Disa shkencëtarë në Kinë kanë bërë një studim në mënyrë të pavarur, në të cilin sygjerojnë se një nga shkaqet e përhapjes së koronavirusit mund të jetë trafiku illegal i pangolinëve.
Universiteti Bujqësor i Kinës Jugore, i cili ka udhëhequr studimin është shprehur se zbulimi do të ketë një rëndësi të madhe për parandalimin dhe kontrollin e origjinës së virusit të ri.
Agjencia kineze e lajmeve, Xinhua, raportoi se sekuenca e gjenomit të koronavirusit të ri, e ndarë nga pangolinët, ishte 99% identike me atë të njerëzve të infektuar. Xinhua përmend gjithashtu se pangolinët – gjitarët e vetëm me luspa në botë – janë “ndërmjetësit” më të mëdhenj të koronavirus.
Por, nga ana tjetër, kreu i departamentit të mjekësisë veterinare në Universitetin e Kembrixhit në Britani tha se studimi nuk ka baza të forta, por është thjesht një publikim i universitetit dhe se kjo, nuk e bën provë shkencore.
Pangolinët janë një nga gjitarët më të trafikuar të Azizë, pavarësisht ligjeve që e ndalojnë tregtimin e tyre, pasi mishi i pangolinëve në Kinë konsiderohet si mish i rrallë “luksi” dhe nga ana tjetër, përdoret edhe në mjekësinë tradicionale kineze. /Reuters-scan/