Grupi Al-Kaida në Gadishullin Arabik (AQPA) mori përgjegjësinë për një sulm me armë zjarri në fillim të dhjetorit në një bazë ushtarake amerikane në Pensacola, Florida, në të cilën u vranë tre marinarë, njoftoi sot ueb faqja islamike SITE.
“Në regjistrimin audio të drejtuesit të saj, Kasima al Rimi, AQPA mori përgjegjësinë për sulmin e dhjetorit 2019 në bazën ajrore detare në Pensacola”, tha SITE në një deklaratë.
Në hetimin e saj, FBI përcaktoi që nënkoloneli i Forcave Ajrore Saudite, 21-vjeçari Mohammed Saeed Alshamrani veproi i vetëm në 6 dhjetor në një sulm ndaj një baze detare amerikane në Pensacola, në Florida, përpara se të vritej nga policia.
Alshamrani ishte në stërvitje ushtarake në Shtetet e Bashkuara dhe vrau tre dhe plagosi shtatë të tjerë, përfshirë dy oficerë policie.
Para sulmit, ai postoi mesazhe armiqësore ndaj Shteteve të Bashkuara, duke shkruar në Twitter: “Unë jam kundër të keqes, dhe e gjithë Amerika është shndërruar në një tokë të së keqes (…) Unë nuk jam kundër jush vetëm sepse jeni amerikanë, nuk ju urrej për liritë tuaja, ju urrej sepse çdo ditë ju mbështesni, financoni dhe kryeni mizori jo vetëm për myslimanët, por për tërë njerëzimin”.
Sulmi kërcënoi një program që përfshin shitjen e armëve amerikane shumë-miliardë dollarësh në Riad dhe e vendosi monarkinë saudite në një disavantazh.
Në Shtetet e Bashkuara, rreth 850 sauditë janë trajnuar çdo vit. Baza Pensacola, e cila strehon rreth 16,000 trupa, përdoret nga Marina e SHBA për të trajnuar trupat aleate, transmeton KosovaPress.