-0.9 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut, kryeministri Zaev paraqet dorëheqjen

Më të lexuarat

“Edhe në këto rrethana, mbetem në qëndrimin se nuk duhet të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare. Mbeten edhe 2.5 vite të shkëlqyera për punë dhe për suksese ekonomike nga të cilat do të kenë përfitime i gjithë populli ynë dhe shteti”, tha Zaev

Kreu i Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë (LSDM) dhe kryeministri aktual i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, pasi nuk arriti rezultatet e pritura në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në vend, ka deklaruar se paraqet dorëheqjen nga të dy postet dhe “uroi kundërshtarët e tij për fitoren në zgjedhjet lokale”, raporton Anadolu Agency (AA).

Në konferencën e parë për media pas mbylljes së procesit të votimit, së bashku me kandidatin për kryetar të Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov, kryeministri Zaev tha se merr përgjegjësinë për “rezultatet nga këto zgjedhje”. Ai shtoi se personalisht do të mbetet pjesë e partisë.

Sipas rezultateve të para, Qyteti i Shkupit në katërt vitet e ardhshme do të udhëhiqet nga kandidatja që garoi e pavarur, Danella Arsovska, e cila është në avantazh me 55,69 për qind të votave kundrejt kandidatit të LSDM-së me 40,8 për qind të votave.

Gjatë fushatës zgjedhore në prononcimet e tij për media, Zaev u zotua se do të japë dorëheqje nëse kandidati i partisë së tij, Shilegov, nuk fiton zgjedhjet lokale në kryeqytet kundrejt kandidates së pavarur, Arsovska.

“Jam krenar që bashkërisht e çuam vendin tonë në NATO. Vitin e kaluar morën vendim për fillim të negociatave me Bashkimin Evropian (BE) dhe besoj se kemi mundësi të fillojmë negociatat për disa muaj. E bashkuam popullin tonë multietnik dhe dukshëm e përforcuam ekonomikisht, pavarësisht pandemisë që mbizotëronte. Kemi kryer regjistrim të suksesshëm të popullsisë, ndërtuam miqësi historike me të gjitha pesë vendet fqinje, me marrëveshje si partner strategjik. Për ne përparimtarët, që u besojmë dhe u gëzohemi këtyre sukseseve historike, fatkeqësisht erdhi dënim politik”, deklaroi Zaev.

Më tej, Zaev tha se në këto zgjedhje ishin të dukshëm “shumë para në terren tek opozita”, siç theksoi ai, të ardhura kryesisht nga jashtë për “arsye politike dhe ekonomike”. Sipas tij, këto para ishin arsye e rezultateve që dolën në këto zgjedhje lokale në vend.

“Unë marrë përgjegjësinë për rezultatet jo të mira në këto zgjedhje për të gjithë ne fuqitë përparimtare, që të mund pikërisht ata përparimtarët të mbijetojnë dhe të vazhdojnë të luftojnë për përparimin e Maqedonisë së Veriut. Në fund, edhe në këto rrethana, mbetem në qëndrimin se nuk duhet të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare. Mbeten edhe dy vite e gjysmë të shkëlqyera për punë dhe për suksese ekonomike nga të cilat do të kenë përfitime i gjithë populli ynë dhe shteti”, tha Zaev.

Shilegov pranoi humbjen në Qytetin e Shkupit, ndërsa Zaev nuk dha detaje të mëtejshme për rezultatet e partisë së tij në zgjedhje.

Ndërkohë, kreu i opozitës maqedonase, VMRO-DPMNE-së, Hristijan Micskoski, në konferencën për media pas përfundimit të procesit zgjedhor, shpalli “fitore bindëse” dhe tha se “sot është dita kur fillojnë ndryshimet për Maqedoninë”.

Sot, në Maqedoninë e Veriut u mbajt raundi i dytë i zgjedhjeve lokale, në të cilat të drejtën e votës kishin mundësi ta shfrytëzojnë 1.353.990 qytetarë në gjithsej 2.481 vendvotime në 44 komuna dhe në Qytetin e Shkupit, pasi në raundin e parë u zgjodhën kryetarët e 34 komunave të tjera.

Këto janë zgjedhjet e shtata lokale në Maqedoninë e Veriut në të cilat do të zgjidhen udhëheqësit e rinj lokalë për katër vitet e ardhshme. Zgjedhjet e fundit lokale në vend u mbajtën në vitin 2017.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit