“Ngushëllime për familjet dhe të afërmit e viktimave në tragjedinë e tmerrshme në qendrën për COVID në Tetovë. Të lënduarve u uroj shërim të shpejtë”, u shpreh presidenti Pendarovski në rrjetet sociale
Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ka reaguar duke shprehur ngushëllime për familjarët e viktimave nga zjarri që kaploi qendrën për COVID në Tetovë, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Ngushëllime për familjet dhe të afërmit e viktimave në tragjedinë e tmerrshme në qendrën për COVID në Tetovë. Të lënduarve u uroj shërim të shpejtë”, u shpreh presidenti Pendarovski në rrjetet sociale.
Më herët, Ministria e Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut konfirmoi se të paktën 10 persona janë konfirmuar të vdekur.
“Deri më tani, dhjetë persona janë konfirmuar të vdekur nga zjarri, por numri mund të rritet. Kjo është një ditë shumë e trishtueshme. Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, shpreh ngushëllimet e tij më të thella për familjet”, thuhet në një njoftim nga Ministria e Shëndetësisë.
Zjarri është shuar dhe ekipet policore dhe të prokurorisë po kryejnë hetim në vendin e ngjarjes.
Në Tetovë ishte edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, i cili fillimisht vizitoi vendin e ngjarjes e më pas mori pjesë në një takim të shtabit të krizës në Komunën e Tetovës.