Lidhja Demokratike e Kosovës edhe zyrtarisht ka njoftuar se ka shkarkuar Vjosa Osmanin nga pozita e saj si nënkryetare e partisë dhe anëtares së Kryesisë.
Pas kësaj ka reaguar Vjosa Osmani.
Ajo përmes një shkrimi në Facebook, ka bërë të ditur arsyet pse është përjashtuar e diferencuar nga LDK.
“Po përjashtohem e diferencohem sepse: Thashë kurrë me të korruptuarit, dhe ashtu mbeti; Thashë do t’i sjellim Kosovës ndryshimin e jo mendësinë e vjetër në pushtet, dhe ashtu mbeti; Thashë se nuk do ta përkrahë asnjë tregtar të kufijve e të sovranitetit, dhe ashtu mbeti. Thashë për Kosovën do të kërkojmë barazi nëpërmjet reciprocitetit, dhe ashtu mbeti; Thashë se askujt nuk do t’i punojmë pas shpine, dhe ashtu mbeti; Pra, u diferencova e shkarkova sepse e mbajta fjalën. U diferencova edhe për shkak se jam grua, sepse asnjë nënkryetar burrë në të kaluarën, edhe kur kanë kundërshtuar e vepruar kundër vendimeve të partisë, nuk janë përjashtuar”, ka shkruar ajo.
Osmani tha se në politikë, sikur edhe në jetë, ndonjëherë duhet ta paguash çmimin e të qenit parimor.
Ndërkaq, thekson se në secilën betejë, do të jetë me qytetarët, deri në fund.
“Por, të dashur qytetarë të Kosovës, sistemet që themelin mbi të cilin qëndrojnë e kanë diferencimin, janë gjithnjë të destinuara të dështojnë. Kështu ka qenë në të kaluarën, e kështu do të jetë edhe tash e tutje, të jeni të bindur. Prandaj po e përsëris atë që e kam thënë në Kuvend më 25 mars: Në politikë, sikur edhe në jetë, ndonjëherë duhet ta paguash çmimin e të qenit parimor. Unë e kam provuar në lëkurën time më shumë se njëherë. Por, parimësia tregon udhën e vërtetë, edhe kur ajo është e mbushur përplot gjemba. E, unë nuk përtoj t’u rrekem këtyre pengesave për ta bërë të dukshme dritën, edhe nëse kjo nuk kuptohet nga disa mendjeshkurtër që sot votuan për përjashtimin e diferencimin tim. Por është një udhë që unë e kam ndjekur këto 20 vjet e ajo është udha që ta shtron besimi qytetarë dhe asaj nuk e kam ndërmend t’i ndahem kurrë. Në secilën betejë, do të jem me qytetarët, deri në fund”, ka thënë më tej.
Osmani ka falënderuar 53 anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm që nuk u bënë pjesë e këtij diferencimi politik.
Ajo ka paralajmëruar se shumë shpejt do të mbahen edhe zgjedhjet e brendshme partiake, ku u ka bërë me dije se do të jetë kandidate për kryetare të LDK-së.
“I falënderoj 53 anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm që nuk u bënë pjesë e këtij diferencimi politik. Ndërsa për diferencuesit e sotëm, shihemi në garën zgjedhore së shpejti. E aty do ta shohim se kush do të fitojë kur të dalim para qytetarëve. Gara e vërtetë është para qytetarëve, edhe pse shumica dërmuese prej jush diferencues, jeni aq frikacakë sa nuk do të guxoni të dilni në atë përballje, por sërish do të fshiheni prapa dikujt tjetër. Por përballja e madhe do të ndodhë. Mua më ka ngritur populli dhe vetëm ai do të mund të më rrëzojë”, ka shkruar në fund.
Historia e kundërshtimeve Mustafa-Osmani
Osmani, e cila është kryetare e Kuvendit të Kosovës, kishte shprehur publikisht pakënaqësitë e saja lidhur me prishjen e koalicionit mes LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje, në mars të këtij viti.
Gjatë mocionit të mosbesimit të ngritur nga LDK-ja më 25 mars, ndaj qeverisë të udhëhequr nga Albin Kurti, Osmani kishte votuar kundër.
Osmani u zgjodh në krye të kuvendit, me propozimin e partisë fituese të zgjedhjeve, Lëvizjes Vetëvendosje dhe vazhdon ta mbajë atë pozitë edhe pas rrëzimit të qeverisë LVV-LDK.
Vjosa Osmani është shprehur kundër edhe qeverisë së re të formuar nga LDK-ja, që udhëhiqet nga Avdullah Hoti.
Në seancën e 3 qershorit, kur u votua për qeverinë e udhëhequr nga LDK-ja, Osmani nuk mori fare pjesë.
Osmani ka kundërshtuar edhe vendimin e qeverisë më 6 qershor, për të hequr masat e reciprocitetit kundër Serbisë.
Ajo ka thënë se me heqjen e reciprocitetit, “Kosova ka hequr dorë “nga e drejta për t’u trajtuar sovran si Republikë e Kosovës”.
Në zgjedhjet e 6 tetorit, të vitit 2019, Osmani ishte kandidatja e LDK-së për kryeministre.
Osmani është personi i dytë më i votuar në Kosovë, pas Albin Kurti. Ajo në zgjedhjet e fundit më 6 tetor fitoi 176 mijë vota.
Vjosa Osmani edhe në vitin 2014 kishte shprehur pakënaqësinë e saj lidhur me arritjen e marrëveshjes së koalicionit qeverisës ndërmjet LDK-së dhe Partisë Demokratike të Kosovës, duke mos e votuar qeverinë e udhëhequr nga kryetari i partisë së saj, Isa Mustafa.