GJYKATA SPECIALE TË FILLOJË ME DËNIMIN E KRIMINELËVE QË E VRANË KOLONEL AHMET KRASNIQIN
Shefqet Jashari-STROFCI
Edhe disa muaj po bëhen 20 vjet nga çlirimi i Kosoves. Por gjatë kësaj periudhe vendi dhe populli ynë, veçmas familjarët e vrasjeve politike përjetuan gajle (sfida) të shumta dhe të lloj-llojshme. Më në fund Kosovës iu hap një dritare e shpresës se kriminelët që shëmtuan Kosovën me krime të shumta makabre, po i pret dënimi nga Gjykata Speciale.
Duke shpresuar se rrethanat dhe kushtet në të cilat po fillon të punojë Gjykata Speciale janë krejtësisht të tjera, shumëfish më të mira për të pasur sukses kjo gjykatë sesa kur vepronte Gjykata e UNMIK-ut, apo edhe Gjykata e EULEX-it duhet të bindemi se Gjykata Speciale nuk do të dështojë, me një kusht, që të përkrahet pa rezervë nga organet shtetërore dhe subjektet politike, organizatat joqeveritare dhe opinioni i gjerë, së bashku me mjetet e opinionit publik. Me siguri, Prokuroria e Gjykatës Speciale ka mbledhur të dhëna të konsiderueshme për kriminelët që kanë bërë krime të luftës dhe krime të tjera të pasluftës. Jemi të bindur se Gjykata Speciale do t’i japë përparësi shqyrtimit të dosjes së Ahmet Krasniqit, sepse me burgosjen dhe dënimin e kriminelëve që e vranë Ahmet Krasniqin, do të zgjidhej fija e krimeve të tjera të luftës dhe të pasluftës.
Edhe pse atentati ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes të Republikës së Kosovës dhe komandantit të FARK-ut, kolonel Ahmet Krasniqit, është vrasja më makabre, tradhti mbi tradhti, krim mbi krim, me faktet dhe argumentet që i ka në dispozicion opinioni i gjerë, është vrasja më e lehtë për t’u hetuar dhe për t’i qitur para drejtësisë kriminelët që morën pjesë në vrasjen e tij.
Po që se Prokuroria e Gjykatës Speciale do t’i merrte parasysh këto argumente që ne po i paraqesim në këtë shkrim, e që opinioni ynë veç është i njoftuar me shumicën prej tyre, Prokuroria shumë shpejtë do t’i gjejë kriminelët urdhërues dhe kriminelët doras që e përgjakën Tiranën, më 21 shtator 1998, duke e vrarë komandantin e FARK-ut dhe ministrin e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, kolonel Ahmet Krasniqin.
Opinioni ynë është i njohur me deklaratën e magjistër Januz Terstenës, ministër i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Bukoshit, i cili në një tubim që e pati me shqiptarët me qëndrim dhe punë në Austri, pati deklaruar: “Ne e dimë saktësisht se kush e ka vrarë kolonel Ahmet Krasniqin. Ne ia kemi ofruar Prokurorisë së Tiranës të gjitha të dhënat e sakta për personat që kanë gisht në këtë vrasje, por Prokuroria ka pezulluar hetimet rreth kësaj vrasjeje. Dhe, ne e dimë pse janë pezulluar këto hetime, sepse prapa këtij akti terrorist fshihet një klan i madh politik shqiptar në Shqipëri dhe në Kosovë ’’. (Shiko shkrimin e Bajrush Morinës, me titull: Tërstena: “Në Qeverinë tonë ka gabime, por në Qeverinë Thaçi ka sherr’’, botuar në “Bota sot”, më 22 qershor 1999.
Kolonel Tahir Zemaj, në librin e tij “Kështu foli Tahir Zemaj”, shpjegon për takimin e dytë që pati, në mbarim të muajit gusht të vitit 1998, me dy argatët më besnik të Xhavit Halitit, Hashim Thaçin dhe Rexhep Selimin, qëllimi i të cilëve ishte ta bëjnë të pavlefshme marrëveshjen e 20 – 21 gushtit të vitit 1998 për formimin e Zonës së Tretë Operative të Rrafshit të Dukagjinit, ku në bazë të Marrëveshjes së Oslos, u krijua një komandë e përbashkët në mes njësive operative të UÇK – së, që i komandonte Tahir Zemaj, dhe njësive territoriale të UÇK – së, që i komandonte Ramush Haradinaj.
Tahir Zema shpjegon: “Hashim Thaçi dhe Rexhep Selimi kishin nënshkruar një dekret, sipas të cilit vendi im ishte ndryshuar me atë të Ramush Haradinajt. Pra, Ramushi u caktua komandant, ndërsa unë zëvendës i tij. Të gjithë njerëzit e tyre ishin ngritur në përgjegjësi, ndërsa tanët ishin ulur ose hequr fare. Përderisa bëhej fjalë drejtpërdrejt për mua, kam thënë se nuk kisha kurrfarë kundërshtimi nëse komandanti i Shtabit Suprem, apo Kryeministri i Kosovës, e urdhëron një gjë të tillë, unë si ushtarak zbatoj vetëm urdhrat. E kanë ndërprerë takimin dhe me telefon e kanë thirrur zotëri Ahmet Krasniqin, ku përreth një orë, në prezencën time, të Thaçit dhe të Rexhep Selimit, kolonel Krasniqi nuk ka pranuar të zëvendësonin Tahir Zemën. Ai iu ka thënë atyre se ata po e shkelin një marrëveshje …’’ Përpara se ta mbaronte bisedën me kolonel Krasniqin, Thaçi i ka thënë: “Me ty shumë shpejt do ta kryej misionin” dhe ka filluar të shajë”. Pastaj, Tahir Zemaj vazhdon: “Është fakt se Hashim Thaçi, një natë para se të vritej Ahmet Krasniqi, takohet dhe fle në Tiranë në banesën e Ibrahim Kelmendit….’’. Shih librin: “Kështu foli Tahir Zemaj”.
Rexhep Kastrati në shkrimin e tij me titull: ”Sabit Geci, Hashim Thaçi dhe Rexhep Selimi, duhet të sqarojnë vrasjen e Ahmet Krasniqit’’, e njofton opinionin me të dhëna të rëndësishme në lidhje me vrasjen e Ahmet Krasniqit, kur thotë: “Sabit Geci në pranverë të vitit 1998, jo shumë kohë pas vrasjes së Adem Jasharit, në Llaushë, në prani të mbi pesëdhjetë ushtarëve të UÇK – së, ku ishin të pranishëm edhe Hashim Thaçi, Rexhep Selimi dhe Gani Koci, kishte deklaruar se do ta vrasin Ahmet Krasniqin, Ibrahim Rugovën, Fehmi Aganin etj. As Hashim Thaçi, as Rexhep Selimi nuk kishin reaguar për të përgënjeshtruar këtë pohim të Sabit Gecit.’’ Shiko: “Bota sot’’, 9 tetor 2000.
Në muajin gusht, në Shqipëri patën shkuar tinëz ( pa dijeninë e opinionit publik) Adem Demaçi, Rexhep Qosja, Hidajet Hyseni, Bujar Bukoshi, Gani Syla, Rexhep Selimi, Hashim Thaçi e bajraktarë të tjerë të “farës ruse’’, për të marrë vendime, së bashku me Xhavit Halitin dhe Azem Sylën, për rrjedhat e ngjarjeve që duhet të zhvillohen në Kosovë, në Shqipëri dhe në diasporë. Me siguri, edhe çështja e FARK – ut dhe Ministrisë së Mbrojtjes ka qenë temë për të cilën kanë biseduar këta krerë të faqeve të zeza.
Në fillim të shtatorit të vitit 1998, ia bëra një vizitë Sabri Novoselës në Durrës. Me atë rast u njoftova me Besnik Lajqin, i cili kishte qenë mysafir i Sabriut. Gjatë bisedës Sabriu na njoftoi se Nasim Haradinaj me disa shokë të tij, të demoralizuar nga humbjet që i kishte pasur UÇK-ja, kanë vendosur që armatimin të cilin e kanë në Tropojë të ia japin Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës së Kosovës.
Mua më porositi që t’ia transmetoj Ahmet Krasniqit këtë porosi. Të nesërmen ia përcjella porosinë e Sabriut. Pas dy ditësh Sabriu, së bashku me Besnik Lajqin, janë takuar me Ahemt Krasniqin për të biseduar lidhur me çështjen e armatimit. Pas disa ditësh zotëri Lajqi vjen në Drejtorinë Informative të Ministrisë së Mbrojtjes për të më treguar se kanë ardhur nga Tropoja “ata djemtë për çështje të armatimit’’. Më tha se duhet ta njoftoj Ahmet Krasniqin. Unë e mora në telefon Hilmi Nebihun. Ai më tha se pas një ore le të vijnë për takim në banesën ku banonte Ahmet Krasniqi, (së bashku me Hilmi Nebihun, Shefqet Jashari-Strofcin dhe Naim Mujën). Edhe pse i thash Lajqit që të vijë në atë takim, ai nuk erdhi.
Unë mbërrina i pari në banesë. Pastaj erdhi Ahmet Krasniqi, Hilmi Nebihu dhe Isa Haziri. Nuk vonoi shumë dhe erdhi Sabri Novosela me vëllezërit e tij, Bedriun dhe Selatinin. Pas pak kohe erdhën “djemtë nga Tropoja’’ . Printe një burrë i vjetër, i moshës rreth 70 vjeçe, dhe pas tij, dy burra të një moshe mesatare, rreth 35 vjeçe. Nasim Hajradinaj nuk ishte në mesin e tyre. Sipas Besnik Lajqit, delegacioni përbëhej nga “Komandant Zeza’’- i ashtuquajturi gjatë luftës me nofkën “Komandant Qorri’’, që në fakt ishte Zharku “ i famshëm” i pasluftës.
Ndërsa “70-vjeçari ’’, sipas tij, ishte “mik’’ i familjes së Ahmet Krasniqit ?!, ndërsa për të tretin nuk kishte pasur njohuri se kush ishte. Edhe pse takimi ishte organizuar për dorëzimin e armatimit Ministrisë së Mbrojtjes, “70-vjeçari”, si përfaqësues i delegacionit, në atë takim fare nuk e përmendi çështjen e armatimit. Ai filloi me akuza ndaj Ahmet Krasniqit dhe Ministrisë së Mbrojtjes, se kinse nuk e kanë ndihmuar UÇK-në me kurrfarë mjetesh financiare. Ahmeti i tregoi me fakte (dëshmi me shkrim) për ndihmat që i janë dhënë UÇK-së, por foli edhe për Marrëveshjen e Oslos, duke kërkuar nga “70-vjeçari ’’ që të ndikonte tek njerëzit që ka ndikim për respektimin e asaj marrëveshjeje.
Takimi përfundoi pa biseduar për çështjen për të cilën ishte organizuar takimi.
Ky është një fakt se qëllimi i këtij takimi nuk ka qenë çështja e armatimit, por ka pasur tjetër qëllim. Jam i bindur se “70-vjeçari’’ ka qenë përfaqësues i SHIK-ut të Fatos Klosit, i cili e ka bërë vlerësimin se me çfarë mjetesh të pengohet Ahmet Krasniqi dhe FARK-u për synimet e tyre, që kah fundi i muajit shtator të futen në frontin e luftës në Kosovë, me të gjitha njësitë operative të UÇK-së, që i kishte formuar Ministria e Mbrojtjes, me urdhër të komandantit të FARK-ut, kolonel Ahmet Krasniqi. Ndërsa për dy të rinjtë që e kanë shoqëruar “Bajraktarin ’’ e tyre, do të bie dyshimi se njëri, apo të dytë, janë pjesëmarrës në vrasjen e Ahmet Krasniqit.
Një javë para se të vritej Ahmet Krasniqi, Xhavit Haliti nëpërmjet Televizionit të Shqipërisë, e “njofton’’ opinionin shqiptar dhe atë ndërkombëtar, se Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Kosovës po “përgatit grushtshtet kundër Qeverisë së Shqipërisë’’, qëllimi i të cilit ishte që opinioni ynë dhe ai ndërkombëtar ta arsyetojnë vrasjen e Ahmet Krasniqit që ishe planifikuar të bëhej në Tiranë.
Adem Demaçi një ditë para se të vritej Ahmet Krasniqi, e njofton opinionin, nëpërmjet shtypit, se është në “pushim mjekësor’’ dhe se mjekët ia kanë “ndaluar’’ të komunikojë me gazetarë dhe mysafirë për “një kohë të pacaktuar’’!!! Shih shkrimin e botuar në “Bota sot”, më 22 shtator 1998, me titull: “ Adem Demaçi në pushim mjekësor të gjatë’’. Ka dëshmitar që e vërtetojnë se një anëtarë i kryesisë së Nëndegës së Partisë Parlamentare të Kodrës së Trimave në Prishtinë, i ka thënë një anëtari të Nëndegës që mos të shqetësohet për shëndetin e Demaçit, se ai ‘’është mirë, por puna po e lyp me thënë ashtu’’. Fatmirësisht, Demaçi u “shërua’’ shumë shpejt, por “Baca i Kosovës’’ dhe “Mandela i Evropës’’ nuk pati kohë të merret me këto çështje dhe nuk e pa të udhës, së paku me dy fjalë, t’i kundërshtojë atentatet që u bënë në Tiranës dhe në Prishtinë.
AHMET KRASNIQI U TRADHTUA EDHE NGA SHOKËT E TIJ
Çka nuk mund ta bëjë armiku, ndonjëherë ta bënë miku! (fjalë e urtë popullore)
Rrethanat politike dhe ushtarake gjatë muajit gusht-shtator të 1998 për UÇK-në dhe popullin tonë murën një grusht të rënd si pasojë e veprimtarisë kriminele dhe antishqiptare të kompllotistëve në krye me Demaçin, Bukoshin, Qosjen dhe argatve të Serbisë në krye me Xh. Halitin, J. Krasniqin, H. Hysenin, H. Thaçin, K. Veselin, R. Selimin &Compani, që refuzuan kërkesen e diplomatëve të shquar të SHBA-ve për krijimin e një Qeverie të përbashkët të të gjitha subjekteve politike dhe ushtarake të Kosoves(në vend të qeverisë së Bukoshit), njëkohësishtë shkelen Marrëveshjen e Osllos dhe e shkatrruan Zonen e Tretë Operative të Dugagjinit që u krijua në bazë të Marrveshjes së Osllos në mes Tahir Zemajt dhe Ramush Hajradinajt.
Përçarja që krijuan këta tradhtarë të kombit i dhanë forcë politike, diplomatike dhe ushtarake Beogradit për të marrë një fushatë ushtarake kundër forcave ushtarake në miniaturë të shqiptarëve të përçarë. Për ushtrinë serbe ishin të mjaftueshme tri ditë për t’ua shkelur teritortet e,,çliruara’’ UÇK-së dhe për t’i detyruar në panikë të largohen për Shqipëri ,,gjeneralët’’e komandant ,,Dajes’’-Azem Syles.
Në këto rrethana u detyruan edhe forcat e FARK-ut në krye me Tahir Zemejn të largohen, por jo në panikë, por në bazë të taktikes manovruese ushtarake, pa pësuar humbje ushtria dhe as popullësia civile.
Ahmet Krasniqi duke ditur se rrethanat e krijuara në Kosovë shkonin në favor të Beogradit vendosi që të mos humbi kohë duke i lutur krerët e LPK-së dhe LBDK-së për t’u bashkuar, kur veç e treguan fytyren e vëretë të karrjreristit dhe tradhtarit, vendosi që në kohen sa më të shkurtër të futet në Kosovë me të gjitha njësit operative të UÇK-së, që e përbënin FARK-un. Për këtë qëllim Kolonel Krasniqi më 13 shtator të vitit 1998 pat shkuar për t’i vizituar njësitë operative të UÇK-së , që bënin përgatitjet e fundit për të hyrë në frontin e luftës në Kosovë: Brigadën Skënderbeu, Brigadat: 141, 142, 143, të stacionuara në Vuçidol, Papaj, Babinë dhe Kolsh. Pas një jave kthehet në Tiranë.
Për Ahmetin Krasniqin ishte një shenjë e keqe që bashkëpunëtorët e tij të ngushtë: Agim Mehmeti, (ndihmës i ministrit të Ministrisë së Mbrojtjes), Hilmi Nebihu, (shef i Shërbimit Informativ), dhe Ismat Ibrahimi, (kryeshef i sigurimit në kuadër të Shërbimit Informativ), ia kishin ndërruar banesën nga banesa ku banonte me një banesë tjetër, pa e pyetur fare. Banesa ku kishte banuar ai ishte në qendër të Tiranës ( mbrapa Piramidës së Enver Hoxhes (në banesat e oficerëve), ndërsa banesa që do të duhej të banonte Ahmeti ishte larg qendrës së qytetit, në një rrugicë të ngushtë njëkaheshe , e pa ndriçuar, vend shumë i përshtatshëm për kriminel për të kryer vepra kriminale. Në atë ndërtesë që iu sigurua banesa kolonel Krasniqit, ishte Drejtoria Informative e Ministrisë së Mbrojtjes, që ishte marr me qira nga Haki Toska, një anëtarë i besueshëm i SHIK-ut të Shqipërisë. Por “shokët’’e Ahmet Krasniqit nuk ia kishin ndërruar banesën se pronari i saj kishte kërkuar t’ia lirojnë banesën, por ia kishin ndërruar për tjera qëllime. Njëri prej atyre qëllimeve u pa se ishte rehatimi i Halil Bicës në atë banesë. Në pyetjen që ia pata shtruar Hilmi Nebihut pasi u vra Ahmeti : Pse Hilmi ia ndërruat banesën Ahmetit? Ai më dha këtë përgjigje: Po, ia ndërruam për shkaqe sigurie. Jo, Hilmi, i thash, kjo nuk mund të jetë e vërtetë. Po të ishte ashtu siç po thua, ju do t’ia siguronit banesën Ahmetit në ndërtesën e Shtabit të FARK-ut. Hilmiu vetëm i rrudhi krahët, e nuk më dha kurrfarë përgjigje.
Një sqarim për lexuesit: Shtabi i FARK-ut ka qenë afër Ambasadës së SHBA-së, në rrugën kryesore që shkon për Elbasan, 50 m larg asaj rruge (në anën e majtë të saj) ishte ndërtesa njëkatshe, me oborr të thurur me muri, ndërsa jashtë ndërtesës ishin të instaluara kamerat, për të vëzhguar rrugën që të qonte në rrugën kryesore Elbasan- Ambasada e SHBA-së. Nuk ka qenë e mundur që ndonjë këmbësor apo veturë të kalonte asaj rruge e të mos incizohej nga kamerat.
Opinioni është i njohur me bastisjen e Drejtorisë Informative të Republikës së Kosovës nga SHIK-u i Klosit dhe Policia e Shqipërisë, disa ditë para se të bëhej atentat ndaj kolonel Krasniqit. Por, nuk e ka plotësisht të qartë pse u bastis vetëm ky objekt i Ministrisë së Mbrojtjes, e nuk u bastisë objekti tjetër ku ishte selia e FARK-ut, që ishte edhe më i rëndësishëm, pasi që aty e kishte selinë FARK-u. Kjo është e qartë për njohësit e rrethanave që u krijuan në këtë subjekt ushtarak në kohën e fundit.
Me bartjen e garderobës së Ahmet Krasniqit nga banesa që banonte në banesën e re që ia siguruan ,,shokët’’ e tij, qenë të detyruar që së bashku me gardërobën, t’ia dërgojnë edhe automatikun dhe pistoletën e tij që ai e mbante në dhomën ku banonte.
Me siguri, argatët e komplotistëve që kishin poste të rëndësishme në Ministri dhe në FARK, i kishin njoftuar padronët e tyre për armët që i kishte në dispozicion kolonel Krasniqi. Pra ky ishte shkaku i bastisjes së Drejtorisë Informative të Ministrisë së Mbrojtjes.
GJYKATA SPECIALE TË FILLOJË ME DËNIMIN E KRIMINELËVE QË E VRAN KOLONEL AHMET KRASNIQIN
Po ashtu, opinioni ynë është i njoftuar për aktivitetin e kolonel Krasniqit gjatë ditës së 21 shtatorit 1998, kur u bë atentat ndaj tij. Ajo ditë u shfrytëzua për biseda individuale dhe të përbashkëta me një numër ushtarakësh madhorë, të cilët kishin marrë pjesë në frontin e luftës në Kosovë, siç ishin: Tahit Zemaj, Agim Ramadani, Salih Çekaj, Rrustem Berisha, Fadil Hadergjonaj e ndonjë tjetër. Shkëmbeheshin informata, njoftime për rrjedhat e ngjarjeve që ndodhën në Kosovë e në Shqipëri, për pengesat, problemet, sukseset dhe mossukseset etj. Kolonel Krasniqi për t’i respektuar kolegët e tij ushtarakë, për sukseset e arritura në Luftën çlirimtare të Kosovës, i ftoi të marrin pjesë në një darkë pune në restorantin “Nëna Mbretëreshë’’, që nuk ishte shumë larg objektit të FARK-ut, dhe të merren vendime në bazë të bisedave që u zhvilluan gjatë ditës në objektet e Ministrisë. Në atë darkë pune Ahmet Krasniqi i ftoi ushtarakët: Agim Ranmadanin, Salih Çekajn, Fadil Hadergjonajn, Rrustem Berishën, Agim Mehmetin, Rifat Haxhiajn, Esat Ademin, Shaban Mehmetin, Isa Hazirin, Hilmi Nebihun, Halil Bicajn, Ismet Ibrahimajn, financistin e Ministrisë ( emri nuk po më kujtohet). Në atë darkë ishin edhe tre shoferët: Agimi, Fadili dhe Naimi. Kolonel Krasniqi nuk e lejoi të merrte pjesë në atë darkë pune kolonel Tahir Zemajn, pasi që gjatë asaj dite ishin bërë përpjekje të bëhet atentat ndaj tij.
Ndërsa Agim Mehmeti nuk iu përgjigj thirrjes, edhe pse prezenca e tij ishte e domosdoshme, duke ditur për funksionin që kishte në hierarkinë ushtarake të këtij institucioni të rëndësishëm të Republikës së Kosovës. Siç është njoftuar opinioni, në atë takim është marrë vendimi unanim se brenda një jave të bëhen përgatitjet e fundit për të hyrë në frontin e luftës në Kosovë me të gjitha njësitë operative të UÇK-së, nën komandën e Ahmet Krasniqit dhe Shtabit të Përgjithshëm të FARK-ut.
Por, komplotistët në krye me Xhavit Halitin, Azem Sylen, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Ibrahim Kelmendin, Adem Demaçin, Bujar Bukoshin, Jakup Kraniqin, Hidajet Hysenin, Bardhyl Mahmutin, Rexhep Selimin, SHIK-un e Fatos Klosit dhe SHIK-un e “Zekes’’- LPK-së, së bashku me argatët e tyre që i kishin futur në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në FARK, i kishin marr masat e duhura qysh me kohë, që këto synime të Kolonelit dhe subjekteve ushtarake që ai i drejtonte të mos realizohen. Faktet e cekura më parë në këtë shkrim, do t’i plotësojë vetëm edhe me një fakt shumë të dhimbshëm. Shokët e tij që ishin përgjegjës për sigurinë e kolonel Krasniqit dhe të subjektit që e përfaqësonin, Agim Mehmeti, Hilmi Nebihu dhe Ismat Ibrahimi, e lanë pa truproje atë natë të kobshme për popullin dhe kombin tonë. Në “gojën e ujkut’’ e dërguan Ahmet Krasniqin, së bashku me drejtorin e Drejtorisë Informative, ushtarakun Rifat Haxhiaj dhe shoferin Naim Gecin. E dërguan Ahmet Krasniqin në atë vend që e kishin zgjedhur për ta pushkatuar SHIK-u i ”Zekës’’ dhe SHIK-u i Klosit, në vendin më të përshtatshëm që kriminelët ta kryejnë krimin pa qenë të frikësuar nga ndonjë e papritur, në një rrugicë të pandriçuar, vend shumë i përshtatshëm për kriminelë për të bërë krime.
Po, e vranë kolonel Ahmet Krasniqin, sepse ai ishte i gatshëm të sakrifikohej për Kosovën, për lirinë e qytetarëve të saj, sepse e deshi Shqipërinë dhe çlirimin e Viseve shqiptare më shumë se vetveten, më shumë se çdo gjë në këtë botë, jo vetëm me fjalë, por me punë të përkushtuar.
Se vrasja e Ahmet Krasniqit është organizuar mirë dhe se për vrasjen e tij janë paralajmëruar ushtarakë të Ministrisë që ishin të ngarkuar për sigurinë e tij dhe të subjektit ushtarak që i takonin, ka shumë fakte. Po ashtu, edhe opinioni i gjerë është paralajmëruar se do të bëhen atentate ndaj personaliteteve që e përkrahen vijën institucionale të President Ibrahim Rugova.
Bardhyl Mahmuti një natë para se të vritej Ahmet Kraniqi, në një tubim që u mbajt në Suedi, ku mori pjesë së bashku me Hidajet Hysenin, tërthorazi paralajmëroi se do të vritet Ahmet Krasniqi.
Argatët e komplotistëve të Kosovës në Gjenevë, duke qenë në dijuni se do të vritet Ahmet Krasniqi, organizuan një tubim me bashkëveprimtarë e tyre natën kur u vra Ahmet Krasniqi.
Duhet cekur se masa e tubuar e priti me duartrokitje lajmin e vrasjes së Ahmet Krasniqit, ndërsa mjeranë kokëkrisur, anëtarë të LPK – së dhe të LBDK – së, ahmakë të padijshëm dhe sakatë në tru, në Kosovë, Shqipëri dhe diasporë, ngritën dolli dhe shtruan darka gëzimi për vrasjen e kolonel Ahmet Krasniqit, ndërsa “ushtarë’’ të Xh. Halitit, H. Thaçit e të R. Selimit shkrepën rafalë automatikësh për të festuar “fitoren e UÇK-së ‘’ , (klanit nanoisto – qosiq të UÇK-së).
Për këtë vrasje u gëzuan shkjetë e Prelluzhës, Gracës dhe të Plemetinit, të cilët shtruan darka gëzimi dhe shkrepën rafalë automatikësh në drejtim të Zhilivodës – vendlindjes së Ahmet Krasniqit. Ushtria dhe policia serbe duke ditur se me vrasjen e kolonel Ahmet Krasniqit u krijuan ndarje dhe përçarje të thella ndërmjet shqiptareve, nuk shkrepën rafalë automatikësh në hava nga gëzimi për vrasjen e kolonelit, siç shkrepnin “ushtarët’’ e “oficerët’’ e LPK – së dhe LBDK – së, por menjëherë e filluan fushatën për shkatërrimin e UÇK – së. Ushtria dhe policia serbe filloi aksionin për t’i masakruar banorët e territoreve të “çliruara’’ që i shpallën argatët e Nanos nëpërmjet komunikatave të tyre. Zhilivodën e Aziz Zhilivodes e kallën flakë, ndërsa shtëpitë e djemve të Azizit dhe të Ahmetit i kallën dhe i rrafshuan me tokë. Ndërsa komandantët e vetëshpallur të UÇK-së së Xh. Halitit ikën për Shqipëri, duke i lënë ushtarët e tyre të gjenden si të munden dhe si të dinë për ta shpëtuar shpirtin. Shumë uniforma dhe armë të UÇK-së së Xh. Halitit dhe H. Thaçit u hodhën llugave dhe maleve, për t’iu bashkëngjitur masës së trishtuar të popullsisë civile që kërkonin shpëtim jashtë Kosovës me “norën” e organizatave humanitare.
Ja pra, ky ishte shpërblimi që fitoi populli ynë nga pehlivanët e Nanosit, në krye me Xh.Halitin, A. Sylen, K. Veselin, H. Thaçin, J.Krasniqin, H. Hysenin&Compani si dhe nga komplotet e Demaçit, Qosjes, Bukoshit dhe argatët e tyre zemërzi, me përçarja që mbollën në mes shqiptarëve para se të fillonte lufta, gjatë luftës dhe në veçanti pas vrasjes së kolonel Ahmet Krasniqit e veprimtarëve tjerë të shquar të LDK-së dhe të Kosoves.
Shpresojmë se kriminelët e mëdhenj që dhanë urdhër, dhe të gjithë kriminelët tjerë që morën pjesë në vrasjen e këtij Burri të Madh të Shqiptarisë, do ta marrin dënimin e merituar, herën e parë nga Gjykata Speciale, dhe pastaj nga Zoti Fuqiplotë !