1.5 C
Pristina
Saturday, November 16, 2024

Mendësi laiciste – Justinian Topulli

Më të lexuarat

Na qëllon jo rrallë herë të dëgjojmë apo lexojmë njerëz laik, të cilët kujtohen pikërisht në evenimente festash fetare islame, që duke përdorur një gjuhë shekullariste shifrash, iu drejtohen besimtarëve dhe opinionit publik, se me milionat që harxhohen një herë në vit nga besimtarët muslimanë për të blerë kurbane apo për të shkuar në haxh, mund jepeshin për të ndërtuar kaq e aq shkolla, universitete, kopshte fëmijësh, spitale, laboratorë, fabrika, uzina, kombinate, ura e rrugë etj… E njëjta gjë shpesh e dëgjojmë të thuhet edhe për ndërtimin e xhamive, se nuk kemi nevojë për to, por për spitale e shkolla.
Ndërkohë nëse përdorim këtë logjikë, të njëjtën gjë mund të themi, bie fjala, për sa e sa miliona harxhohen nga njerëzit për kafe e çaj, e pije të tjera nëpër bare dhe klube? Nëse këto do të ishin kursyer, duke shmangur baret dhe klubet, sa shkolla do të ishin ndërtuar? Sa miliona harxhohen nëpër restorante, për dreka dhe darka, e nëse këto do të ishin bërë nëpër shtëpi, do të ishin kursyer me miliona, për të ndërtuar kushedi sesa spitale?
Të gjitha këto shpenzime mund të ishin reduktuar në maksimum duke shpenzuar më pak, për tu përdorur për aktivitete dhe objekte shumë më të dobishme, por kjo nuk ndodh, sepse do të thuhet se, njerëzit e sotëm kanë nevojë për një jetë sociale, që bëhet jashtë shtëpisë dhe familjes, dhe baret, klubet dhe restorantet janë të nevojshme për të përmbushur këtë kërkesë sociale të tyre.
Po, për veshjet luksoze, operacionet plastike, për parfumeri, parukeri e qendra të estetikës, sa miliona harxhohen, ndërkohë që nëse këto do të kurseheshin, sa universitete do të ishin ndërtuar?
Sigurisht që edhe këto shpenzime mund të ishin reduktuar në maksimum, por do të thuhet, se njerëzit e sotëm kanë nevojë të brendshme për një status social, për të tu dalluar, për tu ndjerë më mirë në shoqëri, kështu që këto shpenzime përmbushin këtë kërkesë të njerëzve modernë.
Po, për sportin, artin, pikturën, kinemanë, muzikën, teatrin, baletin, për botimin e romaneve, novelave, poezive, etj. sa miliona shpenzohen, që nëse do të kurseheshin në maksimum, kushedi sesa fabrika do të ishin ndërtuar dhe sa vende pune do të ishin hapur?
Padyshim që edhe këto shpenzime mund të ishin pakësuar në masë të madhe, por do të thuhet se, njerëzit e sotëm kanë nevoja emocionale dhe shpirtërore, dhe shpenzimi për këto gjëra përmbush pikërisht këto nevoja njerëzore.
Po, nëse edukojmë njerëzit t’iu largohen veseve dhe të braktisin duhanin, alkoolin, drogat dhe çdo gjë tjetër, për të cilat shpenzohen miliona si për t’i konsumuar, por edhe për të kuruar pasojat e tyre, sa qendra studimore dhe shkencore do të kishim ndërtuar? Por, do të na thuhet, se për fat të keq njeriu modern i duhet të përballet edhe me këto të këqija dhe koston e tyre.
Nëse do të vazhdonim më gjatë nuk do të linim asnjë aspekt të jetës njerëzore vetëm se do të gjenim në të shpenzime të tepërta, që nëse reduktoheshin dhe kurseheshin, do të ishin fituar aq shumë para, sa të mos ngelte më njeri mbi tokë që të vuante për bukën e gojës, e as një njeri i aftë pa u punësuar, dhe të mos kishte më asnjë nevojë për shkolla, e spitale, fabrika etj. Por, ja që jeta njerëzore nuk kufizohet vetëm në nevojën për edukim laik dhe për prodhim të mirash materiale, por ka nevojë edhe për aspekte të tjera të jetës, që nuk mund të përmbushen vetëm se duke shpenzuar për to miliona. Kështu që pse pikërisht disa pak miliona, që besimtarët muslimanë shpenzojnë në vit, për të kryer ritet e tyre fetare u dashka të vihen në tabelën e qitjes së laikëve, për tu kursyer për të plotësuar zhvillimin apo ndërtimin e projekteve, të cilat mund të sigurohen nga kursimet shumëfish më të mëdha, të sa e sa aktiviteteve boshe apo të dëmshme, që nuk i sjellin asnjë dobi njeriut, madje e rrënojnë atë në çdo aspekt?!
Ato pak miliona që harxhohen për kurban, të gjitha shkojnë në dobi ushqimore të sa e sa familjeve nevojtare, që se shohin mishin ndoshta me sy për muaj të tërë, ndërkohë që shpenzimet e këtyre shekullaristëve, që ankohen për shpenzimet e besimtarëve, festat dhe kremtimet e tyre për ushqim, veshje dhe dekor shkojnë me miliona, shumë herë më tepër sesa harxhohet për kafshët e kurbanit, edhe pse nga këto harxhime nuk përfiton pjesa tjetër e shoqërisë!
Sa miliona harxhohen çdo vit për turizëm dhe pushime jashtë vendit? Sigurisht që shumë herë më tepër sesa ato pak miliona që i duhet besimtarëve muslimanë për të shpenzuar për të shkuar në Mekë për haxh, ndërkohë që shumica e tyre vetëm një herë iu jepet mundësia ta kryejnë këtë udhëtim. A mund të krahasohen shpenzimet që bëjnë ai numër i kufizuar haxhinjsh, për të shkuar në Mekë, me shpenzimet që bëjnë me mijëra njerëz që shkojnë çdo vit për pushime jashtë shtetit? Nëse këta të fundit kanë nevojë për shplodhje mendore e fizike, ashtu edhe besimtarët kanë nevojë për rehati shpirtërore, që e gjejnë pikërisht në haxh.
Ashtu si shumë aktivitete njerëzore nuk mund të reduktohen në disa të tjera, edhe pse njeriu mund të jetojë shumë mirë edhe pa disa prej tyre, ashtu edhe adhurimet fetare nuk mund të reduktohen duke u kufizuar vetëm tek disa adhurime, sepse secili përmbush një kuptim dhe dimension të caktuar shpirtëror që nuk e përmbush tjetri. P.sh. atë që e bën falja e lutja, nuk e bën agjërimi, e atë që e bën agjërimi nuk e bën kurbani, e atë që e bën kurbani nuk e bën haxhi, e kështu me radhë. Ashtu siç njeriu ka nevoja të shumta në jetën materiale të kësaj bote, ashtu ai ka nevojë mbi të gjitha për shpëtimin e shpirtit të tij në botën tjetër dhe për paqen e shpirtërore në këtë bote, dhe këtë ja ofron adhurimi i Zotit, me të gjitha format e tij të larmishme. E këto nevoja nuk ia përmbushin aspak shkollat dhe spitalet, as laboratorët e fabrikat, në to ai nuk ka për të gjetur kurrë kuptimin e jetës, as kënaqësinë dhe paqen që gjen përmes këtyre adhurimeve, që kushtojnë kaq apo aq miliona. Xhamitë dhe adhurimet që i dedikohen Krijuesit edukojnë shpirtin njerëzor, dhe milionat që shpenzohen për to nga besimtarët janë shumë herë më pak, sesa ka nevojë njeriu i sotëm modern për të mbushur shpirtin e tij të zbrazët nga dilemat e shumta të epokës që jeton. Sigurisht që ndërtimi i shkollave, spitaleve, qendrave kërkimore etj. janë punë shumë e dobishme për shoqërinë njerëzore, por për to nuk ka pse të sakrifikohen nevojat shpirtërore individuale të besimtarëve, ndërkohë që duhet të sakrifikohen shpenzimet marramendëse për çmenduritë konsumatore, të tekave dhe dalldive të sotme njerëzore.
E pra, në thelb një mendësi e tillë, që kërkon reduktimin apo zëvendësim të shpenzimeve me karakter fetar adhurimi, në shpenzime për objekte laike sociale, nuk është vetëm standard i dyfishtë gjykimi, por është një formë tjetër propagandistike, e luftës ndaj fesë, vazhdimësi kjo e mentalitetit shekullar, por edhe komunist e ateist, se feja nuk na duhet dhe nuk na nevojitet. Edhe nëse tolerohet e drejta e çdo individi për të besuar, kjo sipas shekullaristëve, duhet të jetë një çështje thellësisht individuale dhe madje private, pse jo, mundësisht të jetë tërësisht e fshehtë dhe shpirtërore, duke mos dalë kurrë në hapësirën publike! Me fjalë të tjera, fundi logjik i kësaj kërkese do të thotë që, njeriu dhe jeta e tij duhet të shekullarizohen në çdo qelizë të saj. Për rrjedhojë nuk ngelet gjë tjetër veçse feja të flaket në koshin e historisë! Ky është qëllimi përfundimtar i të tilla parashtrimeve ekonomike ndaj aktivitetit fetar, edhe pse një pjesë, sigurisht për shkak se nuk e mendojnë gjatë, do ta mohojnë këtë qëndrim ekstrem, por e vërteta është se pikërisht këtu të shpien këto kërkesa dhe kjo mendësi laiciste.
Justinian Topulli
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit