-1.6 C
Pristina
Saturday, December 28, 2024

Demokratizimi i dijes!

Më të lexuarat

Sipas pikëpamjes së humanizmit liberal, që është kthyer tashmë në ideologjinë dominuese në botë:
1. Konsumatori ka gjithmonë të drejtë.
2. Votuesi e di më mirë se çfarë është e drejtë.
3. Bukuria gjendet në sytë e shikuesit.
4. Nëse diçka të bën të ndihesh mirë, atëherë bëje.
5. Mendo me kokën tënde. (Homo Deus f. 240)

Këto janë pikëpamjet që dominojnë sot botën, të paktën këto tridhjetë vitet e fundit, dhe po formojnë në vazhdimësi mendësinë e njerëzve. Siç vihet re, pikëpamjet liberale theksin e vënë tek individi dhe egocentrizmi i tij, mirëpo egoja njerëzore duket se nuk ka ndërmend të ndalet tek vetëm këto pesë premisa liberale, ajo po shkon tek premisa e gjashtë që thotë se: E vërteta, edhe ajo shkencore, është ajo që mendojnë njerëzit. Ky është demokratizimi absurd i dijes!

Demokracia si mekanizëm i zgjedhjes së qeverisjes politike dhe legjitimimit të pushtetit qeverisës ndaj njerëzve mund të jetë e pranueshme, dhe një sistem i tillë duket se funksionon deri diku mirë, por sigurisht, që përzgjedhja e njerëzve të mos kalojë në vendime absurde dhe të jetë përzgjedhje që çon në vendosjen e politikave kriminale dhe të padrejta, si p.sh. ardhja me vota demokratike në pushtet e një Hitleri, atëherë ligji vendos kufizime për lirinë e zgjedhjes me vota të njerëzve, sepse jo gjithmonë dhe për çdo gjë, votuesi e di më mirë se çfarë është e drejtë. Por sigurisht, liberalizmi duke relativizuar moralin, në atë që të bën të ndihesh mirë, e ka të vështirë t’iu imponojë njerëzve se çfarë është e mirë dhe çfarë e gabuar, kështu që edhe autoriteti i vendosjes së kufizimeve morale është arbitrar dhe i kundërshtueshëm nga njerëzit, sepse asnjë qenie humane nuk mund të ketë më shumë të drejtë për t’i imponuar të tjerëve si ai, opinionin e tij personal. Në shoqëritë tradicionale fetare kjo çështje është zgjidhur njëherë e mirë që në fillesat e saj, dhe është pranuar pa shumë kundërshtime të tipit të sotëm liberal. Kështu që në këtë kontekst logjik, edhe përçimi i dijes nuk mund të demokratizohet pa vendosur kufij, filtra dhe ligje që kufizojnë injorantët nga të dhënit mend për çdo gjë.

Interneti dhe përhapja e tij globale i ka mundësuar çdo ideje dhe pikëpamjeje, sado e mirë apo e keqe, gjeniale apo e çmendur të jetë, të gjejë tokën e saj pjellore për t’u përhapur dhe masivizuar. Interneti ka demokratizuar çdo gjë dhe ka i dhënë mundësi të flasë e të shprehet çdokujt për çdo gjë, pa asnjë lloj kriteri apo filtri profesional dhe besueshmërie. Nëse deri dje shtetet ishin përgjegjëse për përçimin e lajmit dhe dijes që jepej në arsimin shkollor, sot interneti ka hapur dyert për të gjithë të papërgjegjshmit, anonimët, të çmendurit, mediokrit, kriminelët, sharlatanët, pseudo shkencëtarët, dijetarët e vetëshpallur, injorantët, madje edhe për çiliminjtë, që t’iu japin mend dhe leksione njerëzve në të gjitha lëmitë e dijes.

“Fake News” nuk është problemi i vetëm i sotëm i internetit dhe rrjeteve sociale në të, problem tjetër i madh është edhe “Fake Knowledge” dhe “Fake Science”, pa folur për pikëpamjet politike, fetare apo filozofike, për të cilat as që do t’ia dijë njeri për pasaktësitë që thuhen për to.

Demokratizimi i kësaj natyre i dijes dhe i shkencës, po merr gjithmonë e më shumë përmasa të frikshme, sidomos nën ndikimin e fuqishëm të teorive konspirative, të cilat marrin jetë dhe gjejnë tokë pjellore jo vetëm tek injoranca dhe moskompetenca masive e njerëzve, por edhe tek boshllëqet dhe hapësirat e panjohura apo enigmatike që lë pa zënë dija dhe shkenca, apo tek gabimet ose manipulimet që bëjnë jo rrallë njerëzit kompetentë të këtyre fushave, të cilat shfrytëzohen mjaft mirë nga manipuluesit e teorive konspirative.

Ajo çka e shpjegon edhe më shumë përhapjen masive të këtyre idiotësive, është edhe natyra psikike e njeriut, e cila me padijen e saj të lindur, është e prirë të pranojë dhe besojë më shumë pikëpamjet e thjeshta që kanë në mes edhe enigma tërheqëse, sesa të pranojë shpjegime shkencore të koklavitura apo edhe të thjeshta të çdo lloj shkence, qoftë kjo natyrore apo sociale. Ky lloj demokratizimi i dijes po rrënon gjithmonë e më shumë në masën e madhe të njerëzve themelet e dijeve, duke përmbysur apo vënë në dyshim gjithçka që njerëzit mësojnë nga njerëzit kompetentë të fushës.

Nëse do ta përafroja me një krahasim injorancën konspirative, sepse vetëm dije nuk mund të quhet, do të thosha se ajo i ngjan bimës së gramit që mbin dhe rritet mes hapësirave boshe të arës së mbjellë me grurë. Sigurisht që grami është një bar zvarritës, ndërsa gruri rritet lart, por nëse grami nuk shkulet, i zë frymën dhe i merr ushqimin grurit dhe mund ta çojë në tharje bimën, nga e cila bëhet buka. Kështu që nëse filozofia humaniste liberale, e dështuar me egocentrizmin e saj human, nuk gjen mekanizma për ta vënë në frena këtë demokratizim të dijes, siç ndalon ardhjen në pushtet të nazistëve, ajo do të kthehet në një nga bumerangët e saj shkatërrimtarë.

Në fakt, ky masivizim dhe demokratizim i dijes, ndër të tjera, nuk është gjë tjetër, vetëm se përmbushje e paralajmërimit profetik për përhapjen e shkrimit dhe shtimin e injorancës. Në disa transmetime thuhet se çdo njeri do të ketë mundësi të lexojë, i madh dhe i vogël, grua apo burrë, i sinqertë apo hipokrit. Kjo duket pak si kontradiktore, si mund të përhapet padija kur shtohet shkrimi dhe leximi, pra kur pakësohet analfabetizmi? Nëse kuptojmë se dija është njohja e së vërtetës, dhe se ajo nuk është thjesht një grumbull njohurish, por një strukturë solide që nis me parime të vërteta e të sakta dhe ndërtohet hap pas hapi sipas një metodologjie të caktuar, atëherë kuptojmë se shtimi i njerëzve që dinë të lexojnë dhe shkruajnë, nuk do të thotë detyrimisht shtim të dijes mes njerëzve. Po kështu, dija për të cilën flet Profeti (alejhi salatu ue selam) është njohja e së vërtetës së Krijuesit, e kjo e vërtetë sot, është fakt se nuk njihet nga shumica e njerëzve, pra kemi të bëjmë me shtim të injorancës në këtë drejtim. Edhe pse njerëzit dinë të lexojnë sot më shumë sesa dje, ata nuk e mësojnë të vërtetën e fesë në shumicën e gjërave që lexojnë. Sot për Zotin dhe të vërtetën e kësaj bote flitet shumë pak në çfarë shkruhet dhe botohet, kështu që në këtë kontekst, deri dje shumë njerëz edhe pse nuk dinin të lexonin dhe shkruanin, i dinin dy gjëra më shumë për Zotin, sesa njerëzit e sotëm.

Një tjetër aspekt që ka të bëjë me injorancën është se ajo është dy llojesh: injorancë e thjeshtë dhe injorancë e komplikuar. Injoranca e thjeshtë është padije për diçka dhe pranim i kësaj padijeje nga i padituri. Kjo zhbëhet duke mësuar atë që nuk e di. Ndërsa injoranca e komplikuar është kur di diçka në mënyrë të gabuar dhe mendon se ajo është e saktë. Kjo lloj padijeje është më e vështira për t’u ndrequr, sidomos kur kemi të bëjmë me njerëz që janë edukuar dhe formuar me këtë lloj injorance. Kështu që në kohën që jetojmë, ndeshemi më shumë me këtë lloj injorance, e cila nga njëra anë i ka mundësuar çdokujt të shkruajë dhe lexojë pafund çdo lloj gjëje, por nga ana tjetër, nuk ka asnjë lloj filtri, kriteri dhe strukturimi ditunor të këtyre njohurive. Kështu që kemi në të njëjtën kohë edhe shtim të shkrimit, por edhe të injorancës.

Në gjithë këtë tollovi, pa faj nuk janë edhe njerëzit e ditur, të cilët nuk e thjeshtëzojnë dijen për njerëzit dhe refuzojnë të përfshihen në mësimdhënie dhe sqarim të koncepteve bazë të dijeve përkatëse për mbarë popullin, qoftë edhe në rrjetet sociale, ndërkohë që injorantët dhe sharlatanët e çdo fushe e bëjnë me zell dhe vullnetarisht përhapjen e injorancës së tyre. Dija humbet kur mbetet e fshehtë dhe kufizohet dobia e saj, kur mbyllet në qarqe të caktuara akademike, ku shumica e njerëzve nuk përfshihen dhe as kanë dijeni për to.

Nëse një mjek, për shembull, përton të japë disa leksione bazë të thjeshta për popullin, se si ndërtohet kjo dije, ku bazohet ajo dhe si funksionon, atëherë nuk kemi pse qahemi nga shtimi i sharlatanëve që vënë në pikëpyetje çdo gjë nga mjekësia e sotme. Njerëzit para se të vaksinohen nga sëmundjet infektive, mirë është të vaksinohen me dijen bazë të thjeshtuar të mjekësisë, për t’i ruajtur ata nga çdo injorant sharlatan, që premton për ta shërim dhe vë në dyshim gjithë mjekësinë e sotme, duke e reduktuar atë vetëm në synime komercialiste dhe konspiracion!

Kjo gjë siç vlen për mjekësinë, vlen edhe për fushat e tjera të dijes, sidomos për ato, në të cilat njerëzit i fusin hundët më kollaj për të dhënë mend. Nëse deri dje injorantët e kanë pasur më të lehtë të flisnin lirshëm për shkencat sociale, të cilat empirizmin e kanë të kufizuar dhe mjaft të debatueshëm, sot ata i janë futur edhe mjekësisë me themel, pavarësisht shkallës së saktësisë dhe empirizimit të saj. Nuk është çudi që injoranca njerëzore të hidhet masivisht edhe tek ndonjë dije tjetër më empirike dhe më e saktë shkencore dhe ta vërë publikun nën të njëjtin efekt presioni si për saktësinë e mjekësisë. Sigurisht, premisat dhe faktet për ta bërë këtë gjenden lehtë, pjesa tjetër pastaj dihet sesi tirret.

Hoxhë Justinian Topulli

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit