7.3 C
Pristina
Wednesday, November 27, 2024

Komisioneri i BE-së bën thirrje për veprim urgjent kundër programit të përgjimit Pegasus

Më të lexuarat

BE-ja duhet të vendosë shpejt një ligj për të mbrojtur më shumë të drejtat e aktivistëve, gazetarëve dhe politikanëve, pas skandalit të spiunazhit Pegasus. Gjithashtu, autorët e përgjimeve të paligjshme duhet të ndiqen penalisht, i tha Komisioneri i Drejtësisë, Parlamentit europian.

Didier Reynders u tha eurodeputetëve se Komisioni Europian “dënoi plotësisht” përpjekjet e supozuara të shërbimeve të sigurisë kombëtare për të hyrë në mënyrë të paligjshme në informacionin e kundërshtarëve politikë, përmes telefonave të tyre.

Ai tha: “Çdo tregues që një ndërhyrje e tillë e privatësisë ka ndodhur në të vërtetë, duhet të hetohet plotësisht dhe të gjithë përgjegjësit për një shkelje të mundshme duhet të vendosen para drejtësisë. Kjo, natyrisht, është përgjegjësi e secilit shtet anëtar të BE-së dhe pres që në rastin e Pegasus, autoritetet kompetente të shqyrtojnë plotësisht akuzat dhe të rivendosin besimin”.

Ai shtoi se dega ekzekutive e BE-së po ndiqte nga afër një hetim nga autoriteti hungarez i mbrojtjes së të dhënave për pretendimet se qeveria e ekstremit të djathtë të Viktor Orban ishte ndër ata që kishin në shënjestër gazetarët, pronarët e mediave dhe figurat politike të opozitës me spyware Pegasus.

Reynders tha se tashmë është rasti, siç konfirmohet edhe nga Gjykata Europiane e Drejtësisë, që qeveritë nuk mund të “kufizojnë konfidencialitetin dhe integritetin e komunikimeve”, përveçse në skenarë “shumë të kufizuar në mënyrë strikte”.

Por, ai shtoi se një rregullore e privatësisë e BE-së do të shtrëngonte më tej rregullat. Ai bëri thirrje që eurodeputetët dhe vendet anëtare të bien dakord urgjentisht për detajet e atij ligji të ri në dritën e skandalit të spiunazhit.

“Raporte të ndryshme kanë treguar se disa shërbime të sigurisë kombëtare kanë përdorur softuerin Pegasus, për të pasur qasje të drejtpërdrejtë te qytetarët, pajisjet, përfshirë kundërshtarët politikë dhe gazetarët. Më lejoni të them që në fillim se komisioni dënon plotësisht çdo qasje të paligjshme në sisteme ose çdo lloj përgjimi të paligjshëm të komunikimeve të përdoruesve të komunitetit. Ky është një krim në të gjithë Bashkimin Europian”.

Një konsorcium me 17 media, përfshirë “The Guardian”, zbuloi në Korrik se klientët globalë të firmës izraelite të vëzhgimit “NSO Group” kishin përdorur softuer hakërimi për të synuar aktivistët e të drejtave të njeriut, gazetarët dhe avokatët. Hetimi u bazua në analizën ligjore të telefonave dhe analizën e një baze të dhënash të rrjedhur prej 50,000 numrash, përfshirë atë të Presidentit Francez, Emmanuel Macron dhe presidentit të Këshillit Europian, Charles Michel, së bashku me krerët e tjerë të shtetit dhe qeveritë e larta, diplomatikë dhe ushtarakë zyrtarë, në 34 vende.

Sophie In ‘t Veld, një eurodeputete holandeze në partinë liberale D66, tha se komiteti i parlamentit për liritë civile do të nisë një hetim mbi përdorimin e Pegasus brenda BE-së. “Ne duam qartësi dhe ndershmëri të plotë tani”, tha ajo. “Komisioni Europian mohon të ketë pasur ndonjë kontakt me kompaninë, por e kam të vështirë ta besoj. Me iniciativën tonë, komiteti do të fillojë një hetim të shpejtë mbi akuzat”.

Muajin e kaluar Autoriteti Hungarez i Mbrojtjes së të Dhënave, NAIH, tha se kishte nisur një hetim zyrtar mbi akuzat në lidhje me përdorimin e softuerit Pegasus nga qeveria hungareze. Të paktën pesë gazetarë hungarezë u shfaqën në një listë të zbuluar të shqyrtuar nga konsorciumi i gazetave për Pegasus. Gjithashtu në listë ishte numri i politikanit opozitar György Gémesi, kryetari i bashkisë së qytetit Gödöllő dhe kreu i një shoqate mbarëkombëtare të kryebashkiakëve.

Ligji hungarez parashikon që në rastet kur rrezikohet siguria kombëtare, shërbimet e inteligjencës mund të urdhërojnë mbikëqyrje me vetëm nënshkrimin e ministrit të drejtësisë. Ministri hungarez i drejtësisë, Judit Varga, nuk ka pranuar të komentojë, por tha se “çdo vend ka nevojë për mjete të tilla”.

In ‘t Veld tha: “Gazetarët, politikanët dhe aktivistët duhet të jenë në gjendje të bëjnë punën e tyre pa u spiunuar nga një qeveri gjithnjë e më autoritare. Nëse vërtetohet e kundërta, kjo përbën një shkelje masive të lirive civile”.

Gwendoline Delbos-Corfield, një eurodeputete në partinë Europe Ecologie Les Verts, tha: “Deri më tani, qeveria hungareze ende nuk ka reaguar ndaj zbulimeve të projektit Pegasus. As transparenca dhe as llogaridhënia nuk janë sjellë në debatin publik”.

Një numër eurodeputetësh nga Katalonia theksuan gjithashtu shënjestrimin e pretenduar të politikanëve lokalë me spyware, duke pretenduar përfshirjen e qeverisë spanjolle.

Vitin e kaluar, një hetim i përbashkët nga Guardian dhe El País përcaktoi se celularët e të paktën pesë anëtarëve të Lëvizjes për Pavarësinë Rajonale, përfshirë kryetarin e parlamentit katalanas, ishin në shënjestër.

NSO është një kompani mbikëqyrëse izraelite e rregulluar nga Ministria e Mbrojtjes, e cila miraton shitjen e teknologjisë së saj spyware për klientët qeveritarë në të gjithë botën. Kompania thotë se u shet vetëm agjencive ushtarake, zbatimit të ligjit dhe inteligjencës në 40 vende të paidentifikuara me qëllim të hetimit të terrorizmit dhe krimit.

Më tej, ajo pretendon të verifikojë me rigorozitet të dhënat e klientëve të saj për të drejtat e njeriut, para se t’i lejojë ata të përdorin mjetet e saj të spiunimit. NSO thotë se, “nuk operon me sistemet që u shet klientëve qeveritarë të verifikuar dhe nuk ka qasje në të dhënat që klientët e saj targetojnë”.

/theguardian

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit