Një iniciativë parlamentare mëton të kufizojë numrin e vendeve të punës që zyrtarët mbajnë gjatë ushtrimit të funksionit publik, shkruan sot Koha Ditore.
Por pritjet janë të vogla që iniciativa të marrë fuqinë e normës. Kjo për faktin se amendamenti që përmban kufizimet, prek në xhepin e shumë prej deputetëve, votat e të cilëve vendosin nëse një ligj votohet ose jo. Deputetët e Komisionit për integrime evropiane janë të parët që i kanë gjetur “behane” amendamentit.
Në shoqërinë civile kanë paralajmëruar se vetë liderët politikë kanë interes ta stopojnë këtë normë.
E në Agjencinë Kundër Korrupsion kanë shtruar nevojën që të bëhet një presion më i madh publik, në mënyrë që amendamenti akoma të fuqizohet dhe të kalojë në Kuvend.
Kufizimi planifikohet të bëhet nëpërmjet ndryshimeve në Ligjin për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik. Ai ka kaluar nga Qeveria në Kuvend dhe një amendament për këtë çështje e ka bërë Komisioni parlamentar për legjislacion.
Deputetja Albulena Haxhiu, që është kryetare e Komisionit, ka thënë të kenë qenë ndryshime teknike ato që i kishte sponsorizuar Qeveria dhe se ka iniciuar fuqizimin e ligjit përmes amendamentimit. Në llogari të kësaj, Komisioni ka formuar një grup pune.
Komisioni ka hartuar edhe një raport për amendamente, një kopje të të cilit e ka siguruar gazeta./Kohaditore