Në formën si është prezantuar në projektligj, Gjykata Komerciale sipas shoqërisë civile, do të shkaktonte më shumë probleme sesa zgjidhje për lëndët komerciale në vend.
Në bazë të këtij projektligji, që është miratuar nga Qeveria e Kosovës më 22 qershor, të gjitha kontestet lidhur me çështjet ekonomike dhe konfliktet administrative në kontestet biznesore, në të ardhmen do të jenë kompetencë e Gjykatës Komerciale.
Por, Rreze Hoxha-Zhuja nga Grupi për Studime Politike dhe Juridike (GLPS), tha për Radion Evropa e Lirë se Gjykata Komerciale duhet të jetë pjesë unike e sistemit gjyqësor.
Sipas saj, krijimi i kësaj gjykate, në formën që është paraparë me projektligj, do të krijonte një gjyqësor të shkëputur, që do ta dëmtonte integritetin unitar të sistemit të apelit.
“Krijimi i një instance të dytë brenda Gjykatës Komerciale, do të kishte të njëjtin rezultat. Opsioni i propozuar për të përfshirë një departament të apelit brenda Gjykatës Komerciale, është i ngjashëm me krimin e Divizionit të Apelit në Mitrovicë”, tha Hoxha.
GLPS-ja përmes një hulumtimi ka gjetur tri probleme të këtij projektligji e që janë periudha e gjatë kohore e nevojshme për të zgjidhur një mosmarrëveshje (mesatarisht tre vjet), cilësia e pakënaqshme e aktgjykimeve të shqiptuara dhe struktura ekzistuese e gjykatës, e cila sipas studimit, nuk korrespondon me legjislacionin komercial në zhvillim dhe aktivitetin e biznesit privat.
Hoxha-Zhuja tha se thelbi i problemit nuk është struktura ose sistemi organizativ i gjykatës, por mosdija dhe mospuna e gjyqtarëve.
“Ne konsiderojmë që një argument i tillë nuk qëndron, meqenëse propozimi për themelimin e Gjykatës Komerciale nuk e zgjidh mosdijen e gjyqtarëve që do të punojnë ose do të angazhoheshin në këtë gjykatë”, tha Hoxha-Zhuja.
Projektligji që është miratuar në parim ditë më parë në Kuvendin e Kosovës, është kundërshtuar edhe nga partia opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).
Vokshi: Gjykata Komerciale ka mangësi thelbësore
Kundër themelit të Gjykatës Komerciale është shprehur edhe avokati, Urim Vokshi.
Vokshi, që zakonisht punon me biznese, tha për Radion Evropa e Lirë se Projektligji për Gjykatën Komerciale, ka mangësi thelbësore që mund të ketë pasoja për bizneset që janë në procese gjyqësore.
“Kjo ka të bëjë me mjetet juridike, pasi kufizohet ushtrimi i mjeteve juridike të bizneseve, për shkak se ndalohet paraqitje e kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë, pastaj kufizohet e drejta për mjetin e jashtëzakonshëm të rezivionit, vetëm për konteste në vlerë mbi 50 mijë euro”, tha Vokshi.
Problem tjetër sipas tij është dyshkallëshmëria e gjykatës.
“Në një formë indirekte e cenon të drejtën në mjet juridik të palëve për t’u shqyrtuar ankesa për një organi të pavarur, në rastet kur ushtrohet ankesa në shkallë të dytë, për shkak se prapë do të jetë vetë Gjykata Komerciale e cila do ta gjykojë ankesën e palëve në shkallë të dytë përmes dhomave të shkallës së dytë”, tha Vokshi.
Cili është funksioni i Gjykatës Komerciale?
Që nga viti 2017, Ministria e Drejtësisë ka filluar procedurat për themelimin e kësaj gjykate, që parashihet të jetë adresa e vetme për palët që kanë konteste të natyrës ekonomike.
Ushtruesi i detyrës së sekretarit në këtë ministri, Ardian Bajraktari, tha për Radion Evropa e Lirë se kjo gjykatë në radhë të parë do ta rrisë efikasitetin në shqyrtimin dhe vendosjen e lëndëve të kësaj natyre dhe do ta ngrehë edhe sigurinë juridike të bizneseve.
“Rrjedhimisht do të jetë një mekanizëm që do ta përmirësojë klimën e investitorëve potencialë sepse siguria juridike ka qenë dhe vazhdon të mbetet njëra prej çështjeve që e ka penguar këtë sektor, dhe të gjitha këto do të jenë në funksion të ngritjes dhe avancimit edhe të aspektit ekonomik dhe mirëqenies”, tha Bajraktari.
Kjo gjykatë do të funksionojë si gjykatë e specializuar, e ndarë në dy shkallë (Themelore dhe të Apelit), kompetente për gjykimin e kontesteve për çështjet komerciale dhe administrative në çështje komerciale, si dhe do të trajtojë kundërshtimet dhe ankesat në procedurat përmbarimore.
“Gjykata Komerciale do t’i ketë gjithsej 20 gjyqtarë si fillim, të ndarë në dy nivele, 13 prej tyre në nivelin Themelor ndërsa shtatë në atë të Apelit. Në kuadër të saj do të jetë edhe kryetari i gjykatës, i cili me automatizëm do të jetë edhe gjyqtar që do të marrë pjesë në shqyrtimin e lëndëve të kësaj natyre”, tha Bajraktari.
Gjykata Komerciale ka funksionuar edhe më herët në Kosovë, deri më 1 janar të vitit 2013.
Atëkohë ishte rekomanduar që të kalohet në sistemin aktual të gjyqësorit dhe të ketë një departament të specializuar për çështje ekonomike brenda Gjykatës Themelore në Prishtinë./REL