AGIM BAÇI
Kur vdiq Enveri, ata qanin, unë jo, isha e ngurtësuar dhe s’doja ta jepja veten, kurse tani ata nuk qanin, ndërsa unë shpërtheva, pa e përmbajtur veten as në lot e as në fjalë, deri edhe duke bërtitur: “Jo, jo! Kjo nuk duhej të ndodhte! Kjo nuk duhej lejuar!” Se ç’kam thënë të tjera, as nuk i mbaj mend dhe as nuk dua t’i shënoj. Veçse duhet të them që, atë ditë, me rrëzimin e monumentit dhe me egërsinë me të cilën po silleshin turmat e ndezura nga forcat e errëta, të brendshme e të jashtme, realizova se edhe në vendin tonë u ça diga e sistemit socialist, duke humbur edhe çdo iluzion e shpresë se do të ruheshin fitoret e arritura me aq gjak e djersë nga populli, nën udhëheqjen e Partisë sonë të Punës…”.
Ky fragment nuk është shkëputur nga kujtimet e të vesë së diktatorit Enver Hoxha, Nexhmijes, as në vitin 1991, as 1992, as 1995 e as pak më vonë. Ky fragment është shkëputur nga kujtimet e sapobotuara të vejushës dhe ish-bashkëpunëtores së tij më të ngushtë në zhdukjen e shokëve të partisë dhe mijëra shqiptarëve, gati 30 vjet pasi shoqëria shqiptare jo vetëm që është vënë në dijeni të krimeve makabre të tij, por kur edhe dhjetëra e dhjetëra familje nuk kanë gjetur ende eshtrat e të afërmeve që pushkatoheshin apo burgoseshin si pa të keq, edhe pse ndaj tyre kishte vetëm akuza imagjinare, pa fakte, pa dëshmi. Ndoshta Zoti i mban gjallë disa njerëz që t’i turpërojë; dhe vejusha e ish-diktatorit është ndoshta gjallë pikërisht për t’u turpëruar me shkallën e budallallëkut që përshkon meditimet e saj politike dhe meditimet mbi “fitoret”, që varrosën të ardhmen e shqiptarëve edhe sot e kësaj dite.
E megjithatë, libri i saj është njëkohësisht edhe një dështim i thellë i gjithë shoqërisë shqiptare, që në këto 30 vite nuk mundi të ishte e qartë në ndëshkimin e krimeve të periudhës së komunizmit. Jo për të bërë Nexhmijen të pendohet, pasi ajo dhe shumë të tjerë si ajo që kanë shkruar kujtime në këto vite, kanë treguar se ato krime i kanë krenari dhe jo thjesht një proces burokratik të kohës. Këto krime duhej të ishin zbardhur dhe dënuar herët, në mënyrë që libra apo kujtime të ngjashme të ish-drejtuesve të diktaturës të ishin nën moton “Si nuk duhet të jemi”, ku shoqëria t’u kërkonte dëshmuesve vetëm të na zbardhnin krimet, të cilat i kishin kryer apo që kishin dijeni. Fatkeqësisht, shumë gazetarë e historianë në këto vite kanë vijuar të jenë një transfuzion për këto kujtime, që nga njëra anë thellojnë cinizmin e persekutorëve ndaj viktimave dhe nga ana tjetër mbajnë gjallë nostalgjikët e asaj kohe.
Politologët e ndryshëm janë shprehur se vendet ish-komuniste janë të rrezikuara nga nostalgjia e së shkuarës, për shkak të sfidave që ka sistemi demokratik. Kjo vjen për faktin se diktaturat prodhojnë një gjoja shoqëri, ku kushdo nuk e ka në dorë të ardhmen e tij, por atë ia vendos dikush tjetër, në bazë të përkushtimit ideologjik dhe jo aftësive profesionale. Pikërisht, pafuqia për t’u përballur me sfidat në një shoqëri demokratike bën që shumë njerëz të jenë sërish skllevër të përkushtimeve përmes bindjes politike, pa u thelluar në gjetjen e rrugëzgjidhjeve për një jetë me dinjitet, për një jetë ku të shohësh shanset duke u bazuar në aftësitë që gjithkujt ia fal Zoti dhe që me përkushtim mund t’i përmirësojë.
Ndërkohë, botime të tilla si ato të Nexhmijes, që Shqipëria i ka pasur pa asnjë filtër në gjithë këto vite, kanë bërë që njerëz si Edmodn Caja, ish-komandant i burgut famëkeq të Qafë-Barit, të kenë guximin të akuzojnë në publik ish-të burgosurit, a thua se kanë qenë njësoj e jo ai persekutori dhe ata viktimat. Por si Caja ka dhjetëra hetues e prokurorë, ish-komandantë burgu e ish-pjesëtarë të Sigurimit, të cilët deri më sot jo vetëm që nuk kanë shfaqur asnjë pendesë, nuk kanë kërkuar ndjesë për atë që kanë bërë, por e shohin vetveten si pjesa e duhur për të qenë drejtuesit apo ndëshkuesit e sotëm në emër të ligjit dhe vlerave të demokracisë.
Natyrisht, ne duhej t’ia kishim marrë dëshmitë të gjitha “nexhmijeve” për të zbardhur sadopak atë mekanizëm djallëzor, që e futi Shqipërinë në një qorrsokak vlerash, saqë as pas 30 vitesh nuk kemi mundur ta zhbëjmë. Duhet t’ia kishim marrë dëshmitë kujtdo që kishte dijeni për krimet e komunizmit, që të paktën ata që u dhunuan nga shteti i tyre, të kenë një varr ku të afërmit të mund t’i qajnë dhe nderojnë. Këto dëshmi janë të rëndësishme nëse do të mund të kemi në të ardhmen një gjyq ndaj atij sistemi, që të nxjerrim në pah se sa kriminal mund të kthehet një pushtet si ai i Enver Hoxhës, që në emër të utopizmit persekutoi dhe dhunoi mijëra të pafajshëm, vetëm e vetëm se udhëheqjes së asaj kohe i duhej të ruante pushtetin gjakatar. Të paktën fëmijët tanë nuk meritojnë të mos kenë dijeni, të mos kenë një analizë se si devijon një pushtet i gënjeshtërt në emër të një ideologjie, që prodhoi vetëm krime dhe viktima.
Ne kemi nevojë të kuptojmë këtë mekanizëm pasi nuk ishim vetëm ne, si shqiptarë, viktima, por edhe popuj me një histori dhe filozofi të konsoliduar. Siç thotë edhe shkrimtari i famshëm çek, Milan Kundera, që e ka kaluar vetë një pjesë të jetës së tij në një shtet komunist: “Kushdo që mendon se regjimet komuniste të Europës Qendrore ishin vepër ekskluzivisht e kriminelëve, nuk kupton një të vërtetë thelbësore: regjimet kriminale nuk u krijuan nga kriminelë, por nga entuziastë, të bindur se kishin zbuluar të vetmen rrugë për në parajsë. Ata e mbrojtën me aq vendosmëri atë rrugë, sa u detyruan të vrisnin shumë njerëz. Më pas u bë e qartë se nuk ekzistonte asnjë parajsë dhe se entuziastët ishin vrasës”
Pra, ne kemi nevojë ta njohim dhe ta gjykojmë drejt këtë transformim kriminal të ish-drejtuesve komunistë dhe pasuesve të tyre, për ta lënë më pas në harresë të venë e diktatorit, që Zoti e la në jetë kaq gjatë që të vetëturpërohet, meqenëse nuk gjeti as më të voglën kurajë që të pendohet për krimet që i mendonte dhe që i panë sytë e dëgjuan veshët. Paralel me këtë proces gjykimi vlen të rishihen në këto 30 vite edhe dhjetëra vendime nostalgjikësh, që kanë prodhuar emra rrugësh apo nderime emrash për të cilët ka mjaft dokumente për të shkuarën e tyre kriminale në dëm të bashkatdhetarëve. Një proces që vlen për t’u përshëndetur dhe ndjekur është ai që ndoqën trashëgimtarët e Jonuz Kacelit, i pushkatuar më 27 shkurt 1951, që përmes një vendimi gjyqi arritën këto ditë që të fitonin të drejtën që të hiqet emri i Mehmet Shehut nga një rrugë në Ballsh, që e kish miratuar këshilli socialist në atë bashki, në vitin 2002.