1.7 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

OJQ-të kërkojnë depolitizimin e çështjes së personave të pagjetur

Më të lexuarat

Organizatat që merren me çështjen e të pagjeturve nga lufta e fundit në Kosovë kërkojnë që kjo çështje të depolitizohet. Dhimbja e cila po përcjell këto familje tani e 22 vite, vlerësohet të jetë keqpërdorur nga politika dhe politikanët për përfitime të tyre.

Kështu u tha në forumin “Nevoja për depolitizimin e çështjes së personave të zhdukur”, të mbajtur të mërkurën në Prishtinë, nën organizimin e Qendrës Burimore për Personat e Zhdukur.

Ky forum po organizohet në prag të Ditës Ndërkombëtare të Viktimave të Zhdukjeve me Forcë e cila shënohet më 30 gusht.

Bajram Qerkini, drejtuesi i shoqatës “Zëri i Prindërve”, shoqatë kjo e familjarëve të personave të pagjetur në Kosovë, thotë se të gjithë familjarët e personave të pagjetur duan që kjo çështje humanitare të depolitizohet.

“Ju ndërkombëtarët dhe qeveritarët nuk mund të na shëroni, por mund të na zbutni dhimbjen që e kemi plot 22 vjet. Më çka?…. me punët që i keni premtuar e që nuk po i kryeni. Kërkesa e familjarëve është një, zbardhja e fatit të pagjeturve”, tha ai.

Në anën tjetër, ambasadori i Britanisë së Madhe, Nicholas Abbott, i pranishëm në këtë forum tha se çështja e vuajtjeve njerëzore, siç është çështja e personave të pagjetur nuk duhet të politizohet.

Sipas tij, kjo nuk do të thotë të injorohet mjedisi politik në të cilin këto çështje zhvillohen, por, kjo do të thotë që askush nuk duhet të përdorë çështjen e të zhdukurve si një përfitim politik.

Ai shtoi se Kosova edhe Serbia duhet të komunikojnë për të ndarë informatat në mënyrë të hapur dhe në një frymë të bashkëpunimit dhe jo përplasjeje.

“Personat e zhdukur, familjet e tyre dhe organizatat joqeveritare që mbështesin këtë nuk duhet të përdoren si futboll në arenën politike të normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, tha ai.

Pas përfundimit të luftës në Kosovë në vitin 1999 rezultuan rreth 6 mijë e 500 persona të zhdukur.

Që nga ajo kohë u kryen zhvarrime në varreza masive në Kosovë dhe Serbi dhe deri me tani janë gjetur rreth 70 për qind e të zhdukurve.

Sipas autoriteteve në Kosovë ende vazhdojnë të rezultojnë të pagjetur rreth 1,600 persona, kryesisht shqiptarë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit