3.6 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Rreth 15 mijë euro për “çmimin” e blerë

Më të lexuarat

Autoritetet e Universitetit të Prishtinës nuk ishin mashtruar nga “Business Initiative Direction” (B.I.D.), kur i ishin përgjigjur pozitivisht kësaj skeme për të marrë një “çmim”. Menaxhmenti e dinte se “çmimin” po e blinte.

“Koha Ditore” ka siguruar të premten një kupon shpenzimi që UP-ja ka bërë për të. Në kupon është evidencuar shuma prej 3900 eurosh që alokohet tek shitësi “Business Initiative Direction”. Alokimi ishte bërë më datën 25 maj.

Tri ditë më vonë me “trofe” në dorë do të shihej rektori Mujë Rugova në një ceremoni të organizuar në New York, gjatë së cilës u janë ndarë “çmimet” të gjithë blerësve gjithandej globit, që në numër ishin 117. Të “shpërblyerit” nëpër vite, që i ka parë gazeta, janë kryesisht biznese nga Kina, Rusia apo India.

Rugovës ia kanë bërë edhe një foto gjatë momentit të ndarjes së “çmimit”, ngaqë edhe ky shërbim mbulohej si kundërvlerë e 3900 eurove që kishte ndarë UP-ja. Po kështu, organizatori për pjesëmarrësin e subjekteve që kishin blerë “çmimet” kishte siguruar edhe një dhomë hoteli, një drekë gala, një certifikatë dhe pullën e fituesit. Edhe një DVD me foto dhe xhirime të bëra në ceremoni u është dhënë pjesëmarrësve.

UP-ja e ka publikuar me pompozitet këtë “çmim”, duke thënë se këtë e meritonte, ngaqë ishte vlerësuar për cilësi.

Nga UP-ja ishin pjesëmarrës në ceremoni dy përfaqësues. Rektorin Rugova e kishte shoqëruar zëvendësi i tij, prorektori Naser Mrasori. Për këtë udhëtim UP-ja a ka dhënë hiç më pak se 7000 euro si avancë të dyve. Megjithëkëtë, në arsyetimin e vendimin që mban firmën e prorektorit Enver Kutllovci, kurrkund nuk përmendet pjesëmarrja në ceremoninë e B.I.D.

Ditë më parë, sipas një komunikate të lëshuar nga Lëvizja Studentore për Barazi “Studim, Kritikë, Veprim”, Business Initiative Direction (Drejtimi për Nismat Biznesore), është e njohur për mashtrimet që i ka bërë më herët. Rasti më i hapur është kur B.D.I. i ka dërguar mesazh të tillë një kompanie nga Botswana, për performancë të mirë biznesore në vitin 2010.

“Por, problemi ishte që kjo kompani nuk punonte që nga viti 2003”, thanë në SKV.

Sipas SKV, ajo që kërkon B.D.I. nga viktimat e mashtrimit të saj, është pagesa prej minimum 3.800 euro për ta blerë medaljen dhe pjesëmarrjen në një gala mbrëmje ku ndahen çmimet, për ata që i kanë blerë ato.

SKV vlerësonte se është e turpshme se si udhëheqësi i institucionit kryesor të Arsimit të Lartë në Kosovë bënë gafa të tilla.

“Në vend se ai të ishte një intelektual që zhvillon mendimin kritik në Kosovë, ai bëhet palaço i mashtrimeve. Mujë Rugova, në fund të mandatit të tij të paligjshëm si Rektor i UP-së, më çdo kusht po mundohet të krijojë e të marrë çmime. Ai së fundmi ia dha vetes titullin ‘Profesor Emeritus’, ndërsa tani e pranoi medaljen e artë të mashtrimit”, thuhej në reagimin e Lëvizjes Studentore për Barazi, SKV.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit