Institucionet shtetërore në Maqedoni nuk e njohin gjuhën shqipe
Qeveria, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Financave, Ministria e Transportit dhe Lidhjeve, Ministria e Shëndetësisë, Ministria për Shoqëri Informative e shumë institucione tjera qeveritare nuk e kanë gjuhën shqipe si opsion të faqeve të tyre zyrtare, ku gjithçka shkruhet vetëm në maqedonisht, ose në anglisht.
Të pyetur nga gazetarët, ministrat kanë arsyetuar se nuk kanë kapacitete njerëzore për përkthimin në kohë të dokumenteve apo edhe faqeve online. Disa madje, kanë arritur deri aty sa kanë thënë se ligji nuk i detyron ata që të përdorin edhe gjuhën shqipe, raporton portali “Vatra”.
Partia shqiptare në pushtet, BDI, edhe pse si qëllim kryesor e kishte zyrtarizimin e shqipes, edhe pas rreth 14 viteve në skenën politike nuk e ka mbajtur premtimin dëshiruar. Megjithatë, ajo bën fushatë dhe kërkon vota për zyrtarizimin e saj, transmeton shekulli.
Shqipja zyrtare në Maqedoni përdoret vetëm nëpër institucionet e pushtetit lokal, në komunat e udhëhequra nga shqiptarë. Gjuha Shqipe nuk respektohet as në Radio Televizionin e Maqedonisë, institucion që mbahet nga paratë e mbledhura edhe nga taksapaguesit shqiptarë.
Në kanalin e tretë të këtij Televizioni ku transmetohen mbledhjet dhe seancat e Kuvendit të Maqedonisë, ku edhe pse deputetët shqiptarë flasin në gjuhën shqipe, shikuesit nuk e dëgjojnë atë pasi ajo transmetohet e dubluar në gjuhën maqedonase./mszh