Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca dhe drejtoresha ekzekutive e GLPS-së, Arbëreshë Loxha – Stublla, sot nënshkruan një Memorandum bashkëpunimi mes Kuvendit dhe Grupit Për Studime Juridike dhe Politike.
Qëllimi i këtij Memorandumi është mundësimi i zbatimit të projektit të titulluar: “RRITJA E EFIKASITETIT – Monitorimi dhe vlerësimi i zbatimit të parimeve të sundimit të ligjit në Kosovë, në bazë të Listës së Kontrollit të Sundimit të Ligjit të Këshillit të Evropës”, i financuar nga Ambasada e Mbretërisë së Holandës në Kosovë, në kuadër të Programit MATRA dhe zbatuar nga GLPS. Ky projekt synon të bëjë matjen e zbatimit të ‘Listës së Parimeve’ në kuadër të Këshillit të Evropës, dhe të kontribuojë në përmirësimin e sundimit të ligjit në Kosovë përmes metodologjisë së krijuar nga ekspertët juristë në GLPS.
Memorandumi po ashtu përcakton veprimet e përbashkëta ndërmjet Kuvendit të Kosovës dhe GLPS-së sa i përket implementimit të këtij projekti, si dhe përgjegjësitë e secilës palë, me synim final të dhënies së qasjes së plotë në të dhëna publike, të nevojshme për zbatimin e projektit në përputhje me legjislacionin përkatës për qasje në dokumentet publike dhe klasifikim të informacionit.
Kuvendi i Republikës së Kosovës angazhohet për transparencë dhe bashkëpunim konstruktiv me shoqërinë civile.