Kryeministri i Pakistanit, Imran Khan, kërkoi nga televizioni shtetëror PTV që të transmetojë serialin “Diriliş Ertuğrul”.
Ministrja e Transmetimit dhe Informacionit të Pakistanit, Firdous Ashiq Awan, duke folur për Arab News tha se kryeministri Khan në kuadrin e rregullimeve të bëra për të rujtuar vlerat sociale, kulturore dhe fetare ka kërkuar nga PTV transmetimin e serialit “Ertugrul”.
Awan tha se seriali që do të transmetohet në PTV në mënyrë të dubluar në gjuhën urdu, do të ndihmojë që historia islame të kuptohet nga të rinjtë. “Pavarësisht se bota islame ka vlerat dhe të kaluarën e saj, ne akoma vazhdojmë të shikojmë seriale që janë produkt i perëndimit”, shtoi ajo.
Awan tha se në një takim të Organizatës së Bashkëpunimit Islam (OBI) në të cilin ajo mori pjesë u bisedua për bashkëpunimin në fushën e medias me qëllimin për të zhvilluar marrëdhëniet sociale dhe kulturore mes vendeve anëtare. Ajo theksoi se ka patur një interes të veçantë për punimet që do të kryhen në këtë fushë dhe se kjo në të njëjtën kohë do të jetë e dobishme për të ndryshuar perceptimin ndaj Islamit në vendet perëndimore.
Ndër të tjera Awan vuri në dukje se përmbajtjet në fushën e televizionit dhe kinemasë janë një mënyrë efektive për luftën me islamofobinë.
Drejtoresha e marrëdhënieve ndërkombëtare të PTV, Shahzia Sikander, është shprehur se “PTV ka marrë të drejtat e transmetimit në gjuhën urdu për të transmetuar serialin në Pakistan. Aktualisht ndodhemi në procesin e dublimit. Për të arritur tek shikuesit po zgjedhim me kujdes artistët e zërave dublues”./AA