Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka diskutuar me Zëvendës-ndihmës Sekretarin amerikan të Shtetit, Matthew Palmer dhe ambasadorin amerikan në Kosovë, Philip Kosnett për procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Njoftimi për këtë bisedë është bërë nga ana e ambasadorit Kosnett përmes një postimi në rrjetin social Twitter ku ka theksuar se “procesi i dialogut i udhëhequr nga BE-ja mbetet thelbësor për suksesin ekonomik të Kosovës dhe integrimin Euro-Atlantik”. Përpjekjet për vazhdimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë janë intensifikuar. Të hënën në Bruksel ka qëndruar presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ndërsa të martën për takime me zyrtarët e lartë të BE-së, udhëton kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell tha se pret që sa më shpejt të arrihet një marrëveshje për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës e Serbisë, sado e vështirë që të duket arritja e saj. Pas bisedës me presidentin Vuçiq, Borrell e përmendi si datë të mundshme për rifillimin e dialogut, 11 majin. Por, përmes një reagimi në Prishtinë, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu tha se kjo datë nuk është dakorduar me zyrën e kryeministrit të Kosovës. Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara mbeten të angazhuara në mbështetje të vendeve të Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre të integrimit evropian dhe antarësimit në institucione kyçe evropiane dhe auroatlantike, thuhet në një deklaratë të zëdhënësit të Departamentit të Shtetit, Ned Price, transmeton Zëri i Amerikës. Në dokument, zëdhënësi Price shpreh mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për dialogun me ndërmjetësimin e BE-së dhe u bën thirrje palëve të riangazhohen në proces me një frymë të nevojës urgjente për të adresuar temat teknike dhe politike. “Ne do të punojmë me Serbinë dhe Kosovën për të zbatuar angazhimet e Uashingtonit në mbështetje të synimeve për normalizim të plotë,” thuhet në deklaratë. Deklarata vijon më tej se “Shtetet e Bashkuara mbeten të gatshme të mbështesin përpjekjet për një marrëveshje detyruese, gjithëpërfshirësie për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, të bazuar tek njohja e ndërsjelltë, e cila të shërbejë si themel për bashkëpunim dhe begati të qëndrueshme”. Procesi i dialogut Kosovë-Serbi ka nisur në vitin 2011 me bisedimet për çështje teknike, ndërkaq në vitin 2012 kishte evoluuar në bisedime politike për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, me përfaqësim të nivelit të lartë politik, ndërmjet kryeministrave dhe presidentëve të të dyja vendeve. Gjatë dhjetë vjetëve të dialogut Kosovë-Serbi, besohet se janë arritur mbi 30 marrëveshje, ndonëse autoritetet në Prishtinë dhe në Beogradi, flasin me shifra të ndryshme për këto marrëveshje. Në mesin e marrëveshjeve të arritura është edhe ajo për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, për formimin e së cilës, tashmë ekziston kontesti ndërmjet vetë palëve që e kanë arritur atë. Bashkimi Evropian synon të arrijë një marrëveshje gjithëpërfshirëse në të cilën do të zgjidheshin të gjitha çështjet mes dy vendeve. Pas një pezullimi gati 2 vjeçar, bisedimet ndërmjet dy vendeve gjatë vitit 2020 patën rifilluar, por ato sërish u ndërprenë për shkak të zgjedhjeve në Kosovë që u mbajtën më 14 shkurt.
rel/