-4.3 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Çështja e të pagjeturve, familjarët fajësojnë politikën

Më të lexuarat

Dy dekada pas përfundimit të luftës në Kosovë vazhdon të mbetet e pazgjidhur çështja e fatit të mbi 1600 personave të pagjetur. Familjarët që jetojnë në ankth fajësojnë politikën që është bërë shumë pak për më të dashurit e tyre ndërsa thonë se nuk kanë shumë besim të institucionet. Sipas tyre, në disa raste pushteti lokal nuk ka as të dhëna për numrin e të pagjeturve.

Zyrtarë të Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur presin që muajin e ardhshëm të vazhdojnë gërmimet për gjetjen e mbetjeve mortore, ndërsa përfaqësuesit e familjarëve të të pagjeturve kërkojnë që në dialogun në Bruksel, pala kosovare të mos shkojë pa e pasur dokumentacionin e plotë për të pagjeturit.

Udhëheqësi i njësisë në kuadër të Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur, Kushtrim Gara, tha për KosovaPress se më 5 maj të këtij viti pritet të rifillojnë gërmimet në territorin e Serbisë ku dyshohet për varreza masive të shqiptarëve të vrarë e të zhdukur nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë.

Ai kujton se këto gërmime ndaluan vitin e kaluar për shkak të kushteve klimatike.

“Gjatë vitit të kaluar kemi qenë të fokusuar edhe në Kishevac të Rashkës në territorin e Serbisë dhe në këtë rast gërmimet vlerësuese në lokacionin Kishevac janë ndërprerë për shkak të kushteve klimatike dhe presim që këto ditë, në javën e ardhshme si opsion është edhe data 5 maj, po do të shohim varësisht prej kushteve klimatike. Po flasim për një lokacion mjaft specifik, një zonë malore e ish-minierës që ka pasur ndërhyrje të vazhdueshme në këtë hapësire”, tha Gara.

Sipas Garës, këtë vit pritet të fillojnë gërmimet edhe në disa rajone të Kosovës, si ai i Gjakovës, Prizrenit dhe Mitrovicës.

“Lokacioni në lagjen ‘Brekoc’ të Komunës së Gjakovës për të vazhduar më pas gërmimet në lagjen ‘Arbanë’ të Komunës së Prizrenit dhe së shpejti besoj që në fund të kësaj jave të ketë gërmime në një lokacion në varrezat në Mitrovicë”, tha Gara.

Ndërsa, kryetari i Qendrës Burimore për Personat e Zhdukur, Bajram Qerkini, tha se kanë mbetur në terr të plotë, me shpresat se fati i fëmijëve të tyre një ditë do të dalë në dritë.

“Ne si Qendër Burimore kemi vizituar diku 15 komuna e pushteti lokal nuk e di edhe sa e ka numrin e të pagjeturve. Pushteti qendror e ka kap politikën përpara dhe karriget dhe ne kemi mbetur në terr të plotë qe 21 vjet, jemi në terr duke jetuar edhe duke parë ëndrra për fëmijët tanë kur do t’i gjejnë apo kush do të na ndihmojë t’i gjejmë”, tha ai.

Qerkini për dialogun me Serbinë kërkon që ky proces të mos vazhdohet pa dokumentacion të kompletuar për të pagjeturit.

“Me armikun tonë që ka qenë i përbetuar t’i shfarosë shqiptarët pa u ul nuk bëhet, por kur është çështja e të pagjeturve, është gjynah të shkohet pa imazhe satelitore dhe pa dokumentacion të kompletuar”, tha ai.

Kryetari i Këshillit Koordinues për të zhdukurit dhe krime lufte në Kosovë, Ahmet Grajqevci kërkon nga qeveria e re që të mos ndërrohet stafi i Komisionit qeveritar për të zhdukurit, dhe ekspertët e trajtuar për këto çështje.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit