3 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Çavushoglu: Plani i SHBA-së për Palestinën legjitimon pushtimin izraelit

Më të lexuarat

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Çavushoglu, tha se i ashtuquajturi plan i paqes për Lindjen e Mesme i shpalosur nga presidenti amerikan Donald Trump është dokument i “aneksimit dhe shitjes”, raporton Anadolu Agency (AA).

“Dokumenti i shpalosur nga SHBA nuk është plan i paqes, por i aneksimit. Është një imponim që ka për qëllim legjitimimin e pushtimit dhe aneksimit izraelit të Kudsit dhe Bregut Perëndimor”, tha Çavuşoğlu në takimin e jashtëzakonshëm të Organizatës së Bashkëpunimit Islam (OBI) në Xhide të Arabisë Saudite, ku po diskutohet plani kontrovers i SHBA-së në lidhje me Palestinën.

“Plani që kemi para nesh, është dokument i shitjes, në të cilin kërkesat maksimaliste të Izraelit diktohen nga goja e SHBA-së. Ai synon t’i dënojë përgjithmonë palestinezët me pushtimin izraelit dhe dhimbjet që sjell ky pushtim. Është plan i projektuar për të realizuar ëndrrat më të pandershme të cionistëve dhe mbështetësve të tyre”, shtoi kryediplomati turk.

Ai kritikoi palët që, siç theksoi, duket sikur mbështesin vendimet për Palestinën, por në fakt veprojnë kundër tyre.

“Dua ta dini se Allahu nuk e fal një joparimitet të këtillë. Nuk e fal as umeti, as ne. Nuk do të mund të japin llogari në dy botët”, deklaroi Çavuşoğlu.

Ai tha se i ashtuquajturi plan i paqes i Trumpit injoron plotësisht jo vetëm rezolutat e OKB-së, por edhe Iniciativën Arabe të Paqes e cila mbështetet nga OBI.

Më 28 janar në Washington, pa përfaqësim të autoriteteve palestineze, presidenti amerikan Donald Trump shpalosi planin prej 80 faqesh së bashku me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, i cili, ndër të tjera, parasheh që Kudsi të mbetet kryeqytet “i pandarë” i Izraelit.

Sipas planit, i quajtur nga Trump si “Marrëveshja e Shekullit”, SHBA-ja po ashtu njeh vendbanimet ilegale hebreje në Bregun Perëndimor të pushtuar, ndërsa refugjatëve palestinezë u mohohet e drejta e kthimit në vendlindjet e tyre.

Gjatë shpalosjes së planit, Trump pohoi se ky është “shansi i fundit” për palestinezët për të pasur një shtet të pavarur.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit