-0.3 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

DALJA NGA GJENDJA E DËSHPËRIMIT DHE DEPRESIONIT

Më të lexuarat

Kaptina e Kuranit të cilën duhet ta di përmendësh çdo besimtar, ka një mesazh tejet të fuqishëm, një thirrje tejet qetësuese, vepron në mënyrë relaksuese te njeriu dhe i jep shpresë të re, shpresë se asgjë nuk ka përfunduar.

Në veçanti psikiatërve muslimanë do t’u rekomandoja studimin e kësaj kaptine që t’ua lehtësojë punën me pacientët . . .

Shpesh gjendemi në situata depresive, sidomos sot, kur çdo gjë kemi e nuk kemi asgjë. Kurani është ilaç, Kurani është këshillë, Kurani është miku dhe ligjëruesi yt më i mirë, thjeshtë Kurani është shpëtim dhe udhëzim për një jetë të lumtur.

Secila kaptinë e Kuranit, secili verset ka mesazhin dhe përvojën e tij, por problemi qëndron tek ne, që përmbledhjen e këtyre mesazheve “nga respekti” ndaj Kuranit e ruajmë të mbështjellur në peshqirë, në vitrina, në komodina të ngritur të lartë që fëmijët ose dikush tjetër nga shtëpia mos ta prekë, sepse ky është Libri i Zotit, Kurani.

Kaptina “Ed – Duha”. Dëshiroj që t’u njoh me shpjegimin dhe mesazhin e saj.

Leximi i saj e në veçanti nëse dihet edhe përkthimi i saj, shpjegimi i saj (tefsiri), padyshim me energjinë pozitive të jashtëzakonshme të saj ndikon në gjendjen e zemrës.

Kjo sure, thjeshtë të shtyn të mendosh pozitivisht, nuk lë vend për errësirë dhe dyshim.

Kjo kaptinë i është shpallur në Mekë, Pejgamberit s.a.v.s. në kohën kur shpallja nuk i erdhi për gjashtë muaj. Asgjë nuk ndodhi gjashtë muaj, nuk kishte ëndërra të pejgamberisë, nuk i vinte Xhibrili a.s., asgjë, asnjë lidhje me Allahun. Kur ishte në pyetje Shpallja, gjatë kësaj kohe Pejgamberi s.a.v.s. ngadalë filloi të mërzitet, filloi të brengoset, filloi të frikësohet, se mos vallë ka bërë diç që Allahu kaq gjatë e ka ndërprerë lidhjen me të.

Ndodh, edhe pse falemi, agjërojmë, lexojmë Kuran, japim lëmoshë, shpesh mendojmë që nga kjo nuk kemi asgjë, ndoshta mos punojmë kot, humbasim shpresën, ndihemi të lodhur dhe të padisponuar. Mjedisi rreth nesh, puna ynë, familja, aq na molisin saqë edhe atë ibadet që e bëjmë, e kryejmë me përtaci, në shpejtësi e pastaj fillojmë të dyshojmë. Ndodh e nuk ka gjë më të rëndë kur besimtari fillon të bie në depresion fetar ose shpirtëror.

Dhe pas gjashtë muajve, ta quajmë gjendje depresioni, frike, Allahu i madhërishëm e zbrit shpalljen, ia zbrit Pejgamberit s.a.v.s. kaptinën Ed – Duha.

 

  1. Pasha mëngjesin!

Mesazh për atë që mendon se është në errësirë, frikësohet, mesazh që të zgjohet, sepse me paraqitjen e mëngjesit fillon dita e re dhe lind Dielli. Pra, dielli, agimi, mëngjesi, dita, drita, janë efekte pozitive për shpresën e re. Pikëllimi nuk është i përhershëm, dhe as gjitha ditët nuk janë të zeza.

  1. Pasha natën kur shtrin errësirën!

Nata është e krijuar që njeriu në të pushojë, që trupin dhe shpirtin e tij ta qetësojë,

Njerëzit që natën e bëjnë ditë e ditën natë janë kryesisht njerëz depresiv, nervoz, të zemëruar, të padisponuar.

  1. Zoti yt as nuk të ka lënë, as nuk të ka përbuzur!

Muhammed, Allahu nuk të ka harruar as nuk të ka lënë, dhe Ai nuk të urren ty. Allahu nuk e urren askë, nuk e përbuz askë, dhe nuk e harron askë. Për këtë, nuk duhet humbur shpresën në mëshirën e Allahut, nëse dëshiron të jetosh i qetë.

  1. Dhe se bota e ardhshme është më e mirë për ty se e para!

        Po, gjendja në të cilën gjindemi në këtë botë, nuk mund të krahasohet me gjendjen e botës tjetër e cila ngadalë po na afrohet. Besimtari i vetëdijshëm duhet të ketë ndërmend këtë, ngase të gjitha vuajtjet dhe sprovat janë kalimtare, ndërsa për durim shpërblimi është kënaqësia e përhershme në botën tjetër. Për këtë hudhi të gjitha brengat,

problemet, mbështetu tek Allahu dhe prit me durim nga Allahu atë që nga mirësia e Tij ta ka premtuar.

  1. E Zoti yt do të jep ty, e ti do të kënaqesh!

Po, së shpejti, ngase Allahu i shpërblen durimtarët, Allahu do të jep atë që ty dhe shpirtin tënd do ta bëjë të lumtur në këtë botë, e në veçanti në botën tjetër. Allahu do të jep kënaqësi në zemrën tënde. Allahu xh.sh. na këshillon që gjithmonë do të na jep dalje nga çdo situatë, që do të na jep fitore dhe ndihmë qoftë si komunitet, qoftë si individ.

  1. A nuk të gjeti ty jetim, e Ai të bëri vend (të dha përkrahje)!

        Allahu xh.sh. e përkujton Pejgamberin s.a.v.s. në periudhën kur ishte jetim, dhe Ai e morri në mbrojtjen e Tij. Allahu asnjëherë nuk i lë robërit e Tij. Sa herë Allahu xh.sh. na ka shpëtuar kur kemi qenë të vegjël, në rini, sa  herë na ka shëruar, sa herë na ka dhënë përparim? Shumë, por ne kemi harruar, dhe sa herë që nuk ecën si dëshirojmë ne, biejmë në dëshpërim dhe depresion, duke humbur shpresën në mëshirën e Allahut.

Allahu xh.sh. gjithmonë na ofron strehim, por vetëm duhet Atij t’i drejtohemi.

  1. Dhe të gjeti të paudhëzuar, e Ai të udhëzoi!

Ku do të ishim sot sikur Allahu xh.sh. mos të na udhëzonte në rrugën e Vërtetë, ku do të ishim ne sikur Allahu mos të na shikonte dhe lëshonte mbi ne mëshirën dhe udhëzimin e Tij? Nuk jemi falë e sot falemi, nuk kemi agjëruar e sot agjërojmë, lexojmë Kuranin, përpiqemi që në këtë mënyrë t’ia tregojmë falënderimin tonë në udhëzimin e Tij. Besojmë Atë, por biejmë në gjendje dëshpërimi dhe depresioni. Kërko strehim te Allahu xh.sh. me lutje dhe bërjen e veprave të mira, dhe do të shohësh se si shpirti kënaqet.

  1. Dhe të gjeti të varfër, e Ai të begatoi!

        Allahu xh.sh. na jep pasuri të ndryshme, por ne nuk i shohim, por kryesisht gjithmonë jemi të pakënaqur, jemi të uritur vazhdimisht dhe kërkojmë shumë. Nuk është pasuri vetëm në të holla, pasuri janë edhe fëmijët, shëndeti, dituria, sjellja, fëmijët e edukuar mirë, shokët e mirë rreth nesh. Allahu xh.sh. na furnizon në mënyra të ndryshme dhe na jep edhe më shumë se sa meritojmë, por jemi jofalënderues dhe për shkak të varfërisë së imagjinuar biejmë në dëshpërim dhe depresion.

  1. Pra, mos e përul jetimin!

        Një mesazh i fortë nga Allahu xh.sh. që jetimit mos t’i bëhet asnjë lloj padrejtësie.

  1. As lypësin mos e përzë!

        Nëse dikush të lyp dhe nuk i jep, mos e ofendo dhe nënçmo. Allahu xh.sh. na dërgon mesazh që ndaj dy lloje të njerëzve duhet me qenë të kujdesshëm e këta janë jetimët dhe lypësit. Por, a e dini se si shpirti më së miri qetësohet? Nëse e ndihmon jetimin dhe lypësin, dhe i sheh ata të buzëqeshur, dije që buzëqeshja do të vendoset në zemrën tënde.

  1. E me të mirat që të dha Zoti yt, trego (udhëzo njerëzit)!

Më numëroni begatitë që u ka dhënë Allahu? Nuk mundemi, nuk jemi të aftë.

Begatia e të parit, folurit, dëgjimit . . . Nëse Allahu nuk na do neve, përse jemi ende të gjallë? Allahu xh.sh. dëshiron që t’i kthehemi Atij dhe me kohë të pendohemi për të qenë me ne i kënaqur.

Një këshillë për mua dhe për ju!

Kur bini në dëshpërim, mërzi, brengë, dhe depresion, lexoni dhe studioni kaptinën Ed – Duha, lexoni përkthimin e saj, mesazhet që na dërgon Allahu xh.sh. të cilët vlejnë deri në ditën e Gjykimit. Kjo kaptinë solli qetësi, prehje, dhe kënaqësi në zemrën e Pejgamberit s.a.v.s., e duhet edhe tek ne.

 

www.n-um.com

Përktheu dhe përshtati:

Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit