3.3 C
Pristina
Thursday, November 28, 2024

“Më shkoi mendja vetëm mua, askujt në botë”, japonezja ‘flliq’ Ramën: Ja nga e vodhi idenë e hoteleve me 5 yje

Më të lexuarat

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe shumë anëtarë të qeverisë dhe partisë së tij kanë mashtruar publikun shqipfolës për një javë rresht, duke përsëritur se strehimi i viktimave të tërmetit nëpër hotele është një ide e kryeministrit, që po ndodh për herë të parë në historinë e botës.

“Këtu është vëmendja e qeverisë se po të mos kishte vëmendje, do ishit akoma në shi dhe në çadër. Nuk është se nuk kanë ndodhur këto gjëra më përpara, por nuk ka bërë vaki ndonjëherë që njerëz të prekur nga fatkeqësitë të vijnë në hotele me pesë yje,” u tha Rama viktimave të tërmetit, pa arritur ta përmbajë dot mburrjen.

Në në një intervistë, ai tha edhe se strehimi në hotele nuk ishte thjesht njëra nga zgjidhjet e pjesshme të mundshme: “Kjo është një zgjidhje ideale, që nuk i ka shkuar mendja njeriu. Më shkoi mendja mua dhe ja ku është, ” tha kryeministri, kësaj here pa u përpjekur fare ta përmbante mburrjen.

Këto komente janë kopjuar vazhdimisht, sipas aftësive së gjithkujt, nga anëtarë të qeverisë dhe të partisë në pushtet gjatë kësaj jave.

Pardje, p.sh., zëvendësministrja e Brendshme Rovena Voda tha se ishte krenare për qeverinë, pasi strehimin në hotele nuk e kishtë bërë asnjë shtet tjetër. Të njëjtin koment të Ramës e reflektoi edhe Valbona Sako, ish-kryetarja e Bashkisë Durrës, megjithëse me ca shtesa më pa takt.

Deklarata fillestare e kryeministrit duket se e ka bërë të gjithë qeverinë dhe partinë e tij viktimë të hipotezës së shpikjeve heroike, e cila mëton se shpikjet janë produkt i gjenialitetit dhe punës së një personi të vetëm.

Në historinë e shkencës ka jo pak raste të zbulimeve të njëkohshme, të vërteta apo të pretenduara (tabela periodike, adrenalina, telefoni e dhjetëra shpikje të tjera). Megjithatë, duket se ka pak gjasa që këmbëngulja e qeverisë, se këtë ide a ka pasur për herë të parë kryeministri aktual i shqiptarëve, të jetë e sinqertë. E sigurt është se pretendimi është i pavërtetë.

Në një bisedë me një mikeshë nga Japonia – vend të cilin Kryeministri Rama dhe mediat pranë tij e kanë përdorur për të gjitha arsyet e gabuara në propagandën e menaxhimit virtual të gjendjes pas tërmetit – mësova se strehimi i viktimave nëpër hotele është, në fakt, një ndodhi e zakonshme në shumë vende të botës.

Ajo më kontaktoi me habinë njerëzore se si ishte e mundur që një kryeministër të thoshte një gënjeshtër kaq të trashë. Për të më treguar atë që, në mënyrë të pazakontë për të, qytetarja e “Japonisë së urtësisë së vjetër” u ndie e detyruar ta quante “gënjeshtër”, ajo më dërgoi edhe një artikull në anglisht nga Exit News, pa e pasur idenë se unë hera-herës shkruaj për këtë media. Aty jepeshin fjalët e cituara më sipër nga kryeministri për idenë e tij.

Në mënyrë të natyrshme kërkova në internet dhe, pa shumë mund, gjeta se strehimi në hotele i viktimave të tërmeteve ndodhkësh rëndom – së fundmi, p.sh., në Itali në 2016, në Tajvan në 2016, në Japoni në 2011 – hotele luksoze këtu.

Për të mos turpëruar shqiptarin si të tillë faqe një të huaje, e mbrojta kryeministrin duke thënë se me siguri ai vërtet mendon se është ideja e tij. Pa qenë as vetë i bindur për forcën e argumentit, shtova edhe se ai ka qenë shumë i lodhur, pasi ka vizituar përditë rrënojat dhe viktimat.

Japonezja u habit edhe më shumë dhe kërkoi të dinte më tepër se përse kryeministri vizitonte ditë për ditë rrënojat, por ndërrova temën se e pashë që isha futur në një qorrsokak ku nuk kisha si ta mbroja.

U kujtova që këtë pretendim nuk e kisha lexuar të artikuluar në ndonjë gjuhë të huaj nga Rama apo të tjerë pranë tij. Mendja ta thotë, thashë, se me rëndësinë që i jep dukjes, kjo qeveri vështirë se do ta linte të ikte këtë rast gjenialiteti, pa u siguruar që e gjithë bota ta merrte vesh.

Më tej mendova sërish se ndoshta Rama vërtet nuk e ka ditur se hotelet përdoren rëndom në raste fatkeqësish natyrore si tërmeti.

Ama gjasat janë shumë të ulëta që përgjatë një jave askush nga qeveria shqiptare të mos ketë vërejtur se kjo është një gënjeshtër vërtet e trashë. Zaten, sidomos për ata që merren me marrëdhënie me publikun, dyshimi lind që te pretendimi se diçka po ndodh në Shqipëri për herë të parë në historinë e botës.

Ndër vite, p.sh., socialistët kanë qenë vazhdimisht të ndjeshëm ndaj qoftë edhe vetëm krahasimeve të Berishës mes Shqipërisë dhe Gjermanisë. Mendja e shëndoshë ta thotë se nuhatjes së tyre nuk mund t’i ketë shpëtuar pretendimi për një rekord të tillë botëror të Ramës. Madje as vetë kryetari i Bashkisë së Tiranës nuk ka guxuar ende deri më sot të përfshijë mijëvjeçarë, që prej krijimit të qytetërimit e deri më sot, në rekordet e tij të shumta.

Në një moment m’u bë se dëgjova zërin e japonezes në shqip: “Vërtet mendon se kjo do t’i shpëtonte Endri Fugës pa ia kontrolluar vërtetësinë?! Epo, ti qofsh!”

Sigurisht, në këto kushte është e tepërt të kërkosh gjëra të arsyeshme si transparenca për procedurat dhe për çmimet e kontratave me të cilat janë strehuar viktimat në hotele.

Fakti që këtë deklaratë fantastike të Ramës e përsërit vazhdimisht ai vetë dhe figura të qeverisë e partisë përforcon hamendjen se kjo është një strategji e menduar mirë.

Ajo duket se është pjesë e paketës ku bëjnë pjesë shëtitjet nëpër rrënoja me ekipet mediatike e të produksionit filmik me vete, batutat dhe hakërrimet ndaj viktimave dhe kryebashkiakëve e ministrave, i njëjti xhup i kombëtares së futbollit me shkabën e dukshme qartë, stërmundimet e udhëheqësit që pi 16 kafe në ditë për të përballuar lodhjen, përqeshjet e tij për masat urgjente që sugjeron opozita, etj.

Ndërkohë që mediat sociale gëlojnë nga kërkesat e viktimave të tërmetit për ndihma bazike, duket se kjo strategji propagande kërkon të përforcojë idenë se kryeministri është nën kontroll të gjithçkaje, se ai bën gjëra mbinjerëzore, se ai është i ndjeshëm e i butë me të dobtin (përqafime, rrahje shpatullash, “mos u mërzit!”), por i ashpër me të pushtetshmin (nesër në katër e gjysëm do lyesh murin!), një baba i kombit që “lekët do i nxjerr[ë] nga dheu” dhe shtëpitë do t’i ndërtojë edhe më të mira, dhe ne duhet të ndihemi të sigurtë nën krahët e tij të ngrohtë.

Jo vetëm gjeni, por edhe mbinjeri. Kur i thonë një llafi të Niçes, cituar nga Tirana dhe para nisjes për Londër: “Çfarë nuk të vret të bën më të fortë.”

Teksa është e paqartë se cili autoritet ia dha vlerësimin me pesë yje hoteleve ku Rama ka strehuar viktimat e tërmetit, pretendimi i kryeministrit se kjo ndodh për herë të parë në botë dhe se ishte ideja e tij, si dhe përforcimi nga qeveria dhe mediat pranë saj, tregojnë se, që prej tërmetit, me pesë yje ka qenë vetëm një gjë – gënjeshtra me vetëdije e kryeministrit të shqiptarëve në një kohë dhimbjeje të pamatë dhe frike për të ardhmen.

Propaganda, ku kjo gënjeshtër bën pjesë, duket se gjatë një jave ia ka mbytur ngadalë zërin mediatik kobit ulëritës të vdekjes nën rrënoja të 51 njerëzve.

Ama kjo propagandë nuk e ka shuar dhimbjen e njeriut për 51 jetët e shembura. Ajo nuk e ka zbutur as tmerrin për ne disa milionët e mbetur gjallë se, pas 107 vitesh përpjekje për forcimin e shtetit, shqiptarët tashmë kanë vetëm një gërmadhë, ku dergjen të copëtuara kolonat dhe gjithë ngrehina e shtetit, dhe ku sillet vërdallë në ecejake prej të marri udhëheqësi i madh, që shkakton magjepsje, përqeshje dhe frikë.

Burimi: Exit.al

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit