-0.4 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Qeveria shuan mijëra vende pune (Dokument)

Më të lexuarat

Nga qershori i këtij viti, kur pritet të hyjë në fuqi Ligji i ri për Pagat dhe të bëhet ristrukturimi i pozitave të shërbyesve civilë, mijëra të punësuar nuk do të gjejnë veten në asnjë pozitë pune. Kështu, në Kosovë nuk do të ketë më ofiqarë, zyrtarë për paga, mjekë ligjorë e as drejtorë të bujqësisë nëpër komuna. Edhe ata që mbeten në punë ka rrezik të marrin rreth 20 për qind më pak paga, nëse Qeveria vendos të zbres pagën minimale në vend.
 
Gazeta Fjala ka siguruar “Katalogun e vendeve të punës në shërbimin civil të Kosovës”, të përgatitur në janar të këtij viti, në bazë të së cilit do të përcaktohen gradat, pozitat dhe pagat e secilit punëtor në administratën e shtetit.

Ky dokument nuk njeh një pjesë të madhe të pozitave ekzistuese dhe të punësuarit nuk do të mund të futen as në listën e pagave.
Më së shumti telashe do të ketë departamenti i mjekësisë ligjore në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, në të cilin mbi 90 për qind të stafit nuk u njihet pozita që kanë dhe nuk dihet se si do të punojnë tash e tutje. Krejt kjo pasi hartimi është bazuar në ligjin për Administratën Shtetërore dhe ligjet tjera që rregullojnë strukturën organizative të institucioneve të veçanta nuk janë marrë parasysh, ashtu siç nuk njihen gradat dhe vendet e punës specifike.
Gjithashtu, mbi 630 punëtorë që deri më tani kanë mbajtur pozitat e drejtorëve, sidomos ata të qendrave për punë sociale, nuk dihet se si do të mbeten.
Përfaqësuesit e Sindikatës së Punonjësve Civil janë të shqetësuar me masat që do të merren ndaj të punësuarve, pasi sipas tyre nuk është e qartë se çfarë do të ndodhë me fatin e tyre. Mursel Zymberi, Kryetar i Sindikatës së Punonjësve Civil, ka thënë për Gazetën Fjala se më të shqetësuar janë për ndryshimet që do të mund të ndodhin në paga.
“Ka rrezik që të zbresin pagën minimale dhe kjo automatikisht do të zbres pagat për të gjithë punonjësit civilë”, thekson Zymberi.
Sipas tij, aktualisht, të punësuarve në institucionet shtetërore paga minimale u llogaritet 220 euro dhe kjo kur shumëzohet me koeficientin e gradës që ka jep pagën aktuale që kanë shërbyesit civilë. Me sistemin aktual, një drejtor e një zyrtar me gradë 9 dhe koficient 1.87 paguhet 411 euro, duke pasë parasysh pagën minimale 220 euro të cilën e njeh Ministria e Administratës si bazë për kalkulim të pagave. Por, Zymberi dhe sindikalistët e tjerë druajnë se kjo do të ndryshojë.
“Me ndryshimet që pritet të bëhen, ka gjasë që kjo paga minimale me të cilën llogariten të gjitha pagat tjera të zbres në 169 euro”, thotë Zymberi.
Nëse ndodhë një gjë e tillë, atëherë i njëjti zyrtar me pagë 411 euro do të merr 316 euro pagë apo 95 euro më pakë.
“Me ndryshimet që planifikohet të bëhen më së shumti do të pësojnë punëtorët që kanë paga të mesme dhe të ulëta. Ata do të marrin edhe më pak para”, ka deklaruar Zymberi.
Nëse vendoset që të preken edhe pagat, atëherë llogaritet se diku rreth 50 milionë euro më pak do të marrin të punësuarit në vend.
Gazeta Fjala ka mësuar se Ministria e Administratës Publike tashmë është në fazën finale të draftimit të projektligjit të ri, i cili shumë shpejtë do të dërgohet në Qeveri e pastaj të marrë miratimin e deputetëve të Kosovës. /Gazeta Fjala/kohaislame
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit