2.2 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Sirianët e zhvendosur me forcë kundërshtojnë zgjedhjet presidenciale të regjimit të Assadit

Më të lexuarat

Popullata që u strehua në Idlib të Sirisë duke u zhvendosur me forcë pas sulmeve të regjimit të Bashar al-Assadit, nuk i konsideron legjitime zgjedhjet presidenciale që është duke i përgatitur regjimi.

Regjimi i Assadit duke e injoruar procesin politik që vazhdon me punimet e Komitetit Sirian të Kushtetutës nën mbikëqyrjen e Kombeve të Bashkuar (OKB), në një atmosferë ku miliona sirianë kanë braktisur vendin dhe zhvendosur brenda vendit, është në përgatitje për të organizuar zgjedhje presidenciale muajin e ardhshëm.

Anadolu Agency (AA) i intervistoi banorët e Idlibit në lidhje me zgjedhjet presidenciale.

Abdullah Muhsin, i zhvendosur nga rrethi Saraqib në verilindje të Idlibit, tha se zgjedhjet që do t’i organizojë Assadi që e ka vrarë popullin e tij dhe ka zhvendosur miliona nuk është legjitime.

Ndërsa Omer Shaban theksoi se absolutisht janë duke refuzuar zgjedhjet që do t’i organizojë regjimi i Assadit.

“Është e papranueshme që regjimi i cili ka vrarë popullin e tij dhe ka zhvendosur miliona civilë të organizojë zgjedhje. Assadi është armiku i popullit dhe vrasës”, u shpreh ai.

Gjithashtu edhe Ismail Bitar nga Homsi, theksoi se zgjedhjet që do t’i organizojë regjimi, nënën dhe babain e të cilit e ka vrarë, vëllain e ka burgosur dhe ka zhvendosur miliona civilë nga shtëpitë e tyre, nuk është legjitime.

“Civilët që jetojnë nën kontrollin e regjimit nuk mund t’i plotësojnë nevojat e tyre. Zgjedhja në të cilën populli do të jetë nën presion nuk ka legjitimitet”, tha Bitar.

“Njëri i cili masakron fëmijët me armë kimike, zhvendos popullin me forcë dhe u shkakton që të jetojnë në kampe, është asgjë përpos një vrasës. Regjimi i Assadit bëri çdo lloj bombardimi për t’i ushtruar presion popullit. Torturoi civilët në burgjet”, tha një i zhvendosur me forcë tjetër, Firas Alivyi.

Ndërsa sipas Muhammed Ubeyid, i cili ka migruar nga qyteza Telminnis në jug të Idlibit, potencoi se “Zgjedhjet që do t’i organizojë regjimi i cili ka sjellë terroristë nga e gjithë bota përfshirë nga Rusia dhe Irani për të vrarë popullin, nuk janë të vlefshme”.

Ai u bëri thirrje civilëve që jetojnë nën kontrollën e regjimit që të mos marrin pjesë në zgjedhjet.

Ndërkaq Yamin Rahim tha se Assadi duhet të braktis vendin. “Regjimi i Assadit i zhvendosi me forcë civilët. Masakroi fëmijët. Shkatërroi infrastrukturën e vendit. Ai është një vrasës. Armik i njeriut. Prandaj kundërshtojmë zgjedhjet që do të mbahen”, u shpreh Rahim.

Regjimi Assadit shkon në zgjedhje duke e bllokuar procesin politik

Regjimi i Assadit i cili njoftoi se zgjedhjet presidenciale do të zhvillohen më 26 maj, deri më tani shkoi në 6 zgjedhje gjatë luftës së brendshme që ka lënë pas 10 vite.

Përderisa vazhdojnë përpjekjet intensive për përfundimin e krizës në Siri, regjimi i Assadit në çdo mundësi minon këto hapa duke i bërë ato të jenë të pasuksesshëm.

Që nga viti 2012, regjimi i Assadit, duke mbajtur një qëndrim pa kompromis në negociatat për përfundimin e luftës së brendshme në vend dhe formimin e një qeverie të përkohshme, gjatë kësaj periudhe shpesh herë shkoi në zgjedhje “sa për sy e faqe”.

Regjimi i Assadit, së fundmi vitin e kaluar, në një periudhë kur vazhdonin negociatat e komitetit kushtetues, pavarësisht protestës së opozitarëve, pjesëmarrjes së ulët dhe kundërshtimeve ndërkombëtare, demonstroi edhe një herë kundërshtimin e tij ndaj procesit politik duke mbajtur zgjedhje parlamentare “pa votues”.

Edhe negociatat e Komitetit Kushtetues Sirian nën mbikëqyrjen e OKB-së janë gjithashtu të bllokuara për shkak të qëndrimit të regjimit të Assadit. Së fundmi, komiteti ishte takuar për raundin e 5-të të mbledhje më 25-29 janar, duke përfunduar në dështim për shkak të qëndrimit pa kompromis të regjimit.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit