Protesta e Partisë Demokratike të Shqipërisë sot është zhvendosur përpara godinës së Kuvendit të Shqipërisë, duke përkuar edhe me fillimin e seancës plenare të Parlamentit, raporton Anadolu Agency (AA).
Protesta e iniciuar fillimisht nga Forumi Rinor i Partisë Demokratike u mbështet edhe nga deputetet e këtij subjekti politik, të cilët kërkojnë dorëheqjen e kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë Ilir Meta, pas akuzave publike të bëra ndaj tij nga deputeti Tom Doshi se Meta ka porositur një vrasje ndaj tij dhe kolegut tjetër deputet Mhill Fufi.
Pavarësisht kushteve të motit anëtarët e Forumit Rinor të partisë më të madhe të opozitës në Shqipëri, simpatizantë dhe përkrahës të PD- së janë mbledhur përpara godinës së Kuvendit të Shqipërisë, ku në pankartat e tyre kanë shprehur edhe njëherë kërkesën për dorëheqjen e kreut të Kuvendit, Ilir Meta.
Protestës iu janë bashkuar një numër i madh i deputeteve të Partisë Demokratike, të cilët janë larguar më pas nga protesta për të iu bashkuar seancës parlamentare.
Ndërkohë, Edi Paloka, kreu i grupit parlamentar të deputeteve demokratë, ka mbajtur nj fjalë të shkurtër para protestuesve.
“Ai që është i akuzuar nuk ndodhet këtu, nuk është në Parlamet. Kërkojmë largimin e Metës, sepse e kërkon e gjithë Shqipëira, kërkojmë të japë dorëheqjen dhe të dalë para drejtësisë. Ne jemi bashkë me gjithë qytetarët shqiptarë. Nuk do të lejojmë që ky shtet të marrë të ardhmen tanë dhe të fëmijeve tanë”- u shpreh Paloka.
Pas një qëndrimi të shkurtër në sallën e Kuvendit, deputetët e Partisë Demokratike janë larguar për të iu bashkuar përsëri protestës. Ndërsa ish-kryeministri Berisha iu ka bërë thirrje protestuesve në një deklaratë të shkurtër para selisë së Kuvendit që të bashkohen për një revolucion demokratik.
Protesta është zhvilluar në mënyrë të qetë, ndërkohë që policia ishte kujdesur të merrte masa të shtuara sigurie përreth godinës së Parlamentit. Ndërkohë që kreu i Kuvendit ndodhet në Zvicër në kuadër të një vizite zyrtare, ndërsa seanca e sotme plenare është drejtuar nga nënkryetari i Kuvendit, Vangjel Dule.
Kujtojmë se më 12 mars, Partia Demokratike e Shqipërisë, e mbështetur edhe nga partitë e tjera opozitare zhvilloi një protestë masive në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, me sloganin “Meta ik”.
Protestat e Partisë Demokratike po mbahen si pasojë e refuzimit nga kreu i Kuvendit, Ilir Meta për të dhënë dorëheqje, pas akuzave publike të deputetit Tom Doshi se Meta ka porositur vrasje ndaj tij.