Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka paralajmëruar se Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) së shpejti do të pajiset me autoblindat e tipit “Vuran”.
Përmes një njoftimi në Facebook, Mehaj tha se këto automjete do të jenë shumë të rëndësishme për përmbushjen e misioneve ushtarake në të ardhmen.
“Së shpejti këto automjete të blinduara taktike, të kompletuara me platformën e integruar të armatimit dhe pajisjet e nevojshme për përmbushjen e misionit, do të jenë sistem shumë i rëndësishëm i kapaciteteve tona ushtarake”, deklaroi ministri i Mbrojtjes së Kosovës.Ai ka folur edhe për karakteristikat e këtyre autoblindave.
Ndërsa, tha se në objektivat e tij, është forcimi i kapaciteteve ushtarake.
“Një ndër objektivat e mi operacional afatshkurtër është forcimi i kapaciteteve ushtarake për realizimin e operacioneve mbrojtëse dhe operacioneve ndërkombëtare paqeruajtëse dhe stabilitetit. Karakteristikat e larta teknike dhe taktike dhe lëvizshmëria e jashtëzakonshme e tyre, siguron mbrojtje shumë të lartë balistike, ndaj minave si dhe rritje të kapacitetit të ngarkesës dhe vëllim të brendshëm”, tha Mehaj.
“Bazuar në doktrinën tonë të operacioneve këto automjete sigurojnë performancë të jashtëzakonshme në gamë të gjerë të terreneve sfiduese dhe kushteve klimatike”, deklaroi në fund ai.