8.4 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Kosovë, çmimet e papërballueshme për nivelin e pagave

Më të lexuarat

Paga mujore që merr, Nexhmendin Ibrahimi, një qytetar nga Prishtina, nuk i mjafton për të siguruar furnizimin me ushqim.

Nga paga e tij, çdo muaj, ai ndanë 250 euro për shportën e konsumit.

Por, në fillim të muajit tetor, kjo vlerë ka qenë e pamjaftueshme për të mbuluar nevojat e familjes së tij gjashtë anëtarëshe.

“Janë shtrenjtuar (produktet) jashtë mase, sepse ne nuk kemi standarde për të paguar një litër vaj dy euro, apo të paguajmë një bukë 50 centë. Unë megjithatë punoj, ka shumë njerëz që nuk punojnë. Paga nuk mjafton për një muaj”, tha ai për Radion Evropa e Lirë.

Çmimet e artikujve thelbësor në muajin shtator, sipas të dhënave të Agjencisë se Statistikave të Kosovës janë shtrenjtuar deri në pesë për qind. Shtrenjtimi ka vazhduar edhe gjatë muajit tetor.

Rritja e çmimeve ka nisur që në muajin prill me 1.2 për qind, duke shkuar në 4.9 për qind muajin e kaluar.

Çmimet më të larta deri në 30 për qind vërehen tek vajrat dhe yndyrnat ushqimore, ndërkaq 20 për qind tek pemët dhe perimet.

Çmimet janë edhe më të papërballueshme për pensionistët, siç është Nazmi Osmani, nga fshati Besi i Prishtinës.

Familja e tij pesë anëtarëshe varet kryesisht nga pensioni i tij prej 180 eurosh. Për të lehtësuar situatën financiare të familjes, Osmani tregon se për çdo vit mbjell pemë dhe perime në kopsht. Por, sivjet, sipas tij, janë shtrenjtuar edhe produktet e nevojshme për mbjelljen e perimeve.

“Çmimet janë rritur shumë sidomos në bujqësi. Plehu artificial 50 kilogramë kanë qenë 7 euro, tashmë është dyfishuar në 14 euro. Edhe çmimi i farës është dyfishuar. Unë kam tokë me mbjell edhe më shumë, por nuk kam pasur mundësi për shkak të çmimeve. Edhe gjërat ushqimore çka i kam marrë muajin e kaluar në këtë muaj nuk kam pas mundësi me i marrë”, shprehet ai.

Sipas të dhënave zyrtare, një litër vaj ushqimor vitin e kaluar ka kushtuar 1.06 euro, kurse aktualisht në treg shitet 1.54 euro, buka nga 30 centë është shtrenjtuar në 40 centë respektivisht 50 centë, 30 kokrra të vezëve janë shtrenjtuar nga 1.95 euro në rreth 3 euro. Një metër kub dru ka kushtuar mbi 37 euro, tashmë mbi 40 euro. Rritje të çmimeve ka edhe tek derivatet e naftës. Një litër benzinë vitin e kaluar ishte 0.92 centë kurse tashmë 1.19 euro, ndërkaq dizeli nga 0.91 centë në 1.16 euro.

Kurti: Qeveria nuk mund të fajësohet për rritje çmimesh

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se ngritja e çmimeve në treg ka ndodhur si pasojë e disa faktorëve. Në një postim në Facebook, Kurti përmendi shkëputjen e zinxhirit të furnizimeve për shkak të pandemisë dhe rritjen globale të çmimit të energjisë si disa nga arsyet e inflacionit.

Ai shtoi se Qeveria e Kosovës ditëve në vijim të dalë me një pako masash në ndihmë qytetarëve.

BSPK: Ngritja e çmimeve rëndon gjendjen sociale të qytetarëve

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) ka thënë se ngritja e çmimeve e rëndon edhe me tepër gjendjen sociale të punëtorëve dhe të qytetarëve në vend, pasi nuk ka rritje të pagave derisa paga minimale vazhdon të mbetet e njëjtë.

Vlera e pagës minimale në Kosovë ka mbetur e pandryshuar që nga viti 2011, e cila është nga 130 deri 170 euro, varësisht nga mosha e punëtorit. BSPK-ja i bëri thirrje Qeverisë të shqyrtojë rritjen e pagës minimale në vend.

Përveç pagës minimale, pagat në sektorin publik dhe privat gjatë vitit të kaluar kanë shënuar rënie. Kurse gjatë këtij viti, nuk ka pasur ndonjë lëvizje.

Në vitin 2020, paga mesatare bruto ishte 466 euro, sa është edhe aktualisht, derisa në vitin 2019 ishte 477 euro. Paga mesatare bruto në sektorin privat, në vitin 2020, ishte 380 euro, derisa në vitin 2019 ishte 411 euro.

Këto të dhëna janë të Entit të Statistikave.

Thirrje për rritje pagash ka bërë edhe Sindikata e Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë.

Shumica e artikujve që kanë shënuar ngritje në çmime, sipas ekspertëve të ekonomisë janë produkte të importuara nga shtetet e rajonit dhe Evropës, pasi Kosova është e varur nga importi.

Çmimet në Evropë janë rritur për shkak të rezervave të vogla të gazit dhe çmimeve të larta të karbonit në Bashkimin Evropian./REL

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit