Palestinezi 16-vjeçar Saeed Odeh, i cili u martirizua në sulmin e ushtarëve izraelitë në Odala pranë qytetit të Nablusit në Bregut Perëndimor të pushtuar, ishte një lojtar i mirë futbolli, por plumbat e ushtarëve izraelitë ia shuan ëndrrat, shkruan Anadolu Agency (AA).
Forcat izraelite intensifikuan valën e bastisjeve dhe ndalimeve në rajon me arsyetimin e kërkimit të autorëve pas një sulmi të armatosur ndaj kolonëve hebrenj në pikën e kontrollit ushtarak izraelit Zaatara, pranë qytetit të Nablusit në Bregun Perëndimor, më 2 maj.
Odeh, i cili ishte vetëm 16 vjeç, u vra gjatë kësaj vale sulmesh nga zjarri i hapur nga ushtarët izraelitë në qytezën Odala në Nablus, ku ai jetonte.
Odeh, një futbollist i mirë, ëndërronte të bëhej lojtar me famë botërore. Për ta realizuar këtë ëndërr, ai u regjistrua në një akademi futbolli në Nablus.
Ëndrra e Odeh-s, i cili mori pjesë në shumë turne futbolli të mbajtura në Jordani dhe Turqi, u shkatërrua nga ushtarët izraelitë pa ndonjë arsye, sipas organizatës ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.
“Lajmi i martirizimit ishte shumë i madh për ne”
Babai Yusuf Odeh, tha për AA: “Saeed kishte marrë pjesë në një kampionat të mbajtur në Turqi muajin e kaluar dhe para kësaj në një turne tjetër në Jordan. Ai ishte një entuziast i futbollit”.
Duke treguar se djali i tij u vra me gjakftohtësi nga ushtarët izraelitë, babai i pikëlluar deklaroi: “Djali im po përgatitej të merrte pjesë në një kampionat arab që ishte planifikuar të mbahej në Sharm al-Sheikh të Egjiptit muajin tjetër, por ata e vranë”.
Babai Odeh tha se nuk mund ta besonte lajmin e martirizimit të djalit të tij.
“Lajmi i martirizimit ishte shumë i madh për ne. Në fillim nuk mund ta besoja. Por ky ishte caktimi i Zotit”, theksoi ai.
“Ata e ekzekutuan djalin tim pa gjyq. Çfarë kërcënimi u paraqiti Saeed-i atyre të armatosur që e vranë atë me gjakftohtësi? Ata gjithashtu parandaluan që ekipet e ndihmës së shpejtë të arrijnë tek ai”, tha Odeh, duke nënvizuar pamëshirshmërinë e ushtarëve izraelitë.
“Ëndrra e tij ishte futbolli”
Ndërkaq, Ahid Abdurrahim, trajneri i dëshmorit palestinez, u shpreh: “Ëndrra e Saeed-it ishte futbolli. Ai ishte lojtar shumë i mirë dhe adhurues i futbollit. Ai ndiqte nga afër gjithçka në lidhje me lojën”.
Abdurrahim kujton se Odeh u regjistrua në Akademinë Gjermane të Futbollit Pele në Nablus pesë vjet më parë dhe tha se ai mori pjesë në shumë turne futbolli.
Sipas tij, i mituri palestinez Odeh ëndërronte të bëhej yll i famshëm futbolli.
“Ushtarët izraelitë shuan një yll futbolli të sapolindur në Bregun Perëndimor”, tha ai.
16-vjeçari Odeh, i cili u martirizua nga ushtarët izraelitë të mërkurën, 5 maj, u varros të enjten në Odala të Nablusit, vendlindjen e tij. Mijëra palestinezë morën pjesë në ceremoninë mortore në Odala, ndërkohë që trupi i dëshmorit palestinez u varros me tekbire dhe parulla.
Dënim nga Lëvizja Botërore për Mbrojtjen e Fëmijëve
Në një deklaratë me shkrim nga Dega Palestineze e Lëvizjes Botërore për Mbrojtjen e Fëmijëve, u dënua vrasja e Odeh-s nga forcat izraelite.
Në deklaratë u theksua se ushtarët izraelitë që bastisën qytezën Odala e vunë në shënjestër Odeh-n me plumba të vërtetë, edhe pse ai nuk ishte pjesë e incidenteve.
Deklarata theksoi se palestinezi 16-vjeçar nuk përbënte ndonjë kërcënim për ushtarët dhe ai është fëmija i dytë palestinez që martirizohet nga ushtarët izraelitë që nga fillimi i këtij viti.
Reagim nga Autoriteti Palestinez
Ndërkaq, Ministria e Jashtme palestineze dënoi vrrasjen e Odeh-s në një deklaratë me shkrim, kurse Presidenca e Palestinës reagoi ndaj Izraelit.
Zëdhënësi i presidencës, Nebil Abu Rudeineh, deklaroi se Izraeli “këmbëngul të ndjekë politikën e ekzekutimit jashtëgjyqësor” dhe theksoi që administrata e Tel Avivit “nuk respekton të drejtën ndërkombëtare dhe të drejtat e njeriut”.
Abu Rudeineh i ka bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të sigurojë mbrojtje për popullin palestinez.
Ministria e Punëve të Jashtme kërkoi nga Gjykata Ndërkombëtare Penale të përmbushë përgjegjësitë e saj. Ministria theksoi që kjo gjykatë duhet të përshpejtojë hetimin e krimeve të pushtuesit izraelit në Kudsin Lindor, Rripin e Gazës dhe Bregun Perëndimor, veçanërisht martirizimit të Odeh-s. /aa