillë për nënat e tyre.” Mandej, Profeti a.s e pyeti sërish:”Po për motrën tënde, a do e pranoje këtë vepër?”
Djali u përgjigj:”Jo.”
Profeti a.s i tha:”Kështu dhe bota nuk e pranon për motrat e tyre.”
Që atëherë, djaloshi e urrente këtë vepër.
3 – Përdor fjalë të buta teksa orvatesh të ndreqësh gabimin. Të gjithë ne e dimë që fjalët kanë ndikim magjik. Atëherë, përse të mos e përdorim këtë magji të lejuar në trajtimin dhe ndreqjen e gabimeve? Përse të mos përdorim shprehje të tilla me ata që gabojnë:”Po të veproje kështu do të ishte më mirë” “Çfarë mendon sikur të veprosh kështu?” “Unë të sugjeroj të veprosh kështu” “Cili është mendimi yt..” në vend që ti drejtohemi me fjalët:”More edepsëz, more i paedukatë, a je në vete, të paskan lënë trutë, sa herë të kam thënë more…”
Besoj se mes dy metodave ka shumë dallim, apo jo. Duke e bërë tjetrin të ndihet i vlerësuar dhe i respektuar, e kemi më kollaj që ta bëjmë të kuptojë gabimin e për rrjedhojë ta ndreqë.
4 – Mënjanimi i polemikave është më bindës. Të shmangësh polemikën teksa po merresh me trajtimin e gabimit, ka efekt më të thellë tek personi që ka gabuar. Duke polemizuar dhe debatuar me të, mund ta humbasësh, pasi shpesh herë njeriu e lidh gabimin me dinjitetin e tij. Kështu, duke dashur të mbrojë dinjitetin, ai del në mbrojtje të gabimit dhe polemikat krijojnë terren të përshtatshëm për këtë. Kështu, ai e ka të vështirë, për të mos thënë të pamundur, të reflektojë mbi gabimin e bërë. Prandaj, mos ia mbyll dyert, por lëri të hapura që ta ketë të lehtë kthimin dhe reflektimin.
5 – Vëre veten në vend të personit që ka gabuar, mandej kërko zgjidhje. Përpiqu që ta vësh veten në vendin e tjetrit, mendo sipas këndvështrimit të tij, studioji alternativat e mundshme të pranueshme për të dhe zgjidh më të përshtatshmen.
6 – Përdor sjelljen e butë. Kurrë mos harro se butësia është dekoracion dhe mozaik i pëlqyer nga të gjithë. Me anë të butësisë ne fitojmë dhe ndreqim gabimin, duke e ruajtur dinjitetin e tjetrit të pacenuar. Të gjithë ne e dimë ngjarjen e beduinit i cili urinoi në xhami. Profeti a.s e trajtoi këtë ngjarje me butësi dhe urtësi, derisa beduini u ndërgjegjësua që kishte faj.
7 – Lëri të tjerët ta zbulojnë idenë tënde. Për të ndrequr një gabim, është mirë që ta lësh tjetrin ta zbulojë vetë gabimin e bërë, e për rrjedhojë të zbulojë dhe zgjidhjen vetë. Kur njeriu zbulon se ka gabuar, e mandej gjen dhe zgjidhjen e duhur për ta ndrequr gabimin, ai është më entuziast për këtë ide dhe e zbaton pa hezitim.
8 – Nëse je i detyruar të kritikosh, përmend dhe anët pozitive. Me qëllim që të tjerët ta pranojnë kritikën tënde të shprehur në kufijtë e etikës, e për pasojë të korrigjojnë sjellje dhe të ndreqin gabimin, duhet të përmendësh dhe vlerat e tyre. Me gjithë gabimet, njeriu ka dhe aspektet pozitive të jetës dhe punës së tij, të cilat nuk duhen injoruar.
9 – Mos heto për gabimet e fshehta. Përpiqu ti ndreqësh dhe korrigjosh gabimet e dukshme, por mos heto ato të fshehtat pasi kështu prish zemrat. Vetë Zoti i lartësuar na ka ndaluar që të hetojmë të metat e të tjerëve.
10 – Kërko informacion dhe sigurohu mbi vërtetësinë e gabimit. Nëse dikush të informon mbi një gabim, sigurohu dhe mblidh informacionin e nevojshëm, shoqëruar me opinion dhe mendim të mirë. Kështu, ti e bën të ndihet i respektuar dhe i vlerësuar, ashtu siç e bën të ndihet i turpëruar dhe në siklet, se një gabim i tillë nuk i shkon për shtat. P.sh, mund ti thuhet:”Jam informuar se ke bërë… gjë të cilën nuk e besoj se mund të burojë prej teje.”
11 – Lëvdoje të mirën e pakët që të shtohet. Nëse po e ushtron tët bir që të jetë shkrimtar i mirë, gjatë ushtrimit mos i kurse lëvdatat, pasi e motivon dhe i jep kurajë.
12 – Mos harro, se një fjalë e ashpër ka antonimin e vet, pra një fjalë të butë, e cila përcjell të njëjtin mesazh. Mos harrojmë se fjala e butë lë gjurmë, kurse fjalën e ashpër nuk e durojnë njerëzit.
13 – Mundohu ta bësh gabimin të vogël dhe shprehe besimin tënd se tjetri do e ndreqë dhe do të përmirësohet. E mesmja është një ligj që përfshin të gjithë universin, e kur ndodh një gabim, nuk ka përse ta shohësh si justifikim për tu shfryrë dhe për ta ekzagjeruar.
14 – Kujtohu se njerëzit komunikojmë me emocione, më shumë seç komunikojnë me arsye.
Së fundmi, duhet ta përvetësojmë mirë artin e ndreqjes së gabimeve.
…
Rating: 5.0 of 5. 1 vote(s).