-0.9 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Intervistë me Kryekëshilltarin e Presidentit të Turqisë: Jo vetëm Erdogani, por të gjithë turqit kanë simpati për shqiptarët

Më të lexuarat

Almakos ka arritur të realizoj intervistë ekskluzive me Sabri Demirin, kryekëshilltar i Presidentit të Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan. Gjithmonë është sikurse hije e tij, e shoqëron kudo dhe këshillon për çështje të ndryshme. Por, si ka arritur deri në këtë pozitë shqiptari Demiri, si ka qenë rruga e tij, përkushtimi, peripecitë, tregon në bisedën që kemi realizuar së bashku. Sigurisht se flasim edhe për çështje shumë të rëndësishme që kanë të bëjnë me raportet e Turqisë me Ballkanin. Ndaj, ju ftojmë ta lexoni këtë bisedë të rëndësishme në vijim.

INTERVISTOI: Emad MEHMETI

Almakos: Z. Sabri Demiri na tregoni pak për hapat e para të juaja, por edhe se si filloi karriera në Turqi?

Sabri Demiri: Jam lindur në Shkup ku kam mbaruar shkollën fillore dhe Medresenë e Isa Beut. Baba im është zanatçi dhe ka dyqan në Çarshinë e Shkupit. Aty mësova zanatin e saraçit, kurse çarshia, siç e dini është shkollë në vete. Pas mbarimit të medresesë studimet i vazhdova në Sarajevë por për shkak të luftës në Bosnjë ndërpreva me studimet për të vazhduar në tokat arabe dhe Turqi. Në Shkup mësova shqipen, turqishten dhe gjuhën maqedonase, kurse në Bosnjë boshnjakishten. Nga medreseja i mësova bazat e gjuhës arabe që më ndihmoi të vazhdoj studimet në tokat arabe. E gjithë kjo më mundësoi të mësojë mentalitetet e popujve të ndryshëm, gjuhën e tyre, veset dhe zakonet. Angazhimi im filloi në vitin 2009 kur u emërova këshilltarë për media e pastaj si këshilltarë në qeveri, ndërsa më pas si këshilltarë i Kryeministrit z.Rexhep Taip Erdogan e së fundmi si Kryekëshilltarë i Presidentit.

ALMAKOS: A keni pasur pengesa në rrugën tuaj?

Sabri DEMIRI: Realisht, kur udhëhiqesh nga ambiciet dhe motivet e larta kalimi i çdo pengese të bën të fortë. Sa i përket bashkëpunëtorëve të mi dhe rrethit gjithmonë kam hasur në mirëkuptim dhe përkrahje. Sikur se çdo fillim ka pas vështirësi, por me kohë të gjitha pengesat tejkalohen dhe ato të bëjnë më të fortë dhe të japin një përvojë të re e cila më pas të ndihmon punën që bën. Unë jam tepër falënderues bashkëshortes sime e cila është nga Turqia dhe fëmijëve të mi që më përkrahën pa masë dhe ishin afër meje në çdo kohë.

ALMAKOS: Jeni shqiptari i parë i Turqisë moderne që keni arritur postin e kryekëshilltarit të Presidentit! Si u bë e mundur kjo?

Sabri DEMIRI:
Mirë që e potencuat e Turqisë moderne, pasi në historinë e lavdishme të Perandorisë Osmane, Turqia ka qenë shtëpia e të gjithëve ku vlen të përmendim numrin e madh të shqiptarëve që kanë udhëhequr me poste të larta shtetërore duke filluar nga Sadër Azamat, vezirët e deri te pashallarët e bejlerët, pa dallim feje dhe kombësie. Besoj se për këtë duhet të japin përgjigje ata të cilët më emëruan, por unë e kam ndje veten të privilegjuar si shqiptar të jam afër kryetarit të Turqisë zotit Rexhep Taip Erdogan, meritat e të cilit janë vendimtare për këtë pozitë. Besoj se përkushtimi im i sinqertë dhe njohuritë paraprake mbi rajonin e Ballkanit dhe njohja e gjuhëve të popujve që jetojnë në të e lehtësoi pozitën time të tanishme.

ALMAKOS: Sa është stresuese përgjegjësia që të këshilloni një nga njerëzit më me ndikim në botë siç është në këtë rast Kryetari Rexhep Taip Erdogan?

Sabri DEMIRI: Turqia njihet me diplomacinë e saj të thuktë me çka tentohet perfeksioni. Këtu edhe detaji më i imët është i rëndësishëm, si për shembull në takimet tona jashtë Turqisë, protokolli bën organizimin e përkryer sipas agjendës për secilin takim prej Turqisë mbahen flamujt e shteteve me të cilët do të mbahet takimi dhe në këtë mënyrë evitohen lëshimet eventuale në protokoll. Unë gjatë kohë jam me Kryetarin edhe në kohën kur ishte Kryeministër i Turqisë dhe shpesh herë mjafton një shikim ose gjest që të kuptohemi. Kryetari është strateg dhe vizionar i madh e unë mundohem ta jap maksimumin për të kryer detyrën time, e mund ta paramendoni se sa është e gjithë kjo punë stresuese dhe me përgjegjësi të madhe.

ALMAKOS: Si janë raportet e shtetit Turk me vendet Ballkanike?

Sabri DEMIRI: Turqia me vendet ballkanike e lidh nyja historike edhe kulturore. Në çdo vend ballkanik Turqia është prezente me investimet e saja në kulturë, infrastrukturë, arsim etj. Vizitat me udhëheqësit e vendeve të Ballkanit janë të shpeshta dhe të ndërsjellta dhe Turqia është gjithmonë me Ballkanin kur nevojitet mbështetja politiko-ekonomike. Ne dëshirojmë që vendet ballkanike të dalin nga zënkat e historisë dhe të hapin faqen e re të prosperitetit, komunikimit dhe të zhvillojnë shoqëritë e tyre drejt një mirëqenie për të gjithë qytetarët.

ALMAKOS: Flitet në opinion se Kryetari Erdogan ka një simpati për shqiptarët. Nëse po, a keni ndikuar edhe ju në këtë drejtim?

Sabri DEMIRI: Jo vetëm Kryetari Erdogan por të gjithë turqit kanë simpati të veçantë për popullin shqiptar. Në Turqi me mburrje thuhet emri arnaut që do të thotë shqiptar. Ajo simbolizon trimërinë, bujarin e para së gjithash besën, ky virtyt i çmuar që na identifikon para botës. Turqia ishte prej shteteve të para që e pranoi pavarësinë e Kosovës. Një ashtu dhimbjet dhe vuajtjet e popullit kosovar i ndau me të dhe gjithmonë dera e Turqisë ka qenë e hapur për ta në çdo kohë. Ata këtu ndihen si në shtëpinë e vet. Kështu ka qenë dhe besoj se ashtu do të ngel edhe në të ardhmen. Kurse, vet emërimi im nga ana e Kryetarit Erdogan si shqiptar flet për vendin e shqiptarëve te Kryetari i shtetit. Kurse unë edhe kur flas turqisht mendoj shqip e kjo energji reflektohet në të gjithë angazhimin tim ku do që jam.

ALMAKOS: A do të vazhdon Turqia mbështetjen ndaj shteteve të Ballkanit?

Sabri DEMIRI: Turqia Ballkanin e ka në agjendat e saja prioritare dhe çdo herë do të jetë pranë tyre nëse diçka lypet për të mirën e tyre. Ne jemi angazhuar edhe ne fatkeqësitë natyrore kur ata kanë pas sikur është rasti i tërmetit në Durrës dhe në çdo kohë do të ndihmojmë iniciativat pozitive ku është në pyetje e mira e përbashkët. Ballkani i qetë dhe pa konflikte rehati e Turqisë.

ALMAKOS: Cili është roli i Turqisë në stabilitetin rajonal, dhe deri ku është zgjidhja e problemit me Greqinë?

Sabri DEMIRI: Turqia si shtet i madh dhe i fuqishëm zhvillon politikë te drejtë, ku mbrohen te dobëtit dhe ata te cilëve u është bërë e padrejta zullumi kurse te keqit apo zullumqarit i tregohet vendi i tij dhe asnjëherë nuk heshtim para te padrejtit kushdo që është ai, ketë dhunti na e ka dhanë Zoti për çka e falënderojmë dhe mundohemi çdo here të ndikojmë të mos anashkalohet askush. Këto ditë Turqinë dhe Greqinë i goditi një tërmet i fuqishëm që pati pasoja dhe viktima në njerëz. Tërmetet dhe tragjeditë i bashkojnë njerëzit dhe shtetet, këtu do ta kisha cek telefonatën mes Kryetarit Erdogan dhe Kryeministrin Grek Kyriakos Mitsotakis, ku i shprehen njëri tjetrit ngushëllime dhe zgjatën dorën e ndihmës dhe solidaritetit. Uroj që qytetarët në Izmir dhe Sanos në Greqi të kthehen sa më shpejtë në shtëpitë e tyre kurse familjeve që humbet anëtarët e tyre ju shprehim ngushëllime të sinqerta.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit