2.6 C
Pristina
Monday, November 18, 2024

Në testin e maturës: Kopjimi ‘shpëtim’ për të gjithë

Më të lexuarat

Testi i arritshmërisë së maturantëve të Kosovës, i mbajtur sot, nuk ka shkuar pa probleme. Një faqe në Facebook, me titulli “Testi i Maturës 2015″, por edhe ueb-sajte të tjera, janë bërë vendi ku të testuarit kanë shpërndarë pyetjet dhe përgjigjet potenciale.
 
Gjithçka është bërë hapur, pa fshehur identitetet dhe ‘solidarizimi’ i nxënësve për njëri-tjetrin ka qenë shumë i madh. Në njërën nga faqet e tilla kishte me mijëra anëtarë që postonin e shkruanin përgjigjet e mundshme të testit.
 
Kjo formë e hapur e kopjimit për profesorin e Universitetit të Prishtinës, Dukagjin Pupovcin, është pasojë e krijimit të një shoqërie që forma të tilla të transmetimit të dijes i legjitimon pa problem.
 
“Pjesa më e madhe e shoqërisë pranon kopjimin si mjet për demonstrimin e dijes – edhe nxënësit, edhe studentët, edhe të rriturit do të kopjojnë pa fije turpi dhe brejtje të ndërgjegjes. Në momentin që shoqëria e anatemon kopjimin, e ndëshkon atë, ndërsa ata që kopjojnë i trajton ndryshe nga të tjerët, edhe kjo dukuri do të jetë e rrallë”, ka thënë Pupovci për Klan Kosovën. “Nxënësit tek ne kopjojnë prej klasave të para të shkollës fillore dhe kjo tolerohet nga mësuesit dhe prindërit”.
 
Sipas tij, kopjimi model i të jetuarit.
 
“Kështu i kontribuohet ndërtimit të një personaliteti mashtrues i cili nuk e ka problem të shfrytëzojë mjete të palejueshme në jetë për të arritur qëllimet e veta. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me shkollimin”.
 
Drejtori Ekzekutiv i Qendrës për Arsim të Kosovës, ka thënë se një model i tillë i të funksionuarit është përkrahur nga ata që normalisht do të duhet ta luftonin.
 
“Mendoj se problemi qëndron tek sistemi i arsimit. Për 12 vjet shumë prej këtyre fëmijëve nuk janë nxitur të mësojnë, por janë ‘shpërblyer’ me nota pozitive pa meritë. E gjithë kjo ka krijuar një atmosferë ku kopjimi është ‘shpëtim’ për të gjithë. Nxënësi dhe prindi janë të kënaqur, sepse bëhet i mundur regjistrimi në fakultet, ndërsa mësimdhënësit janë të kënaqur pasi e heqin nga vetja barrën e përgjegjësisë për mossuksesin. Në shumë raste edhe shteti ka qenë i kënaqur, pasi me rezultate false ka ‘dëshmuar’ se gjendja në sistemin e arsimit është e mirë”.
 
Komisioni Qendror Shtetëror i Maturës, vlerësoi se procesi i Provimit të Maturës Shtetërore ka përfunduar me sukses dhe se është dëshmuar gatishmëria e lartë te nxënësit dhe mësimdhënësit në procesin e administrimit për organizimin dhe mbarëvajtjen e suksesshme të Provimit të Maturës Shtetërore. /Klan Kosova/
 

Dukagjin Pupovci

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit