Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), duke bërë thirrje për vaksinim të qytetarëve, thekson se me vaksinim do ta kalojmë valën e re nga varianti Delta me sa më pak të sëmurë e sa më pak viktima.
Instituti thekson se vaksinimi parandalon vdekjet dhe komplikimet e rënda, të cilat kërkojnë shtrirjen e pacientit në spital.
Postimi i plotë i IKSHPK-së:
Qytetarë të dashur!
Rastet pozitive me SARS CoV-2 janë rritur në mënyrë rapide javën e fundit! Pos masave tashmë të njohura: bartja e maskave, mbajtja e distancës dhe mbajtja e higjienës, e keni dispozicion metodën më të mirë, më të lirë dhe më efikase në luftë kundër COVID-19: VAKSINIMI!
Për hir të shëndetit tuaj!
Ju lutemi!
➡️ Vaksinohuni!
➡️ Vaksinimi kundër COVID-19 shpëton jetë!
➡️ Vaksinimi është metoda më e mirë, më e lirë dhe me efikase në luftë kundër COVID-19!
➡️ Vaksinimi zgjon mbrojtjen natyrore të trupit tonë për të krijuar rezistencë ndaj infeksioneve specifike dhe e fuqizon sistemin imunitar!
➡️ Vaksinimi parandalon vdekjet dhe komplikimet e rënda, të cilat kërkojnë shtrirjen e pacientit në spital.
➡️ Vaksinohuni ju dhe të afërmit tuaj!
➡️ Me vaksinim do ta kalojmë valën e re nga varianti Delta me sa më pak të sëmurë e sa më pak viktima.
➡️ Asnjëra vaksinë që është në përdorim në Kosovë nuk përmban virus të gjallë që shkakton COVID-19. Kjo domethënë se nuk mund të sëmureni me COVID-19 nga vaksina.
➡️ Kosova është i vetmi shtet në rajon që ka dhënë vetëm vaksina të miratura nga Agjencia Evropiane dhe Amerikane e Barnave është Kosova. Këto vaksina janë Astra-Zeneca dhe Pfizer. Këto vaksina kanë sigurinë, cilësinë dhe efikasitetin, që e plotësojnë standardin evropian dhe atë amerikan.
➡️ Disa po ngurrojnë për t’u vaksinuar sepse frikësohen nga efektet anësore të cilat deri tani në Kosovë kanë qenë minimale por dobia e mbrojtës nga COVID-19 është shumë herë më e madhe.
➡️ Nëse nuk vaksinohemi mund të rriten rastet e reja duke u përcjellë me shtim të hospitalizimeve, vdekjeve, mbingarkesë të sistemit shëndetësor, rikthim të kufizimeve, goditje të shëndetit mental, shkollës, ekonomisë, kulturë, artit e sportit.
Qytetarë të dashur!
➡️ Vaksinohuni!
➡️ Me vaksinë mbroni veten, familjen, të afërmit, kombin dhe njerëzimin kundër COVID-19.
Ndryshe, sot (të premten) në Kosovë janë regjistruar edhe tri viktima nga coronavirusi i ri, dhe janë regjistruar 1,128 raste të reja të infektuarve me këtë virus, nga 7,424 mostra të testuara gjatë 24 orëve të fundit.
Pjesa më e madhe e të infektuarve janë të moshave nga 20 deri në 29 vjeç, përkatësisht, 305 persona. Ndërsa nga 30 deri 39 vjeç janë 231 të infektuar.
Sipas autoriteteve shëndetësore, nga sëmundje COVID-19 janë shëruar edhe 46 persona ndërsa raste aktive janë 5,493.
Prej 13 marsit 2020, kur janë regjistruar rastet e para të infektimit, autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë regjistruar 113,781 pacientë me këtë virus.
Prej tyre 2,276 kanë vdekur.
Sipas njoftimit, në 24 orët e fundit janë vaksinuar 19.248 persona.
Të vaksinuar me të dyja dozat janë 192.503 persona, derisa sipas autoriteteve 559,007 vaksina janë dhënë në total në Kosovë.