Qeveria e Kosovës, në planin qeverisës katërvjeçar, ka paraparë që nëpërmjet krijimit të instrumenteve për investim, kapitali i diasporës të kanalizohet në investime që krijojnë vende pune. Ky plan i qeverisë, ka paraparë që nga viti i parë i qeverisjes të emetohen bono thesari, të dedikuara për diasporën.
Bonot e Diasporës, që tashmë kanë nisur të lëshohen në Kosovë, janë letra me vlerë të garantuara nga shteti përmes Ligjit mbi Borxhin Publik. Bonot e Diasporës emetohen gjatë periudhës 21 korrik 2021 – 18 gusht 2021.
Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka njoftuar se është hapur shitja e Bonove të Diasporës, ku do të emetohen Bono me maturitet 3 dhe 5-vjeçar, në shumën 20 milionë euro. Me këtë rast, janë ftuar mërgimtarët që të investojnë përmes Bonove të Diasporës, të cilat mundësojnë që kapitali i tyre të mobilizohet për investime strategjike të cilat ndikojnë në zhvillimin ekonomik të vendit.
Investimi në Bonot e Diasporës mund të konsiderohet si investimi më i sigurt në Republikën e Kosovës. Shuma minimale për blerje të bonove është 10,000 euro, kurse shuma maksimale për një person në një bankë është 500,000 euro, në mënyrë që të investojnë sa më shumë persona. Afatizimi (maturimi) 3-vjeçar ka normë interesi 1.20%, ndërsa afatizimi 5-vjeçar ka normë interesi 2.20%. Fitimi nga ky investim është i liruar nga tatimi dhe paguhet çdo 6 muaj deri në përfundim të maturimit.
Për detaje rreth pjesëmarrjes në blerjen e letrave me vlerë, të interesuarit të kontaktojnë ndonjërën nga bankat komerciale, partnere në emetimin e Bonove të Diasporës: Banka Ekonomike, Banka Kombëtare Tregtare, Banka për Biznes, NLB Banka, ProCredit Bank, apo Raiffeisen Bank.
Ministri Hekuran Murati kishte deklaruar se bonot do të jenë 3 dhe 5-vjeçare, ku shuma totale do të jetë 20 milionë euro, dhe sipas nevojës, mund të rritet deri në 50%.
“Bono 3-vjeçare dhe 5-vjeçare, periudha e shitjes do të jetë prej 21 korrik deri më 18 gusht. Dhe data e emetimit 20 gusht. Bankat komerciale, me të cilat do të kemi bashkëpunim janë Raiffeisen Bank, ProCredit Bank, NLB banka, BKT, Banka Ekonomike dhe Banka për Biznes. Shuma e ofruar për shitje është 20 milionë euro në të drejtë të rritjes deri më 50% të shumës së ofruar”, kishte thënë Murati.
Kujtojmë se i njëjti propozim ishte dhënë edhe nga ish-ministri i Financave në Qeverinë Mustafa, Avdullah Hoti.
“Këto letra me vlerë, do të sigurojnë mjete për qëllime specifike, siç janë subvencionet për bujqësi dhe për ndërmarrje të vogla. Përmes kësaj forme, diaspora mund të kontribuojë në zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe, gjithashtu, përfiton një normë interesi, që është më e lartë krahasuar me normën e interesit nga depozitimi i mjeteve në bankat në vendet ku janë diaspora apo në bankat në Kosovë”.
Numri i qytetarëve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, deri në fund të vitit 2018, vlerësohet të jetë mbi 850 mijë banorë.
Qytetarët e Kosovës kryesisht jetojnë në numër më të madh në Gjermani dhe Zvicër dhe remitancat kryesisht, sipas të dhënave të BQK-së, dërgohen nga këto vende.
/monitor.al/