0.3 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

Rrëfehet shkupjani që ndodhej në anijen “Mavi Marmara”: Kështu na keqtrajtuan izraelitët!

Më të lexuarat

Në mëngjesin e 31 majit të vitit 2010, ushtria izraelite me 4 anije ushtarake fregatë, 3 helikopterë, dy nëndetëse dhe 30 bote me ushtarë rrethoi flotën e cila transportonte ndihma humanitare për palestinezët…

Kanë kaluar plot 5 vite nga sulmi i Izraelit ndaj anijes “Mavi Marmara”, e cila transportonte ndihma humanitare për palestinezët. Gjashtë organizata humanitare ndërkombëtare, përfshirë edhe fondacionin humanitar ndërkombëtare në Turqi “IHH”, kishin formuar një flotë me anije ku merrnin pjesë aktivistë nga 37 vende të ndryshme të botës. Flota e anijeve me 750 aktivistë dhe 6 mijë ton ushqime synonte dërgimin e tyre në Palestinë e rrethuar nga forcat izraelite.

Në mëngjesin e 31 majit të vitit 2010, ushtria izraelite me 4 anije ushtarake fregatë, 3 helikopterë, dy nëndetëse dhe 30 bote me ushtarë rrethoi flotën e ndihmave humanitare të Turqisë. Në sulmin e ushtrisë izraelite humbën jetën 9 persona, prej të cilëve 8 shtetas turq dhe një amerikan, si dhe u plagosën 56 vullnetarë të tjerë. Ndërkohë edhe një person i plagosur rëndë humbi jetën 4 vite më vonë në spitalin ku merrte ndihmën mjekësore në Ankara.

Një nga tre aktivistët humanitar nga Maqedonia, i cili ndodhej në anijen “Mavi Marmama”, Jasmin Rexhepi nga Shkupi, në një intervistë për Anadolu Agency (AA) thotë se Maqedonia misionin humanitar në Gaza e filloi shumë më herët se viti 2010. Siç thotë ai, më herët nga Maqedonia është dërguar një ndihmë e madhe humanitare. “Një numër i madh i njerëzve jepnin donacione dhe ne dërguam një pajisje simbolike mjekësore, e cila arriti në Gaza dhe shfrytëzohej për të ndihmuar fëmijët në Gaza, që vuanin nga guri në veshka”, theksoi ai, duke shtuar se kjo pajisje pa operacion dhe pa dhimbje zgjidhte problem e këtyre fëmijëve.

– Sulmet në Gaza prekin Ballkanin, sepse edhe Ballkani ka përjetuar luftëra të ndryshme –

Rexhepi thotë se pas një kohë u organizua edhe “flota e lirisë” apo anija e madhe “Mavi Marmara”, e cila në muajin maj të vitit 2010 ishte drejtuar për në Gaza, me qëllim për të ndaluar bllokadën në Gaza dhe për të dërguar ndihma humanitare, si dhe tu tregohet pushtuesve dhe tërë botës se çfarë është duke i ndodhur një populli, që ishte i vendosur në një burg të hapur, ku një milion e gjysmë njerëz nuk posedojnë ushqim, ujë dhe pa kujdes mjekësor.

“Kjo situatë e Gazës të gjithë popujve tonë në Ballkan i preku shumë, sepse ne kemi përjetuar Bosnjën dhe Kosovën, jemi përballur me dhimbjen e tyre dhe kjo që ndodhë në Gaza është diçka që tani më ekziston që 65 vjet apo më shumë. 65 vite komuniteti ndërkombëtarë qëndron i heshtur për atë që ndodh atje dhe nuk ndërmarrin diçka ndaj asaj shtypje që ndodh në Palestinë”, deklaron Rexhepi.

Rexhepi më tej thotë se udhëtimi i tyre filloi nga Stambolli dhe më pas anija e tyre është dërguar në Antalia, ku dhe janë përshëndetur nga populli turk, të cilët i kanë drejtuar për në anijen “Mavi Marmara”. Ai shtoi se të mbledhur bashkërisht në një sallë të madhe sportive në Antalia përjetoi një moment interesant dhe prekës, që sipas tij ky moment dëshmoi se populli turk nga më i vogli deri te më i madh është i gatshëm të ndihmojë.

“Erdhi një vajzë e vogël dhe ndaloi para këmbëve tona dhe pyeti se ‘a edhe ti do të shkosh në Gaza’. Ajo kishte të lidhur në kokë një shirit të shkruar në të ‘shehadet’. E nxori atë dhe tha se unë nuk kam se çka të jap, përveç këtij shiriti…dërgova fëmijëve në Gaza”, u shpreh Rexhepi, duke shtuar se ka vërejtur edhe një grua të moshuar, e cila kishte përgatitur ushqim për ata që do të udhëtonin për misionin në Gaza.

Rexhepi thotë se sulmi i anijes ku ndodheshin rreth 600 njerëz nga 40 vende të ndryshme dhe që kishin qëllimin e njëjtë ‘lirinë e Gazës’, ndodhi natën e katërt. Ai shprehet se ato netë që kaloi në anije ishin përvoja e parë e tij, pasi që siç thotë ai, shumë popuj të ndryshëm, të moshuar e të ri, me kulturë dhe fe të ndryshme, kishin qëllimin e njëjtë për të çliruar Gazën nga ai pushtim. Rexhepi përmendi edhe momentet kur muslimanët në një kohë të njëjtë falnin namazin, ndërsa në anën tjetër edhe prifti lutej në mënyrën e tij dhe kjo aspak nuk i pengonte njerëzit që ndodheshin në anije.

– Në kohën e sulmit anija ndodhej në ujërat ndërkombëtare dhe ky akt duhet të dënohet nga komuniteti ndërkombëtarë –

Sipas Rexhepit në kohën e sulmit anija ndodhej në ujërat ndërkombëtarë dhe këtë ai e konsiderohen si një akt të piraterisë, i cili thyen ligjet ndërkombëtare dhe duhet patjetër të dënohet nga komuniteti ndërkombëtarë. Ai thotë se natën ndërmjet 30 dhe 31 majit para se të futen në ujërat e Gazës, sigurimi i anijes ka informuar se janë duke u afruar disa anije.

Ai duke theksuar se në ato momente disa persona falnin namazin dhe luteshin, shtoi se: “Anijet filluan të qëllojnë ndaj anijes tonë, filluan të dëgjohen shok bomba, që kishin për qëllim të krijojnë panik. Mirëpo, nuk krijuan panik tek njerëzit, sepse të gjithë ishim të përgatitur dhe të gjithë dinin se si të veprojnë në ndonjë rast urgjence”. Rexhepi tha se me atë sulm nuk arritën të kapin anijen e tyre, ndërsa pas disa minutave janë përpjekur përsëri dhe kur kanë vërejtur se mund të krijohet panik në atë mënyrë.

“Pastaj vendosën të bëjnë ulje. Ne ishim në mes dhe nuk mund të kuptonim se çfarë ishte duke ndodhur, sepse helikopterët ishin lartë anijes dhe dëgjoheshin të shtëna të mëdha. Nga ana jonë nuk kishim njerëz të armatosur në atë mënyrë dhe nuk kishim një lloj të tillë të rezistencës”, tha Rexhepi, duke shtuar se në ato momente kanë vërejtur se si është qëlluar në kokë edhe fotoreporterin i cili fotografonte helikopterët.

Në ato momente siç e përshkuan Rexhepi kapiteni i anijes ka urdhëruar të gjithë të largohen nga kuverta dhe të futen brenda në anije, ndërkohë që ka informuar edhe anën izraelite se në anije të gjithë janë civilë, mirëpo të shtënat ndaj anijes “Mavi Marmara” nuk kanë ndaluar. E gjithë kjo, Rexhepi thotë se ka ndodhur prej 20 deri në 30 minuta kohë, ndërsa pastaj në anije kanë filluar të futen edhe nga ana izraelite.

“Ata na urdhëruan që të mos lëvizim, as që na lejonin t’i ndihmojmë të plagosurit. Pothuajse një orë e gjysmë nuk na lejuan tu ndihmojmë të plagosurve. Rreth orës 07:00 të mëngjesit filluan t’i lëshojnë të plagosurit të dalin në kuvertë, që të merren nga ana e izraelitëve dhe tu jepej ndihma mjekësore nga spitalet luftarake, ndoshta në anijet e tyre apo në Izrael”, thekson Rexhepi, duke shtuar se pasi i kanë larguar të plagosurit, të tjerët janë nxjerrë jashtë në kuvertë, ku dhe kanë qëndruar deri pasdite, duke u keqtrajtuar nga ana izraelite.

Rexhepi duke theksuar se pas 15 orëve janë lëshuar të dalin nga anija, shtoi se mesazhi nga ana izraelite ishte: “Kur të dilni jashtë ju presin shumë ekipe të televizioneve, që duan të thoni se ne kemi humbur në këtë akt, por ju mos e thoni atë, dilni krenar dhe me buzëqeshje në fytyrë dhe thoni se ne jemi fituesit. Ashtu ndodhi, ne dolëm jashtë dhe e thamë atë që na urdhëruan”. Anëtarët e anijes janë dërguar në një stacion policor në afërsi të bregut, por siç thotë Rexhepi, aty kanë qëndruar gjysmë ore dhe më pas janë dërguar në një burg në shkretëtirën Negev, ku kanë qëndruar dy ditë dhe pa kushte elementare.

Rexhepi duke theksuar se përfaqësuesi i parë diplomatik që ka arritur në burgun ku ndodheshin ishte nga Maqedonia, u shpreh se: “Roja thirri Maqedonia. Unë u paraqita dhe hyri atasheu Aleksandër dhe tha ku jeni o njerëz, ju kërkoj tërë mëngjesin. Asnjëherë nuk kam qenë aq i kënaqur të dëgjoj gjuhën maqedonase. Të paktën nuk e prita që në Lindjen e Mesme në ndonjë burg të dëgjojë dikë të flasë gjuhën maqedonase”.

Atesheu Aleksandar, siç thotë Rexhepi, solli lajmet e mira dhe të këqija. “Lajmet e mira ishin se së shpejti do të lirohemi, ndërsa të këqijat ishin se gjatë sulmit 9 persona kanë humbur jetën dhe shumë të tjerë janë të plagosur në spitalet e izraelite”, u shpreh ai.

– Izraeli kërkon nga udhëtarët e “Mavi Marmara” të nënshkruajnë marrëveshje se ilegalisht kanë hyrë në Izrael –

Rexhepi më tej tha se Izraeli ka kërkuar nga ata që të nënshkruajnë marrëveshje se ilegalisht kanë hyrë në Izrael. “Ne nuk donim të pranonim atë, sepse ne nuk ishim futur në Izrael dhe nuk kishim për qëllim të hynim në Izrael. Ne ishim në ujërat ndërkombëtarë dhe kishim për qëllim të hynim në territorin palestinez në Gaza dhe ajo që ndodhi ndaj neve sipas komunitetit ndërkombëtare ishte akt joligjor. Ne u sollëm ilegalisht në Izrael dhe kërkuam që të dalim gjyq”, deklaroi Rexhepi.

Rexhepi thotë se fjalët e Izraelit ishin se drejtësia nuk ekziston, “në Lindjen e Mesme ka një proverbë popullore ku thuhet gjyqtari të padit,pastaj të gjykon, ashtu edhe në Izrael. Nënshkruani këto marrëveshje që të mund të ktheheni të gjallë në vendet tuaja”. Ai shtoi se përsëri nuk kanë pranuar të nënshkruajnë dokumentin, mirëpo më pas edhe në aeroportin ndërkombëtarë janë keqtrajtuar nga ushtarë izraelit.

Rexhepi në fund të fjalës së tij tha se kur kanë arritur në Stamboll kanë lajmëruar familjet e tyre se janë të gjallë, ku u është dhënë ndihma mjekësore dhe më pas kanë deklaruar për rastin edhe në polici. Ai falënderon popullin turk, pasi që ky popull ka kryer presion ndaj Izraelit që të mos mbahen në burg dhe po të mos ekzistonte një presion i tillë, ai ende do të ishte në burgjet e Izraelit. Rexhepi përsëri t qëndrimin e tij se ky akt duhet të dënohet nga komuniteti ndërkombëtarë./Anadoly Agency Shqip

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit