0.9 C
Pristina
Monday, November 18, 2024

Kush e ka frikë Zotin, nuk e vret krijesën e Tij

Më të lexuarat

O njerëz! Në të vërtetë, Ne ju krijuam ju prej një mashkulli dhe një femre dhe ju bëmë popuj e fise, për ta njohur njëri tjetrin. Më i nderuari prej jush tek Allahu është ai që i frikësohet më shumë Atij. Vërtet, Allahu është i Gjithëdijshëm dhe për Atë asgjë nuk është e fshehtë(El Huxhurat, 13)
 
Opinioni i vendit, brenda një jave u përball me dy ngjarje tepër të rënda për shoqërinë tonë, për situatën tonë të përgjithshme edhe ashtu të brishtë. Sulmi banditesk mbi BFI-në e rrëqethi çdo njeri normal, ndërsa kjo që pasoi pastaj, në Kumanovë, na tmerroi të gjithëve.
 
Falë Zotit, kjo në BFI u tejkalua mirë e qetë, konform ligjeve të vendit. Uzurpatorët do të dalin jashtë. E lusim Zotin që edhe kjo në Kumanovë sa më shpejt të harrohet. Ndjej obligim moral që t’ju shpreh ngushëllimet e mia të përzemërta të gjitha familjeve që kanë humbur më të afërmit e tyre gjatë këtyre luftimeve në mes të forcave speciale të vendit dhe grupeve për të cilët askush nuk po sqaron se kush janë, nga janë dhe pse janë këtu.
 
Të gjithë qeniet e gjalla në botë janë krijesa të Zotit Fuqiplotë. Dhe, njerëzit, për dallim prej të tjerëve i pajisi edhe me logjikë, me arsye, me disiplinë, si qenie racionale i bëri të dallohen prej të gjitha krijesave të tjera. I bëri që të njihen me njeri tjetrin dhe t’i frikësohen Atij, kurse kjo frikë dëshmohet vetëm kur nisim të kultivojmë respekt, dashuri, tolerancë të ndërsjellë. Pra, jo urrejtje, jo plane konfliktuoze e shkatërrimtare. Ai i cili nuk e respekton krijesën më të përsosur të Allahut Mëshirëplotë, dhe e minimalizon atë deri në qenie të mbytshme, eliminuese, atëherë i ka shpallur luftë vetë Krijuesit. Ndaj të tillëve Zoti është i pamëshirshëm.
 
Të gjithë krijesat njerëzore para Allahut xh.sh. janë të njëjtë, ndërsa më i nderuari është vetëm ai që i frikësohet Atij. Sepse ai që e ka frikë Zotin, nuk do ta vrasë krijesën e Zotit, nuk do ta plagosë atë, nuk do ta mbajë peng, nuk do ta keqtrajtojë, nuk do ta fajësojë për kot, nuk do ta shtyp, nuk do ta okupojë. Nuk ka mjete e shpjegime që mund t’i justifikojnë këto masa represioni, këto mjete antinjerëzore, sepse Allahuxh.sh. sheh gjithçka, Ai di gjithçka.
 
Prandaj, apeloj te të gjithë ata që kanë kapur armët dhe që po zhvillojnë luftë në mes të popullatës së pafajshme, le të sundojë arsyeja dhe le të shpërndahen secili në vend të vet. Ata që vrasin, qoftë me dashje apo pa dashje, të shpjegohen para drejtësisë, para organeve gjegjëse të vendit. Ata që janë në mes të popullatës së pafajshme t’i mbajnë larg duart prej tyre dhe t’i lenë të qetë. Organet e rendit dhe të hetuesisë duhet të jenë shumë të kujdesshëm, tepër shumë objektivë ndaj qytetarëve që i kanë kapur dhe drejtësia të shkojë në vend për të gjithë njësoj. Nëse të gjithë institucionet me relevancë flasin se ky është një skenar atëherë le të apelojnë tek të gjithë njerëzit që të qëndrojnë sa më larg këtyre “gjellërave” të prishura dhe këtij apeli le t’ia bashkëngjisin dashurinë, harmoninë dhe tolerancën ndëretnike dhe ndërfetare por edhe përkujdesinë dhe drejtësinë e ndërsjellë pushtet-qytetarë.
 
Jemi një vend shumë i vogël, jemi tepër pak si qytetarë dhe, pothuajse tashmë njihemi të gjithë njëri me tjetrin. Ata që njihen, e ruajnë respektin dhe dashurinë për njëri tjetrin. Ata që nuk njihen, të tillëve duhet t’ju krijohen kushtet që sa më parë të njihen, sepse vetëm kësisoj shtohet dashuria, mirëqenia dhe bashkëjetesa. Atëherë jemi një, jemi një digë para çdo përpjekje përçarëse. Sado të jetë lumi i fryrë dhe i turbull, kur diga është e fortë, ai ujë qetësohet dhe kthjellohet.
 
Ndjej obligim moral që të apeloj tek popullata myslimane që të jenë të qetë, të mos manipulohen dhe të mos bien pre e skenarëve të ulëta, qofshin ato të brendshme apo të jashtme. Po ashtu apeloj edhe deri te organet e shtetit që po merren me sanimin e gjendjes, që të jenë të kujdesshëm në përdorimin e armëve dhe në trajtimin e qytetarëve të vendit, qofshin ata shqiptarë apo maqedonas. Nëse është skenar i jashtëm, atëherë qytetarët e vendit duhet të trajtohen si viktimë dhe jo tek ta të kërkohet “armiqësi ndaj shtetit”, ndërsa të gjithë atakuesit kundër rendit dhe sigurisë të përgjigjen konform ligjeve të vendit.
 
Gjëja e parë që na duhet për momentin është ndërprerja e menjëhershme e konfliktit me qëllim që mos të eskalojë më tej situata e nderë, ndërsa qytetarët të ngelin të qetë dhe ta ruajnë gjakftohtësinë. Tani, të gjitha subjektet, të gjitha komunitetet, të gjithë faktorët duhet të jenë me popullatën dhe të bashkëpunojnë në mes vete në funksion të kthimit të gjendjes paqësore. Vendit për momentin i duhet një shkallë më e lartë e kulturës politike si dhe apel dhe kushte për një dialog sa më të sinqertë. Interesat meskine politike nuk duhet t’i tejkalojnë interesat e qytetarëve të Maqedonisë. Për këta qytetarë nuk ka interes më të madh se sa paqa, dashuria, mirëqenia e bashkëjetesa. Ftoj që të ulemi dhe të merremi vesh përgjithmonë që bota të nis të na njohë si kreatorë unikatë të paqet e të bashkëjetesës në një shoqëri multietnike, multifetare e multikulturore, çfarë është shoqëria jonë në Maqedoni.
 
Si asnjëherë më parë, tani duhet të jemi të gjithë të pajtimit se, duhet të tejkalohen të gjitha mospajtimet politike brenda partiake si dhe në planin bilateral dhe, sa më parë të inkuadrohemi në shtëpinë e familjes evropiane (BE) dhe në shtëpinë e sigurisë së fuqishme (NATO). Vetëm brenda këtij kulmi nuk do të ketë më skenarë të këtilla, qofshin të brendshëm, qofshin të jashtëm.
 
H. Sulejman ef. Rexhepi
(Autori është Kryetari i BFI në RM)
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit