Konspekt nga Peter Leithart i librit të William T. Cavanaugh,The Myth of Religious Violence: Secular Ideology and the Roots of Modern Conflict. Oxford: Oxford University Press, 2009. Hardback, 285 pp, $49.95.
Në fillim ishte feja dhe vetëm feja. Kjo fe ishte e palogjikshme, absolutiste dhe përçarëse rrjedhimisht kaosi mbizotëronte mbi faqen e dheut. Feja i çmendte mbretërit. Për shkak të fesë dhe sepse feja ishte gjithçka, katolikët vrisnin protestantët, protestantët vrisnin katolikët dhe katolikët me protestantët së bashku vrisnin paganët përtej oqeaneve. Errësira mbulonte faqen e dheut dhe nga errësira, diku larg atje në Perëndim, erdhi shteti liberal dhe tha: “U bëftë drita!”. Dhe drita u bë. Ndërsa errësira u frikësua. Shteti liberal e quajti veten sekular. Dhe kështu u bë.
Shteti sekular tha: “Le ta ndajmë fenë nga jeta dhe që errësira të mos kthehet më le të vendosim midis fesë dhe jetës një kupë qiellore të pakalueshme. Le ta varrosim fenë thellë në zemrën e njeriut ku ajo mund të sjellë një farë dobie, por jo dëm dhe le ta bëjmë fenë të parrezikshme dhe racionale. Magjistarët dhe magjistaret si edhe profetët e oborrit (të liberalizmit) bërtitën dhe thanë: “Duhet të veprojmë sipas gjithçkaje që ke urdhëruar”. Dhe kështu u bë. Shteti liberal pa që kjo ishte e mirë dhe për pasojë paqja pikoi njësoj si mjalti prej shkëmbit dhe rrodhi njësoj si vera prej maleve. Luanët darkuan me qengjat. Të gjithë kombet gëzuan në shtetin liberal sepse mëshira e tij zgjat përgjithnjë.
Por, megjithëkëtë, errësira u përforcua. Ajo qau dhe e quajti veten Beck. Ajo u tërbua, zgjati mjekrrën dhe e quajti vetën Bin Laden. Dhe shteti liberal tha: “Errësira është bërë e fuqishme dhe shumë shpejt do të bëhet si një prej nesh. Ne duhet të forcohemi sepse ne jemi dritë dhe drita duhet të triumfoj mbi errësirën”. Dhe shteti liberal tha: “Vigjilenca e përjetshme është çmimi i laicitetit” dhe të gjithë njerëzit, ose shumica e tyre gjithsesi, thanë: “Amen Amen”.
***
Mirëpo një ditë prej ditësh erdhi një njeri i quajtur Bill, i cili mbante në dorë një turrë librash të shkruar nga magjistarët dhe magjistaret si edhe profetët e oborrit (të liberalizmit). Billi tha: “Shteti liberal gënjen. Ai pretendon se na ka shpëtuar nga kaosi, por kjo nuk është e vërtetë. Shteti liberal e krijoi kaosin. Billi e hodhi turrën e librave përpara tyre dhe tha: “Asnjë prej jush nuk e di çfarë është feja”. Shteti liberal iu përgjigj: “Feja është marrëdhënia e njeriut me Zotin”. Billi tha: “Po çmund të themi për Budizmin (i cili është një fe që nuk e njeh konceptin e Zotit shën. i përk.)”. Shteti liberal nisi të belbëzoj duke thënë: “Jo jo, ajo që donim të thonim është që feja është në vete një preokupim përfundimtar (për fatin e njeriut për të vëretat madhore shën. i përk.). Billi iu përgjigj: “Atëherë edhe nacionalizmi, shtetizmi, marksizmi, kapitalizmi dhe socializmi juaj duhet konsideruar fe.”
Shteti liberal u kollit me nervozizëm dhe tha: “Jo jo, ajo që donim të thonim është se fe është gjithcka për të cilën njeriu ia vlen që të vdesë ose të vrasë”. Billi iu përgjigj dhe tha: “Atëherë të thuash se feja shkakton dhunë është njësoj sikur të thuash se gjërat për të cilat ia vlen të vrasësh (ose të luftosh) dërgojnë në vrasje (ose luftë). Mjaft me truket dhe yshtjet e juaja! Sofista!” Dhe shteti liberal u hutua, siç u hutuan të gjithë magjistarët dhe magjistaret si edhe profetët e oborrit të tij mbretëror. Billi u përgjigj dhe tha: “Asnjë prej jush nuk e ka emëruar fenë për të gjitha kohërat dhe për të gjitha vendet. Asnjë emër i tillë nuk ekziston. Shteti liberal u përgjigj dhe tha: “Feja është diçka private dhe intime, dogmatike dhe besimore” Billi tha: “Në fillim nuk ishte kështu. Vetë mitet e juaja tregojnë që nuk ishte kështu. Shumë fe nuk kanë as libra të shenjtë dhe as kredo apo dogma. Shumë fe janë publike dhe të të prirura drejt veprimit të jashëtm. Emërimi i fesë që ju keni bërë ka lindur në Perëndim. Emri “fe” ashtu siç përdoret nga ju nuk është i vërtetë për të gjitha kohërat dhe të gjitha vendet. Hiqni dorë nga akrobacitë e juaja, sepse ato kanë bërë që shumë njerëz të ndjehen të trullosur”.
Billi vazhdoi duke thënë i zemëruar: “Pjellë nëpërkash! Duke drejtuar gishtin ndaj dhunës së asaj që ju e quani “fetare” ju nuk keni marrë parasysh një tjetër dhunë, dhunën e “mirë” të shkaktuar nga vetë ju”. Shteti liberal tha: “Po, por njerëzit e këqinj bëjnë gjëra të këqija në emër të fesë”. Billi iu përgjigj: “Po, është e vërtetë. Njerëzit shkaktojnë dhunë në emër të fesë. Unë nuk jam dërguar për të mohuar se njerëzit “fetarë” mund të jenë të dhunshëm. Nuk jam dërguar, po ashtu, që të pohoj se “sekularistët” kryejnë po aq akte dhune sa edhe fetarët, ndonëse kjo mund të jetë krejtësisht e vërtetë. Unë jam dërguar me një mesazh: “Emërtimi “fe” (i shpikur nga ju) shpërbëhet në asgjë dhe asgjë që është shpërbërë nuk mund të na ndihmojë për të kuptuar përse njerëzit veprojnë dhunshëm.
Pas kësaj, shteti liberal u ndje më tepër i hutuar. Magjistarët filluan të murmurisin dhe disa rrëshkitën dhe u larguan qetësisht diku larg. Megjithëkëtë, shteti liberal foli sërish dhe tha: “Po çfarë mund të themi rreth luftërave fetare? A nuk kemi nxjerrë mësim prej tyre? A nuk erdhëm ne për të shpëtuar botën nga dhuna e fesë? Billi drejtoi gishtin nga turra e librave dhe tha: “Luftërat fetare, nuk ishin të tilla. Librat gënjejnë, dhe e vërteta nuk gjendet në to. Në këto luftra, anëtarët e të njëjtës kishë vranë njeri-tjetrin, anëtarë të kishave të ndryshme luftuan së bashku. Ju mendoni se këto luftra ishin fetare dhe jo diçka tjetër sepse ju keni emëruar diçka “fe” e cila në atë kohë nuk ka ekzistuar”. I tërbuar nga zemërimi Billi vazhdoi duke thënë: “Ato nuk ishin luftra fetare, por luftra që synonin ndërtimin e pushtetit tuaj. Mbretërit pretendonin se po luftonin për fe, ndërkohë që ata po vrisnin rivalët e tyre në mënyrë që të bëheshin më të fuqishëm. Mbretërit pretendonin se po luftonin për fe, ndërkohë që ata luftonin kishën duke marrë pushtet dhe pasuri të patundshme prej saj. Ju, Shteti, nuk jeni shpëtimtarët, por prodhuesit e dhunës”. Shteti liberal heshti, sepse e dinte që Billi kishte thënë të vërtetën. Billi vazhdoi të thoshte: “Emri “fe” që ju përdorni është shpikur gjatë “luftrave fetare”. Ai u shpik në mënyrë që tju ndihmonte në ndërtimin e një kupe qiellore midis fesë dhe jetës dhe ta bënte atë të dukej sikur ju ishit shpëtimtarët.
“Feja”, ashtu siç e përshkruani ju, nuk ishte shkaku, por rezultati i “luftrave fetare”, njësoj siç ishte edhe emri “sekular””. Billi vazhdoi të këmbëngulte duke thënë: “Shtetet e ndërtuara nga rrënojat e këtyre luftrave ishin shtete konfesionale dhe absolutiste. Shteti liberal erdhi shumë më vonë, por ju e justifikuat veten duke bindur çdokënd se keni shpëtuar Evropën nga feja”. Pas kësaj, pjesa më e madhe e magjistarëve dhe profetëve të oborrit u larguan.
Megjithëkëtë, shteti liberal vazhdoi: “Nëse po thua të vërtetën, atëherë përse janë kaq të shumtë ata që na druhen, na duan dhe kanë besim tek ne si shpëtimtarë të tyre? A mund të jenë në gabim kaq shumë njerëz? Billi kishte menduar gjatë dhe thellë në lidhje me këtë çështje. Ai kishte si synim që ta shtinte shtetin liberal në këtë kurth. Ai buzëqeshi dinakërisht dhe tha: “Kush përfiton? Kush nxjerr fitim prej gësheshtrës tuaj? Ai iu përgjigj vetë kësaj pyetjeje dhe tha: “Ju përfitoni! Emërtimi fe është i dobishëm për ju. Përmes tij you i lejoni njerëzve të bëjnë disa gjëra në publik të cilat ju i quani “sekulare” dhe përmes tij ju nuk i lejoni njerëzve të bëjnë të tjera gjëra në public të cilat ju i quani “fetare”. Përmes tij ju pretendoni se po na mbroni nga “feja” e dhunshme në mënyrë që ne tju duam juve. Përmes mërtimit fe ju nxizni zell patriotik që ngjan bash si “fe”, por të cilën ju e quani “sekularja”. Përmes tij ju kërkoni që rinia të japë jetën si sakrificë për ju dhe në të njëjtën kohë na thoni se rinia tjëtër që jep jetën si sakrificë për Zotin janë të marrosur.
Përmes tij, ju inkurajoni turma të mëdha të valëvisin flamuj në avionë luftarakë, por i ndaloni turmave të vogla që të luten nëpër shkolla. Përmes emërtimit të diçkaje si fe ju dëshmoni se Perëndimi është superior ndaj pjesës tjetër të botës. Përmes tij ju e justifikoni veten nga të hedhurit e bombave në tërë pjesën tjetër të botës, e cila ende nuk ka e ka njohur kupën qiellore të vendosur midis fesë dhe jetës, ndaj të gjithë atyre të cilët nuk janë si ju. Pas kësaj, Billi vështroi, dhe ja, shteti liberal kishte ikur dhe vetëm një prej magjistarëve, magjistareve dhe profetëve të oborrit kishin mbetur aty. Magjistari që kishte mbetur tha: “Nëse shteti liberal nuk ka shpëton, kush do të na shpëtoj atëherë? Cfarë duhet të bëjmë për të shpetuar? Por Billi kishte mbaruar së foluri. Magjistari i mbetur vështroi, dhe ja, dheu ishte mbushur me trupat e armiqve të Billit. Në këtë moment ai tha: “Si një pacifist që është, Billi lë kasaphanë të madhe pas tij”.
***
Magjistari i mbetur, prej amerike, iu përgjigj dhe tha: “Cmund të themi për amendamentin e parë? Një tjetër ze, jo zëri i Billit, iu përgjigj dhe tha: “Kushtetuta nuk e di se çdo të thotë fe. Shteti liberal ka vendosur fenë e tij, një fe të quajtur “sekularja” dhe mjerë për heretikët. Amerika është shteti më liberal në botë”. Magjistari i mbetur, ai prej amerike, iu përgjigj: “Po për sa i përket luftës kundër terrorit”? Një tjëtër, jo zëri i Billit, iu përgjigj dhe tha: “Ajo është një luftë fetare, një luftë ndërmjet fesë së quajtur “sekularja” dhe fesë së quajtur “islamizëm”. Magjistari i mbetur, prapë ai prej amerike, iu përgjigj sërish duke thënë: “Nëse shteti liberal nuk na shpëton, kush do të na shpëtoje atëherë? Cfarë duhet të bëjmë për të qenë të shpëtuar. Një tjetër zë, jo zëri i Billit, por një zë nga qielli tha: “Nënshtrohuni Birit, që të mos zemërohet…”
[Kjo shprehje e fundit është marrë nga Plasmi 2:12 dhe kuptimi i përgjithshëm është nështroju Zotit dhe largoju zemërimit të tij. Shën. i përk.]
Peter J. Leithart
William T. Cavanaugh është profesor i teologjisë në DePaul University. Universitetin e kreu në University of Notre Dame në vitin 1984, ndërsa masterin në Cambridge University në 1987. Më pas ai mbaroi doktorraturën në Duke University në vitin 1996. Ai është autori i një sërë librash të cilët janë përkthyer në shumë gjuhë të botës.
Peter J. Leithart (lind. 1959) është një prift i kishës presbiteriane dhe teolog i njohur. Ai është autor i librave të shumtë dhe aktualisht është president i “Trinity House Institute for Biblical, Liturgical, & Cultural Studies” në Birmingham, Alabama.