Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) sot do të shpalosë verdiktin e saj për një çështje lidhur me gjenocidin ndaj Rohingya-ve të ngritur nga Gambia kundër Mianmarit, raporton Anadolu Agency (AA).
Në një seancë publike në Pallatin e Paqes në Hagë, kryetari i GJND-së, Abdulqawi Ahmed Yusuf do të lexojë urdhrin e gjykatës në orën 10:00 të mëngjesit sipas kohës lokale.
GJND dëgjoi argumentet e paraqitura nga Gambia dhe Mianmari në dhjetor të vitit të kaluar.
Vendi i Afrikës Perëndimore i ka kërkuar GJND-së “masa të përkohshme” për të ndaluar dhunën e mëtejshme kundër Rohingya-ve, komunitet i persekutuar pakicë muslimane në Mianmar.
Aboubacar Tambadou, prokurori i përgjithshëm dhe ministër i Drejtësisë i Gambisë, përfaqëson Rohingya-t. Këshilltarja Shtetërore e Mianmar, Aung San Suu Kyi mbrojti veprimet e ushtrisë së vendit të saj.
GJND është organi kryesor gjyqësor i OKB-së dhe është i vendosur në Hagë të Holandës.
Popull i persekutuar
Sipas Amnesty International, më shumë se 750 mijë refugjatë Rohingya, kryesisht gra dhe fëmijë u arratisën nga Mianmari dhe kaluan në Bangladesh pasi forcat e Mianmarit filluan sulme ndaj komunitetit pakicë muslimane në gusht të vitit 2017, duke e shtyrë numrin e të persekutuarve në Bangladesh mbi 1.2 milionë.
Më shumë se 34 mijë Rohingya po ashtu u hodhën në zjarre ndërsa mbi 114 mijë të tjerë u rrahën, thuhet në raportin OIDA të titulluar Migrimi i detyruar i Rohingya: Përvoja e Pathënë.
Rreth 18 mijë gra dhe vajza Rohingya u dhunuan nga ushtria dhe policia e Mianmarit dhe mbi 115 mijë shtëpi Rohingya u dogjën ndërsa 113 mijë të tjera u vandalizuan, thuhet më tej.