-3.2 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Ç’është privatizimi?

Më të lexuarat

PRIVATIZIMI I PTK’së NË KËTO KUSHTE ËSHTË SHPËRDORIM QË DËMTON INTERESIN PUBLIK

Shkruan: Ismet Hamiti – Ekspert i Telekomunikacionit

Prishtinë, 20 maj 2010

Ç’është privatizimi?

 

     Privatizim do të thotë bërja e një prone publike, pronë private ose shqip, bërja e pronës së të gjithëve, pronë e njërit ose e disave. Në rastin konkret, privatizimi i PTK’se do të thotë bërja e një kompanie me të hyra vjetore prej rreth 130-140 milion Euro, e cila tani është pronë e te gjithëve, pronë e një individi ose të disave individëve. Më një fjalë, privatizimi i PTK’së do të thotë 130-140 milion EURO të hyra në vjet të shkojnë në xhepa privat, dhe jo në “xhepa” publik. Privatizim nuk është koncept i ri. Në fillim të viteve 90 të shekullit që shkoi, në sektorin e telekomunikacioneve është zhvilluar një fushatë e paparë nëpërmjet mjeteve të informacionit, konferencave, seminareve, etj. etj., e përcjellë nga presionet nga më të ndryshmet, për t’i bindur vendet sovrane që, nën firmën e reformave, t’i pezullojnë pengesat dhe ta hapin tregun e telekomunikacioneve. “Privatizimi”, “liberalizimi”, “derregullimi” ishin slogane që u lëshuan në qarkullim për këtë qëllim. Në këtë fushatë ishin të kyçur investues individual, firmat konsultuese, bankat, kompanitë e mëdha, mjetet e informacionit, e nën ndikimin e tyre, nganjëherë edhe qeveritë e vendeve me ndikim. Në veprim ishin edhe shumë “investitorë” pa asnjë cent në xhep, që mundoheshin të përfitojnë nga ky pështjellim.

     Në themelet e kësaj fushate ishte:

     (1) lufta për fitim, sepse në treg kishte më shumë kapital se sa raste të mira për investime, e telekomunikacionet kanë qenë dhe mbesin shumë fitimprurëse, dhe

     (2) lufta për kontroll mbi informacionet, sepse infrastruktura telekomunikuese është bazë për transportin e tyre. Në këtë ambient ndërkombëtar, dhe nga nevoja e ligjshme për ta shpejtuar zhvillimin e telekomunikacioneve, kishte vende në zhvillim që u bënë pre e kësaj fushate. Mirëpo, edhe në atë kohë edhe tash, privatizimi i operatorëve publik, siç është PTK, ka pasë dhe ka përkrahësit dhe kundërshtarët e vet.

     Të shohim argumentet e te dy palëve.

 

Çka thonë përkrahësit?

 

     Përkrahësit theksojnë se privatizimi i operatorëve publik sjell vetëm të mira: sjell më shumë investime, sjell drejtim (menaxhim) më efikas, sjell çmime më të volitshme për konsumatorët, sjell të ardhura për shtetin në formë të taksave, dhe krejt kjo rezulton një zhvillim më dinamik të telekomunikacioneve në vend. Sa i përket pronësisë vendore dhe të huaj, përkrahësit thonë se nuk duhet bërë asnjë dallim ndërmjet tyre. Investitorët vendorë dhe të huaj, sipas tyre, duhet te jenë të barabartë në garë.

 

Çka thonë kundërshtarët?

 

     Investimet

     Kundërshtarët, ndërkaq, thonë se nuk ka fakte se privatizimi sjell më shumë fonde për investime. Tek e fundit fondet për investime nuk janë problem, sepse telekomunikacionet janë shumë fitimprurëse dhe fondet gjinden pa ndonjë vështirësi në formë të kredisë nga prodhuesit dhe nga burime tjera në tregun e kapitalit.

     Drejtimi

     Sa i përket drejtimit (menaxhimit) shteti vërtetë e ka namin e drejtuesit (menaxherit) të keq, por ama si pronar, shteti nuk ka asnjë behane. Nuk duhet ngatërruar drejtimin (menaxhimin) dhe pronësinë – dy koncepte krejtësisht të ndryshme. Ekzistojnë rrugë më të padhembshme për ta përmirësuar drejtimin (menaxhimin), pa pasur nevojë për të hequr dorë nga pronësia.

     Çmimet

     As puna e çmimeve nuk qëndron, sepse në çmime ndikon konkurrenca e jo lloji i pronësisë. Në tregun e telekomunikacioneve, ku numri i pjesëmarrësve është i kufizuar, nuk ka konkurrencë të mirëfilltë. Nuk mund të ketë luftë çmimesh në tregun me dy-tre pjesëmarrës. Ata gjithnjë do ta gjejnë mënyrën për t’iu shmangur luftës së çmimeve. Këtë e vërteton përvoja kudo në botë.

     Të ardhurat për shtetin

     Nëse privatizimi vërtetë po i sillka të ardhura aq të mëdha shtetit në formë të taksave, atëherë mund të merret me mend se sa i lartë do të jetë fitimi privat. Pse, atëherë, shteti të kënaqet vetëm me taksat kur mundet t’i vjel edhe fitimet? Ky është shkaku që edhe shtetet më të zhvilluara të botës nuk kanë hequr dorë ende nga pronësia publike mbi telekomunikacionin. Aq më pak duhet ta bëjnë këtë shtetet në nivel të ultë të zhvillimit me nevoja të shumta të papërmbushura në fushën e arsimit, shëndetësisë, etj.etj. Telekomunikacionet janë burim i rëndësishëm dhe i sigurt i të ardhurave për shtetin, prandaj politika e tij nuk duhet të jetë më shumë telefona e më pak shkolla, spitale, ujësjellës, rrugë, etj. Politika e tij duhet të jetë më shumë – të gjitha ato, e kjo nuk arrihet me heqje dorë nga pronësia mbi telekomunikacionet, nga fitimet absolutisht te sigurta.

     Zhvillimi

     Nga të gjitha këto, thonë kundërshtarët, nuk mund të përfundohet se privatizimi do të sjell një lulëzim të telekomunikacioneve. Bile ai mund të arrijë efekt të kundërt, sepse operatorët privat investojnë vetëm aty ku e kanë fitimin më të madh. Psh. ata, pa përjashtim, synojnë që problemet më të vështira të mbulimit të zonave të largëta, të izoluara dhe të varfra t’ia lënë shtetit ose kërkohet kontributi i shtetit për t’i zgjedhur ato. Kjo çon pashmangshëm në “privatizimin e fitimit (profitit) dhe shoqrorizimi (nacionalizimi) e humbjeve (problemeve)”.

    Pronësia e huaj

     Në asnjë vend të borës, thonë kundërshtarët, nuk barazohen investitorët vendorë me ata të huaj, në asnjë fushë te ekonomisë, e sidomos të segmenteve më fitimprurëse, siç është telekomunikacioni. Hapja e tregut të telekomunikacioneve për investime të huaja është çështje shumë e ndjeshme. Kjo për faktin se përveç rëndësisë ekonomike, telekomunikacionet kanë edhe pasoja për sigurinë kombëtare. Për këtë arsye hapja e tregjeve të telekomunikacioneve për investime te huaja është një ndër çështjet më të ndjeshme dhe më të diskutuara gjatë anëtarësimit të shteteve në Organizatën botërore të tregtisë.

 

Kush ka të drejt?

 

     Përvoja botërore tregon se ka raste kur privatizimi i operatorëve shtetërorë ka dhënë rezultate të mira, por ka po ashtu edhe shumë dështime dhe pendime, varësisht nga ajo se cili ka qenë motivi i privatizimit (PSE?), në ç’moment është bërë privatizimi (KUR?) dhe mënyra se si është bërë privatizimi (SI?). Siç mund të merret me mend, rezultatet e mira janë arritur vetëm në ato raste kur privatizimi është bërë me një strategji të çartë dhe me shumë kujdes. Telekomunikacionet janë pasuri e madhe e të gjithë shtetasve të një vendi, prandaj kërkohet pajtueshmëri e plotë i të gjithëve për nevojën e tjetërsimit të kësaj pasurie. Suksesi i privatizimit varet se sa bindëse do të jenë për publikun e gjerë të çdo shteti, përgjigjja se çka fitojnë konkretisht ata me shitjen e telekomunikacioneve. Me një fjalë sa bindëse do të jenë përgjigjet në pyetjet:

·        PSE?,

·        KUR? dhe

·        SI?  shitet një pjesë e pasurisë së tyre shumë e vlefshme.

Sa i përket privatizimit të operatorëve publik, përvoja botërore tërheq vërejtjen për KUJDES, më pikë çuditëse. Operatorët publik duhet të privatizohen vetëm atëherë kurë me analiza serioze vërtetohet se

(a) ekziston arsyeja bindëse,

(b) se është momenti më i përshtatshëm dhe

(c) se metoda e zgjedhur është ajo që duhet për ta bërë këtë.

Kjo nuk është punë ideologjie, por punë hesapi. Motivet e shitjes së operatorëve publik në botë janë të ndryshëm. Në Evropë është Anglia e para që e ka filluar këtë praktikë në fillim te viteve 80-ta. Atë kohë është dashur të bëhet urgjentisht modernizimi i sistemit të telekomunikacioneve ne vend sepse rrezikohej zhvendosja e bursës së Londrës në ndonjë vend tjetër për shkak të mungesës së mjeteve të nevojshme për komunikim. Qeveria konstatoi se është më mirë që modernizimi të bëhet me kapital privat se sa nga buxheti publik. Ashtu edhe u be. U lejuan për herë të parë investimet private në British Telekom. Ka edhe shembuj ekstrem kur operatori publik është shitur nga halli, p.sh. kur shteti ishte para falimentimit, për të mbuluar shpenzimet e luftës, etj. Ka edhe motive që janë në mes të këtyre dy ekstremeve. E përbashkëta e të gjitha këtyre privatizimeve është se ato janë të studiuara mirë dhe është provuar se ato janë në interesin më të mirë publik. Hapja e tregut të telekomunikacionit për pronësi të huaj konsiderohet çështje strategjike kombëtare. Si e tillë kjo nuk është çështje e një qeverie e aq më pak e një ministrie apo një rregullatori. Çështjet e kësaj rëndësie vendosen me pajtueshmëri (konsensus) politike në nivel të vendit, duke i peshuar mirë të gjitha aspektet e saj.

 

Si qëndron puna tek ne?

 

     Cila është arsyeja e privatizimit të PTK’së?

     Njëherë, nuk e besoj se ka pasë ndonjë studim a analizë që ka quar në përfundimin se privatizimi i PTK’së është në interesin publik. Këtë për faktin se Ministri aktual i Ekonomisë dhe Financave, ende pa u ulur mirë në karrigen e ministrit, ka deklaruar se ndër prioritetet kryesore të kësaj ministrie është privatizimi i PTK’së. Nuk ka mundësi që në afat prej dy-tri javësh ai të ketë bërë ndonjë studim a analizë për këtë punë.  Megjithatë kjo nuk i pengon atij të thotë me plot gojën se është në interesin publik që 130-140 milion Euro të hyra në vjet të shkojnë ne xhepa privat në vend se në buxhetin që e menaxhon vet.

Dhe cili është arsyetimi?

Ç’është e vërteta ai dhe kushdo që flet në këtë temë nuk marrin fort zahmet për të arsyetuar para publikut këtë pohim.  Duket se ata mendojnë se kjo nuk është punë për publikun, se ata e dinë më mirë se çka është e çka jo në interes të publikut. Aty – këtu thonë sloganet stereotip se privatizimi i PTK’së sjell fonde më të mëdha për investime në sektor, sjell menaxhim efikas, sjell çmime më të volitshme për konsumatorët, sjell të ardhura për shtetin në formë të taksave, dhe krejt kjo rezulton një zhvillim më dinamik të telekomunikacioneve në vend. Mirëpo nuk bëjnë asnjë përpjekje të mëtutjeshme për të dhënë ndonjë fakt bindës që do të vërtetonte këto pohime. Ndoshta edhe ata e shohin se duhen fakte e jo pohime të përgjithësuara për t’u bërë më të besueshëm para publikut këtë veprim. Prandaj se fundi është gjetur një arsyetim i ri se shitja e PTK’së bëhet për të ndërtuar autostradën Vërmnicë-Merdar. Në rregull, ky është një arsyetim konkret të cilin mund t’a kuptojë çdo kush: do të shesim diçka të vlefshme për të bërë diçka edhe më të vlefshme për publikun. Mirëpo kemi të drejtë të pyesim a mund të bëhen të dyja:

·        të mbahen 130-140 milion Euro të hyra vjetore dhe të ndërtohet Autostrada?

     P.sh. një mënyrë do të ishte që fitimet vjetore nga PTK’ja të dedikohen vetëm për ndërtimin e Autostradës në vend se e tërë PTK’ja.

·        A thua dinamika e punimeve në Autostradë do të kërkojë më shumë fonde se të hyrat vjetore nga PTK?

     Nuk e besoj. Mirëpo le të bëhen hesapet dhe le të provohet se kjo mënyrë nuk do të funksiononte. Deri atëherë publiku nuk është i bindur se shitja e PTK’së është në interesin e tij. Deri atëherë, publiku nuk është i bindur se është në interesin e tij që 130-140. milion Euro të hyra vjetore nga PTK të shkojnë në xhepa privat. Deri atëherë publiku ka të drejt të dyshojë se PTK shitet për ndonjë arsye tjetër e jo për interes të publikut.

     A është momenti për privatizimin e PTK?

     Do të ishte krejt normale që diskutimi të përfundonte këtu: nuk ka arsye – nuk duhet të shitet PTK. Mirëpo, për të ruajtur tërësinë e diskutimit të shohim se a është momenti më i përshtatshëm për nxjerrjen në pazar të një pasurie kaq të vlefshme.

Në ç’gjendje është vet prona, d.m.th. PTK?

Unë me qëllim deri tani mora për bazë të një vlerë të supozuar të të hyrave vjetore të PTK’së e jo fitimin vjetor nga raportet që i publikon PTK. Këtë e bëra për arsye se fitimi i publikuar nuk e tregonte vlerën e vërtetë të PTK-së. Kjo për faktin se PTK, për kohë të gjatë, keq-menaxhohet, shpërdorohet dhe abuzohet në mënyrën më të egër. Bile edhe të hyrat vjetore të supozuara mund të ishin shumë më të larta sikur PTK të ishte drejtuar me përgjegjësi e profesionalizëm. PTK për një kohë të gjatë kanë qenë nën kontrollin e individëve sharlatanë, të pa përgjegjshëm dhe me prirje kriminale, të dirigjuar nga pelikanë, të huaj e vendorë, më atribute të ngjashme. Unë njëherë pata thënë se PTK është pronë publike e cila i ka dalë pronarit nga dora. Me këtë rast nuk mund të ndalem më gjatë në këtë temë, sepse për këtë duhen jo një por një seri ligjëratash. Por dëshiroj të shtoj se krimet e bëra në PTK janë të shumta, të mëdha dhe lehtë të dokumentueshme por kriminelët që kanë kryer këto krime ende shëtisin të lirë. Dikush mund të thotë se pikërisht për këtë PTK duhet të hiqet qafe. Përgjigja ime është se kjo nuk është zgjidhje. Ka mënyra më të padhembshme për të korrigjuar këtë situatë skajshmërisht të dëmshme për interesin publik. Por për këtë – ndonjëherë tjetër.

     Po si është ambienti në të cilin vepron PTK?

     Edhe tregu i telekomunikacionit është shpërdoruar në mënyrë të egër. Është lejuar apo është toleruar zgjerimi i rrjetave të huaja në vend, siç janë rrjeti serb, slloven, etj. Resurse numerike nuk ka, sepse nuk është zgjedhur ende çështja e kodit ndërkombëtar, nuk ka resurse frekuencore sepse spektri frekuencor shfrytëzohet në mënyrë të egër nga operatorë ilegal, ligji për telekomunikacion vetëm emrin e ka të tillë sepse është një tekst krejtësisht i pakuptimtë; rregullat më elementare për funksionimin e tregut të liberalizuar nuk ekzistojnë, rregullatori ka nevojë për trajnim masiv për të qenë në gjendje ti kryej detyrat më elementare të rregullimit të tregut të liberalizuar të telekomunikacionit. Me një fjalë ambienti është i pashembullt në botë.

     Po si është gjendja nga perspektiva e blerësve potencial?

     Gjithkush e di se bota ndodhet në krizë financiare. Mungesa e rregullimit të tregut ka krijuar hapësirë për spekulime financiare në treg të papara deri më tani, të cilat e kanë sjellë sistemin financiar botërorë para shkatërrimit. Vetëm ndërhyrja e qeverive, me fondet e taksapaguesve të vet, ka shpëtuar sistemin botërorë nga kolapsi i plotë. Kjo gjendje do të duhej të ishte mësim për gjithkënd se pa rregulla të fuqishme, nuk ka treg të lirë.  Kjo do të duhej të ishte mësim edhe për Qeverinë tonë që të përfundojë se nuk është momenti për të nxjerr në Pazar një pronë kaq të vlefshme siç është PTK, kur ambienti është në gjendje që u përshkrua më lartë.

     Cila është mënyra e privatizimit të PTK’së?

     Ka shumë forma se si privatizohet operatori publik. Nuk është bërë e ditur se cilën mënyrë ka ndërmend të zbatojë Qeveria jonë, mirëpo nga veprimet e deritanishme, kuptohet se ata presin që PTK t’i shitet ndonjë operatori të huaj, me ose pa ndonjë biznesmen vendor, zakonisht i preferuar i vendimmarrësve, si lobist i tij. Shndërrimi i biznesit vendorë në lobistë të të huajve është në traditën e të gjitha qeverive tona. Kjo përkundër faktit se investuesi vendor është dhe do të mbetet bartësi kryesor i zhvillimit të vendit, ashtu siç është rasti në çdo vend të botës. Për më tepër, asnjë shtet në botë nuk i barazon qytetarët e vet me ata të huajë. Qytetarët e një shteti, le që nuk barazohen me të huajë, por kanë përparësi ndaj të huajve në çdo gjë e edhe në investime. Në përgjithësi hapja e tregut të telekomunikacionit për investime të huaja private, së paku, bëhet me reciprocitet, ndërsa investimet shtetërore nuk lejohen në asnjë rast. Më një fjalë, publiku ynë nuk është i bindur se edhe mënyra e zgjedhur nuk është në interes të publikut, por në dëm të tij.

 

Përfundim

 

1.      Nuk ekziston arsyeja bindëse, nuk është momenti më i përshtatshëm dhe nuk është provuar se mënyra e zgjedhur është ajo që duhet për privatizimin e PTK.

2.      Nuk ka analiza dhe studime që do të provonin se është më mirë për ne, qytetarët e këtij vendi, që 130-140 milion Euro të hyra në vjet të shkojnë në xhepa privat, se sa të shkojnë në buxhetin e vendit tonë.

3.      Nuk është momenti i përshtatshëm për nxjerrjen në Pazar të kësaj prone të vlefshme për këto arsye:

a.      PTK nuk është në gjendje të mirë, sepse ka kohë të gjatë që keq-menaxhohet, shpërdorohet dhe abuzohet në mënyrën më të egër dhe kjo për fajin e Qeverisë, sepse kohë të gjatë e kanë lënë nën kontrollin e individëve sharlatanë, të papërgjegjshëm dhe me prirje kriminale, të dirigjuar nga pelikanë, të huaj e vendorë, me atribute të ngjashme.

b.     Ambienti në të cilin operon PTK është kaotik, i pashembullt në botë, ligji për telekomunikacion është një tekst krejtësisht i pakuptimtë; rregullatori ekziston vetëm në letër, rregullat më elementare për funksionimin e tregut nuk ekzistojnë.

c.      Bota ndodhet në krizë financiare sepse mungesa e rregullimit të tregut ka krijuar hapësirë për spekulime financiare dhe vetëm ndërhyrja e qeverive, me fondet e taksapaguesve të vet, ka shpëtuar sistemin botërorë nga kolapsi i plotë. Ko do të duhej të ishte mësim për Qeverinë tonë se pa rregulla të fuqishme, nuk ka treg të lirë dhe, veç tjerash, të përfundojë se nuk është momenti për te nxjerr në Pazar një pronë kaq të vlefshme siç është PTK.

4.      Mënyra e privatizimit të PTK-së nuk është shpjeguar, por nënkuptohet se Qeveria pret që PTK t’i shitet ndonjë operatori të huaj, me ndonjë biznes vendor në rrolin e lobistit. Publiku ynë nuk është i bindur se kjo është në interes të publikut.

     Prandaj privatizimi i PTK’së në këto kushte është shpërdorim që dëmton rënd interesin publik. Të shtoj se vendosmëria, gati fanatike, e Qeverisë, që përkundër këtyre fakteve të privatizojë këtë pronë të madhe publike, përkujton vendosmërinë fanatike komuniste për nacionalizim të çdo prone private. Vendimet ekonomike pa analiza, pa studime dhe pa pajtueshmëri të gjerë në shoqëri, por të marra në baza ideologjike, gjithmonë janë me pasoja fatale për vendin. Ndërsa ngutja për të nxjerrë në pazar PTK’në, shton dyshimet se Qeveria e bënë këtë nën diktat dhe për blerës të paracaktuar.

 

Fjalim i mbajtur në Tribunën e organizuar nga Lëvizja VETËVENDOSJE! në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare të Kosovës,më 20. 05. 2010 )

 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit