Garda Revolucionare e Iranit ka kërcënuar përmes kanalit të saj Telegram se në rast se Irani do të sulmohet në tokën e vet ajo do të sulmojë qytetet si Dubai, në Emiratet e Bashkuara Arabe, dhe Haifa, në Izrael, në valën e tretë të operacioneve, raporton CNN.
Pas kërcënimeve amerikane se do të përgjigjen ndaj sulmeve iraniane kundër dy bazave ajrore irakiane, ku ka forca amerikane, Garda Revolucionare kërcënoi se nëse sulmohet atëherë do të godasë Shtetet e Bashkuara në territorin amerikan.
CNN raporton se Garda Revolucionare e Iranit, e cila ka marrë përsipër sulmin e sontëm ndaj dy bazave ushtarake amerikane në Irak, ka kërcënuar me sulme brenda Amerikës.
Në kanalin e vet Telegram, kjo Gardë tha se “Pentagoni raporton se SHBA-të do të përgjigjen ndaj sulmevetë Iranit”.
“Kësaj radhe ne do të përgjigjemi ndaj jush në Amerikë”, citohet të ketë thënë Garda Revolucionare.
Dhjetëra raketa janë hedhur drejt bazave ajrore në Irak, ku ka edhe ushtarakë amerikanë, nga Garda Revolucionare e Iranit, si përgjigje ndaj vrasjes së gjeneralit të saj, Qassem Soleimani, nga një dron amerikan, në afërsi të Bagdadit, pak ditë më parë.