Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka mbërritur në Tel Aviv për bisedime me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu në lidhje me armëpushimin e arritur javën e kaluar, pas 11 ditësh luftime në Gaza dhe Izrael mes forcave izraelite dhe militantëve palestinezë.
Blinken ka thënë se udhëtimi i tij në Lindje të Mesme ka për qëllim mbështetjen e përpjekjeve për të mbajtur armëpushimin mes Izraelit dhe militantëve të Hamasit që udhëheqin me Rripin e Gazës.
Sekretari Blinken do të qëndrojë edhe në Bregun Perëndimor ku do të takojë presidentin e autoritetit palestinez, Mahmud Abbas, ndërsa më pas do të shkojë në Egjipt dhe Jordani. Diplomati i lartë amerikan nuk do të takohet me përfaqësuesit e Hamasit. Perëndimi e cilëson këtë grup si terrorist.
Autoritetet izraelite kanë thënë se po lejojnë furnizimin e Gazës me ilaçe dhe ushqime. Edhe SHBA-ja ka premtuar ndihma për Gazën, mirëpo në atë mënyrë që të mos bien në duart e Hamasit.
Nga luftimet më të ashpra në vitet e fundit mes Izraelit dhe palestinezëve janë vrarë më shumë se 250 njerëz, kryesisht palestinezë.
Presidenti amerikan, Joe Biden, ka thënë para nisjes së Sekretarit Blinken në rajon se ai do të përsërisë “angazhimin e fortë të SHBA-së për sigurinë e Izraelit” dhe do të “vazhdojë përpjekjet për të rindërtuar lidhjet dhe mbështetjen për popullin palestinez dhe udhëheqësit e tij”.