2.2 C
Pristina
Saturday, November 30, 2024

Turqia konfirmon pjesëmarrjen në ndërhyrjen ushtarake në Jemen

Më të lexuarat

Turqia ka konfirmuar sot pjesëmarrjen në ndërhyrjen ushtarake në Jemen, e nisur nga Arabia Saudite kundër avancimit të rebelëve huthi.
 
“Dënojmë fuqishëm rebelët huthi, të cilët jo vetëm që nuk tërhiqen nga Sana dhe institucionet shtetërore, por edhe kundërshtojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në Jemen dhe rezolutën numër 2201 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Po ashtu, dënojmë fuqishëm aktet e njëanshme të milicëve huthi dhe ofensivën e tyre për të marrë kontrollin e Adenit, të cilin Presidenti legjitim, Abd Rabbo Mansour Hadi, e ka shpallur kryeqytet të përkohshëm dhe është strehuar aty. Operacioni ushtarak i nisur nga Arabia Saudite do të jetë në dobi të autoritetit legjitim në Jemen”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Turqisë.
Më tej, MPJ-ja turke thekson se mbështet ndërhyrjen ushtarake kundër rebelëve huthi, që ka nisur në bazë të kërkesës së Presidentit të zgjedhur dhe legjitim të Jemenit, Abd Rabbo Mansour Hadi, nga koalicioni i formuar prej vendeve të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit dhe vendeve të tjera të rajonit, si dhe për të cilin Ankaraja është informuar nga Riadi.
Sakaq, Ministria e Jashtme e Turqisë u bëri thirrje lëvizjes huthi dhe përkrahësve të saj të jashtëm që të heqin dorë nga veprimet, që kërcënojnë sigurinë dhe paqen në Jemen dhe më gjerë në rajon.
Pjesëmarrjen në këtë ndërhyrje ushtarake e ka konfirmuar po sot edhe Jordania me Egjiptin.
Nga ana tjetër, Linjat Ajrore Turke (THY) kanë anuluar fluturimet e sotme drejt Sanës, për shkak të mbylljes së hapësirës ajrore të Jemenit.
Rifillimi i fluturimeve të THY-së drejt kryeqytetit jemenas do të bëhet e ditur më vonë nëpërmjet një komunikate.
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit