2 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Islami i Haradinajt

Më të lexuarat

Nga: Besnik Sinani

Islami i Haradinajt

Ramush Haradinaj është gjetur në siklet politik. Në një takim në Universitetin Columbia në New York, Haradinaj ka thënë se nuk e di pse është mysliman, se familja e tij ka qenë katolike, se ai s’ka shkelur kurrë në xhami e se kosovarët janë ‘light muslims’ – pra e marin fenë lehtshëm.
Nuk do shumë mend të kuptohet dëmi politik në Kosovë e kësisoj partia e Haradinajt ka nxituar të pretendojë se fjalët e tij janë nxjerë jashtë kontekstit e janë keq-interpretuar. Ata që janë zemëruar me Haradinajn po i bien samarit.
Nuk ka dyshim se Haradinaj shfaqet patetik kur menjëherë pasi thotë se nuk e di pse është mysliman vazhdon duke i thënë audiencës se ‘ne jemi si njerëz të tjerë, si katolikë e protestantë… ne jemi si ju’ si përpjekje për të thënë se ‘edhe ne jemi njerëz.’ Por Haradinaj gjithsesi është politikan i një vendi egzistenca e të cilit sot varet nga Perëndimi.
Ajo që është më interesante se sa ajo që ka thënë Haradinaj, është ajo që ka thënë i zoti i shtëpisë, ai që e ka ftuar Haradinajn, David Philips, kreu i programit për ndërtimin e paqes në Universitetin Columbia. Videoja e plotë është ndërkaq hequr nga YouTube por Philips fill pas konfesimit të Haradinajt për fenë e tij, flet për mënyrën e mencur të lobimit të disa kosovarëve duke u dhënë politikanëve në perëndim shishe vere, si tregues i të qenit ‘myslimanë të moderuar.’
Ky është një refren i njohur dhe shpesh gazetarë perendimorë, sa herë duan të qetësojnë lexuesit e tyre se myslimanët në Shqipëri, Bosnje apo Kosovë janë ‘të moderuar’ shtojnë se këta ‘pijnë verë e raki.’
A thua vallë të vetmit myslimanë që meritojnë solidaritetin e Perëndimit, që meritojnë të mbrohen nga barbariteti i makinës ushtarake serbe janë ata myslimanë që pinë verë e raki? Nëse ky është mesazhi që kaq shpesh na vjen nga Perëndimi, atëherë mua më duket joetike ti bihet në qafë Haradinajt, ose së paku jo përpara se të vihet në dukje kjo hipokrizi e atyre që flasin me termat e të drejtave globale të të gjithë njerëzve për të na treguar më pas se është veprim i mencur për myslimanët që të lobojnë me shishe vere si tregues i moderimit të tyre.
Duke komentuar mbi deklarimet fetare të politikanëve shqiptarë mbas komunizmit dhe zellin e tyre të krishterë e mohimin e Islamit, Maria Todorova vë re se ky lloj diskrusi i politikanëve shqiptarë tregon instiktin politik që nuk është mashtruar nga pretensat universale e pluraliste të të qëndruarit mbi dallimet fetare, racore e etnike të ligjërimit perëndimor.
Askush nuk ka të drejtë t’i kërkojë llogari Haradinajt apo kujtdo tjetër mbi thellësinë e bindjeve fetare, por si përfaqsues i një vendi ku shumica e popullsisë është muslimane, atij ndoshta duhej t’i kërkohej që mos flasë me terma kolektivistë për të tërë shqiptarët dhe mos pranojë ligjërimin që kërkon të inkriminojë praktikantët fetarë.
Ndoshta vlen të përmendet këtu gjetja e studiuesve të Gallup, një prej qendrave më serioze studiuese në botë, që vë re se sa më praktikantë të jenë myslimanët aq më pak janë të prirur të mbështesin, pranojnë apo justifikojnë sulme ndaj njerëzve të feve të tjera.
Por për sa kohë që nga Perëndimi na vinë mesazhe të tilla se të vetmit myslimanë të mirë janë ata që pinë e japin verë, atëherë ata që po meren sot me Haradinajn vetëm sa po i bien samarit.
e-zani

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit