8.2 C
Pristina
Friday, November 1, 2024

Investitorët në teknologji duhet t’i kushtojnë vëmendje qeverisjes së korporatave

Më të lexuarat

Investitorët në kompanitë e teknologjisë shpeshherë tolerojnë qeverisjet e dobëta të korporatave. Mund të pendohen për këtë në të ardhmen

 

Çdo cikël biznesi, pasi humbet vrullin, zbulon probleme që më vonë duken si të qarta. Njëzet vjet më parë, kur tregjet e aksioneve ranë së tepërmi, dolën në pah mashtrimet e kontabilitetit në Enron, një firmë për tregtimin e energjisë dhe WorldCom, kompani telekomunikacioni.

Edhe më pak të habitshme ishin zbulimet se shumë kompani ishin treguar të pakujdesshme. Veprimet e shefave të mëdhenj të General Electric dhe Vivendi, një grup mediatik francez, kishin penguar ecurinë e këtyre kompanive për dekada me radhë. Pas vitit 2008, dolën në dritë të pabërat e Wall Street dhe kompani si Lehman Brothers, Merrill Lynch dhe të tjera, u shembën nën peshën e humbjeve të mëdha dhe egove gjigante të shefave të tyre.

Parashikimi se cila mund të jetë viktima e radhës nuk është një punë e lehtë. Investitorët që kërkojnë të shmangin goditjet duhet t’i kushtojnë vëmendje të veçantë letrave me vlerë, kompanive dhe shefave që kapsulojnë bumin në ditët e sotme. Një fushë e rrezikut financiar është tregu i borxhit me yield të lartë. Në botën e korporatave, më e rrezikuara për një menaxhim të keq, është industria e teknologjisë.

Një arsye është energjia e madhe për gjithçka që ka të bëjë me teknologjinë. Recesioni i shkaktuar nga Covid-19 ishte një goditje e fortë për shumë pjesë të ekonomisë globale. Por një efekt anësor i pandemisë ishte zhvillimi i Silicon Valley dhe degëve të tij të ndryshme, duke përforcuar një vrull që ishte tashmë tepër i lartë. Të gjitha llojet e mëkateve dhe gabimeve, nga llogaritja e dyshimtë tek sjellja ekzekutive arrogante, kanë tendencën që të anashkalohen në kohë të mira. Siç është shprehur edhe Warren Buffett, vetëm kur dallga e madhe kalon, mund të shihet se kush ka notuar lakuriq.

Një arsye tjetër për të qenë të kujdesshëm ndaj firmave teknologjike, është financimi i mjaftueshëm për sipërmarrje të rrezikshme. Investitorët e dëshpëruar për nxjerrje fitimesh, kanë hedhur para në biznese me vlerësime të larta, por perspektivat e të cilëve nuk janë testuar aspak.

Didi Chuxing, kompani kineze transporti, mund të marrë një vlerësim prej mbi 100 miliardë dollarësh në një shitje të aksioneve të ardhshme, pavarësisht se ka grumbulluar 13 miliardë dollarë në humbje kumulative. Kjo dukuri është theksuar me përhapjen e kompanive të blerjeve për qëllime të veçanta, të njohura me emrin SPAC, të cilat janë të dizenjuara për t’u bashkuar me firmat private.

Arsyeja e tretë pse duhet pasur kujdes me kompanitë e teknologjisë, janë drejtuesit e tyre. Dotcom dhe kushërinjtë e tyre të korporatave, shpesh drejtohen ende nga themeluesit e tyre. Shumë prej këtyre drejtuesve, kanë aksione kontrolluese, falë të drejtave të votimit të zgjeruara. Këta sipërmarrës kanë prirjen që të kenë besim mesianik në aftësitë e tyre dhe një pasuri po aq të madhe. Përzierja e aftësisë kontrolluese, pasurisë dhe besimit në vetvete, i nxit ata që të shpërfillin të gjitha kritikat dhe t’i shohin rregullat si gjëra që janë krijuar për njerëzit e tjerë.

Një firmë që nxjerr në pah të gjitha këto shqetësime është SoftBank. Si investitori më i madh i teknologjisë në botë, me një vlerë tregu prej mbi 120 miliardë dollarësh, ajo ka qenë thelbësore në nxitjen e entuziazmit për firmat teknologjike. Disa nga bastet e saj, përfshirë Didi dhe Coupang, kampion i tregtisë elektronike në Korenë e Jugut, kanë qenë suksese të mëdha. Por, përveçse ka mbështetur suksese, dhe në mënyrë të pashmangshme edhe nisma pa vlerë, kompania japoneze ka ngecur në baltë me firma si Greensill, një huadhënës britanik që u shemb në fillim të këtij viti; WeWork, kompani zyrash me probleme; dhe Wirecard, firmë mashtruese financiare-teknologjike gjermane.

Kjo ngre pyetje se si drejtohet SoftBank. Edhe pse ka një strukturë tentakulare, firma i ngjan shfaqjes Masa, ku të gjitha vendimet e mëdha merren nga themeluesi dhe shefi i saj, Son Masayoshi. Kjo përfshin mënyrën e alokimit të kapitalit – firma po shpenzon aktualisht mbi 200 milionë dollarë në javë për të mbështetur kompanitë.

Kontrolli i rrezikut brenda firmës është i vogël. Fondi i saj i brendshëm mbrojtës, i quajtur dikur “Balena Nasdaq”, trazoi tregjet vitin e kaluar, duke çorientuar aksione të kompanive të ndryshme. Kompania është transformuar kaq shumë herë, saqë analistët e kanë të vështirë të kuptojnë se çfarë ndodh atje. Marrëveshjet midis firmës, fondeve, drejtuesve dhe partnerëve të saj, mund të krijojnë rrezikun e konfliktit të interesit.

Por SoftBank nuk është e vetmja. Ka qeverisje të dobëta edhe në firmat e tjera të teknologjisë. Transparenca mungon. Në kompanitë e mëdha teknologjike, kërkesat për shfaqjen e transparencës janë shumë më pak kërkuese sesa për bankat e mëdha: raporti vjetor i Facebook ka 129 faqe, krahasuar me 398 në bankën JPMorgan Chase. Disa drejtues ekzekutivë të Lordstown Motors, një startup i automjeteve elektrike, dhanë dorëheqjen pasi firma shpalosi informacione të pasakta. Këto struktura të dyfishta aksionesh, shpesh mundësojnë që themeluesit e lartë të mbajnë kontrollin.

Në teknologji, investitorët aktivistë kanë relativisht pak ndikim. Ardhja e tyre do të përmirësonte sadopak standardet e qeverisjes së korporatave, duke nxitur bordin e menaxhimit për një vëzhgim më rigoroz (siç ka Elliott në SoftBank). Në mungesë të tyre, aksionerët dhe kreditorët konvencionalë duhet të jenë vigjilentë. Sepse kur të kalojë dallga, siç do të ndodhë pa dyshim një ditë, investitorët që i kushtuan vëmendjen më të madhe gjatë ditëve të vrullit, do të shpërblehen.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit