1.3 C
Pristina
Friday, November 15, 2024

Keqtrajtime të tmerrshme të azilkërkuesve nga policia gjermane

Më të lexuarat

Në Hannover policët kanë keqtrajtuar fizikisht dhe kanë poshtëruar të paktën dy refugjatë. Prokuroria po kryen hetimet. Organizatat e refugjatëve janë të tmerruara.
Një lajm çnjerëzor dhe mizor që të pështjellon stomakun: “Ia kam futur gishtat në hundë dhe e kam mbytur. Ishte kënaqësi. Dhe e kam tërhequr nga prangat e këmbëve nëpër stacionin e policisë. Ishte aq bukur ….”. Këtë mesazh ia ka dërguar një punonjës i policisë federale në Hannover në mars të vitit të kaluar nga WhatsApp kolegëve të tij.
 
Viktima e tij, një refugjat 19-vjeçar nga Afganistani.
 
Kështu raporton transmetuesi Norddeutscher Rundfunk (NDR).
 
Sipas raportit viktima duhet të ketë rënë në sy për shkelje të vogla, ndër të tjera, se ai nuk ka patur pasaportën gjatë një kontrolli të policisë.
 
Policët e morën me vete në stacionin e policisë në stacionin e trenit në Hanover: Atje në një qeli të policisë ai është keqtrajtuar dhe poshtëruar.
 
Por ky nuk është rasti i vetëm. Gjashtë muaj më vonë, sipas hulumtimeve të NDR, një marokan 19-vjeçar nga Tanger u arrestua nga policia në Hannover, sepse ishte duke udhëtuar me tren pa biletë. Edhe ky refugjat duhet të jetë keqtrajtuar në një qeli të stacionit të policisë. Përsëri, sipas stacionit NDR, kjo dëshmohet nga mesazhi i policit, në të cilin ai mburret për veprimet e tij. Marokani, sipas lajmit të cituar nga NDR, ka “hungëruar si derr. Pastaj bastardi ka ngrënë mishin e prishur të derrit nga frigoriferi. Nga toka.”
 
Çfarë dinin eprorët?
 
Një fotografi celulari, e bërë gjithashtu nga policët, tregon një burrë, që përpëlitet në dyshemenë me pllaka të bardha me duar të lidhura, këmbët i ka të përdredhura në mënyrë jo të natyrshme. Pranë tij duken dy çizme, me sa duket të dy policëve. A dinin pra kolegët, madje edhe eprorët për këtë rast, a kanë ndihmuar ata në keqtrajtim?
 
Ka mundësi: Në një informacion të dërguar me celuar të cituar nga NDR, përmendet një epror. “XYka thënë, se ka dëgjuar lart.”
 
Prokurororia në Hanover po kryen hetime kundër zyrtarëve të policisë federale për shkak të dyshimeve për lëndime trupore gjatë kryerjes së detyres dhe shkeljes së ligjit të armëve. Gjatë një kontrolli në shtëpinë e policit është gjetur një armë e paligjshme, tha kryeprokurori Thomas Klinge.
 
Organizata e refugjatëve: përmasa të tmerrshme të racizmit
 
Drejtori i organizatës për të drejtat e njeriut ProAsyl tha në intervistë me DW se është i tmerruar nga “shkalla e racizmit dhe e përbuzjes për njeriun. “Ai nuk mund ta imagjinojë ende”, tha Burkhardt, “që në Gjermani, në një demokraci, një nëpunës i shtetit torturon refugjatët. “Burkhardt kërkon një rishikim të policisë gjermane në lidhje me trajtimin racist të refugjatëve, për të parandaluar që gjëra të ngjashme të mos ndodhin në sektorë të tjerë…
 
Kryetari i sindikatës së policisë, Rainer Wendt, foli për një “rast serioz”. Nëse policë të tjerë kanë qenë të përfshirë, ose kanë qenë në dijeni të çështjes, atëherë me siguri që kjo do të ketë pasoja, tha Wendt në një intervistë me DW. Në të njëjtën kohë ai theksoi se sindikata po përpiqet, “që akuzën kundër një polici të mos e lejojë të kthehet në krizë kundër policisë”.
 
Një zëdhënës i ministrisë së Brendshme, i cili mbikqyr policinë federale, tha të hënën se akuzat janë “serioze”. Sqarimi i incidentit do të bëhet nga prokuroria në Hanover. Megjithatë qeveria mbështet hetimet “me gjithë fuqinë”. Deri tani është ende e paqartë, nëse ka viktima të tjera. /DW/ 
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit