1.4 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

Të ndiqet MUP-i serb

Më të lexuarat

Përplasja që ndodhi më 1 qershor në veri të Kosovës edhe një herë vë në pah brishtësinë e sigurisë në Kosovë. Kërcënimi publik që shpërfaqin strukturat kriminale të Serbisë në Kosovë tregoi persistencë, pavarësisht lëshimeve që Kosova ka bërë përmes negociatave të padrejta e të pabarabarta me Beogradin, thuhet në reagimin e lëvizjes Vetëvendosje.

Ky kërcënim publik, që shfaqet përmes barrikadave, përmes spastrimit etnik të shqiptarëve që jetojnë në ato fshatra, përmes dhunës direkte dhe vrasjes së banorëve siç ndodhi në rastin e Selver Haradinajt, sipas Lëvizjes Vetëvendosje, nuk mund të paqtohet e nuk mund të zgjidhet përveçse duke shtrirë në ato zona kontrollin dhe sovranitetin shtetëror e institucional të Republikës së Kosovës.

“Ngjarjet e 1 qershorit konfirmojnë edhe një herë qëndrimin e drejtë të Lëvizjes Vetëvendosje se Kosova ka nevojë për ushtri të sajën. Janë disa aspekte të sigurisë që i përkasin policisë, por janë edhe ca të tjera që i takojnë ushtrisë. Policia ruan rendin publik, por integriteti territorial dhe mbrojtja e kufijve janë arsyeja pse ekzistojnë ushtritë. Kosova është i vetmi shtet në Ballkan që nuk ka ushtri. Dhe, Kosova është shteti më i rrezikuar në Ballkan, për shkak të apetiteve të Serbisë të cilat nuk janë teori konspirative, por janë shpallur haptazi. Shpallja dhe bërja e FSK-së ushtri do t’ia lehtësonte punën NATO-s”, theksohet në komunikatë.

Lëvizja Vetëvendosje, po ashtu e dënon sulmin mbi ushtarët e KFOR-it, dhe i dëshiron të lënduarve shërim sa më të shpejtë.

Ndërkaq, integrimi i veriut dhe bashkimi i Mitrovicës, sipas Vetëvendosjes, nuk duhet kuptuar vetëm si një çështje e lirisë së lëvizjes.

“Kjo është një çështje vitale për sigurinë dhe mirëqenien e popullit të Kosovës, e për këtë arsye duhen shkatërruar strukturat kriminale të Serbisë, duhet shporrur MUP-i prej andej, ndërsa paralelisht nevojitet një plan gjithëpërfshirës i zhvillimit ekonomik”.

“Duhet kuptuar se integrimi i vërtetë dhe i qëndrueshëm nuk është vetëm integrimi institucional, por edhe ai shoqëror. E këtë të fundit e garanton veçse zhvillimi ekonomik i përqendruar në prodhim e në punësim”.

Vetëvendosje edhe një herë ka bërë thirrje që të ndalen bisedimet për veriun, përderisa atje janë në veprim strukturat ilegale shtetërore të Serbisë, sepse këto bisedime – sipas kësaj lëvizjeje – paraqesin inkurajim për ato struktura dhe për vetë Beogradin.

“Sa i përket serbëve lokalë që nuk janë të përfshirë në ato struktura, me ta është e kotë të bisedohet për sa kohë i kanë strukturat armiqësore e kriminale të Serbisë mbi kokë. Problemet në Kosovë nuk vijnë nga mungesa e dialogut, por nga apetitet e Serbisë”, thuhet në komunikatën e VV-së

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit