2.4 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

Hoxha i cili nxiti shkollimin e vajzave në vitin 1955

Më të lexuarat

“Për shkollë mos me i ngu prindërit nuk është haram”, është fjalia që hoxhë Rifat Jashari nga Zhegra e Gjilanit e ka përsëritur që para 60 vjetësh.
Ishte viti 1955, kur në këtë fshat pakkush arsimohej. Djemtë nuk e vazhdonin shkollën përtej klasës se katërt për me “i rujt gjanë”, ndërsa vajzat nuk lejoheshin nga prindërit, për shkak se “në klasën e pestë rriteshin me trup”.
 
Rifat Jashari, 97-vjeçar, i cili ka shërbyer mbi 60 vjet si imam në xhaminë e Zhegrës, thotë se kishte shkuar shtëpi më shtëpi për t’i bindur prindërit e tyre për t’i lënë vajzat për të shkuar në shkollë.
 
“Ju thosha prindërve se nëse duhet edhe zhag kom me i nxjerrë, e në shkollë kanë me shku”, rrëfen Jashari.
 
Megjithatë, ai tregon se të paktë ishin prindërit që e kundërshtonin. “Me kan ngu kur ju kom fol. Kajherë pritojshin, po me ma kthy fjalën rrallë ka ndodhë”, e kujton atë kohë ky hoxhë. Nga insistimi që të shkolloheshin fëmijët thotë se Zhegra sot është e mbushur me mjekë, mësues, avokatë e profesionistë të fushave të ndryshme. “Shumë më donë e me respektojnë. Plot djem e çika tash më nderojnë se i kam dërgue në shkollë”, thotë Jashari.
 
“Nëse ju shtijnë nana e baba me thanë me zor që s’doni me shku në shkollë – mos pranoni. Mos i ngoni prindërit për mos me u shkollu. Se shkollën e ka lanë Zoti edhe me fe”, ka kujtuar se çfarë u thoshte fëmijëve përderisa mundohej t’i bindte që të shkolloheshin.
 
Para se t’u kërkonte bashkëfshatarëve që t’i dërgonin vajzat në shkollë, ishte i pari ai që u kishte dhënë shembull. “E para që e ka vazhdu shkollën ka qenë çika jeme. Mas pari ja kom nis fëmiut tim shkollën e tani ju kam kërkuar edhe të tjerëve”, ka thënë ai.
 
Por hoxha i fshatit përkujdesej që vajzat përveçse të shkonin në shkollë edhe të mësonin. “Ju thojsha kqyrni, në shkollë po shkoni, ama me u lazdru nuk ka. Atje po shkoni me mësu”, rrëfen ai. /Koha Ditore/
 
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit