-1.3 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Familjarët e Viktimave të Gërdecit, ‘të Tradhtuar’ nga Edi Rama

Më të lexuarat

Zamira Durda është një grua që ka humbur shumë beteja në gjashtë vitet e fundit, që kur shpërthimi i depos së demontimit të municioneve në fshatin Gërdec i mori jetën djalit të saj 6-vjeçar.
 
Pas një kalvari prej 300 seancash gjyqësore dhe një vendimi penal që liroi shumicën e të akuzuarve si përgjegjës për vdekjen e të birit, ajo ka ende forcë për të luftuar, megjithëse shpresa se drejtësia do të vihet në vend i venitet çdo ditë që kalon.
 
“Qeveria e kaluar na vrau pa dashje, [ndërsa] prokurorët dhe gjyqtarët na vranë me dashje duke mos bërë drejtësi,” thotë Zamira. “Shpresa na mbeti gjallë, por edhe ajo po na shuhet,” shton ajo.
 
Shpërthimi i 15 marsit 2008 në fabrikën e demontimit të municioneve në Gërdec shkaktoi 26 të vrarë, por askush nuk u dënua për vrasjen e tyre.
 
Procesi penal ndaj 28 të pandehurve, drejtues të kompanisë Albademil dhe ish-zyrtarë të lartë të Ushtrisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes u mbyll me dënime minimale. Gjashtë vjet më pas, vetëm dy prej tyre ndodhen ende në qeli.
 
Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu i shpëtoi procesit falë imunitetit si deputet. E kur parlamenti vendosi heqjen e imunitetit për të zgjedhurit e tij, Prokuroria nuk e rihapi më çështjen.
 
Paralel më çështjen penale, Zamira dhe familjarët e tjerë të viktimave prej vitesh kanë hapur një çështje civile kundër Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ndërmarrjes së Import-Eksportit të Armëve, MEICO, e cila po ndjek të njëjtën rrugë plot pengesa si çështja penale.
 
Mbas shtyrjeve të panumërta të procesit dhe në pamundësi për të përballuar kostot e larta të çështjes civile, më 15 Mars 2014 shumica e familjarëve të viktimave të Gërdecit iu drejtuan nëpërmjet përfaqësuesve të tyre ligjorë, Ministrisë së Mbrojtjes dhe kryeministrit Edi Rama, për të arritur një zgjidhje të ndërmjetësuar të padive.
 
 
Megjithatë, dokumentet e siguruara nga BIRN, tregojnë që për më shumë se shtatë muaj, kryeministria dhe Ministria e Mbrojtjes kanë luajtur pingpong me shkresa zyrtare me njëra-tjetrën, duke shmangur përgjegjësitë shtetërore për shpërthimin.
 
Qeveri e re, qëndrim i vjetër
 
Qeveria e djathtë e ish kryeministrit Sali Berisha e konsideronte shpërthimin e Gërdecit një aksident teknologjik. Ndërsa ishte në pushtet deri në vitin 2013, ajo vendosi të dëmshpërblejë banorët e Gërdecit për çdo derë e dritare të shkatërruar, por jo për jetët njerëzore që u shuan me shpërthimin.
 
Gjatë kohës që ishte në opozitë, kryeministri Edi Rama e kishte cilësuar shpërthimin e Gërdecit një krim shtetëror, duke e kthyer në një kauzë politike.
 
Pas vizitës së tij të fundit në Gërdec në 5-vjetorin e tragjedisë, më 15 Mars 2013, Rama shkroi në blogun e tij se qeveria Berisha e kishte përdorur mandatin e saj të fundit, “për të shkatërruar procesin gjyqësor dhe varrosur çdo shpresë të familjeve të viktimave për drejtësi,” ndërkohë që premtonte se ardhja e së majtës në pushtet do të “sjellë rilindjen e shpresës tek drejtësia.”
 
Me gjithë premtimin e bërë në atë përvjetor solemn, një vit më vonë tashmë kryeministër, Edi Rama nuk do ta vizitonte më Gërdecin siç kishte bërë për vite me radhë.
 
Kryeministri i ri mungoi për herë të parë në ceremoninë që zhvillohet çdo mesditë të 15 marsit, në memorialin e ngritur për nder të të vdekurve.
 
“U ndjemë të tradhtuar,” thotë Zamira Durda.
 
Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli ishte e vetmja zyrtare që vazhdoi traditën e kohës së opozitës dhe vizitoi Gërdecin më 15 mars, por familjarët e viktimave nuk patën mundësi ta takonin.
 
“Homazhet zhvillohen çdo vit në orën 12, por zonja Kodheli kishte ardhur në 10,” kujton Zamira. “Nuk e caktuam ne orën e ceremonisë por shpërthimi që na rrënoi jetët,” shtoi ajo.
 
Në të njëjtën ditë që zonja Kodheli vizitoi Gërdecin, avokati që përfaqëson familjarët e viktimave iu drejtua Ministrisë së Mbrojtjes për zgjidhje me marrëveshje të çështjes civile që ata kishin ngritur.
 
Familjarët e 26 viktimave të shpërthimit tragjik të 15 marsit 2008 kërkojnë një marrëveshje me Ministrinë e Mbrojtjes dhe Këshillin e Ministrave për dëmshpërblimin e çdo jete të humbur në Gërdec.
 
Kërkesa e 181 trashëgimtarëve dhe familjarëve të tragjedisë i është drejtuar Ministrisë së Mbrojtjes, Këshillit të Ministrave dhe ndërmarrjes “MEICO”, përmes së cilës ata pretendojnë të dëmshpërblehen me 1.9 miliardë lekë në total për 26 jetët e humbura.
 
Një kërkesë të ngjashme, të dëmtuarit e kishin dorëzuar në Ministrinë e Mbrojtjes edhe në kohën kur ajo drejtohej nga Arben Imami i Partisë Demokratike, por ish-ministri qe i prerë në përgjigjen e tij se institucioni që drejtonte, nuk kishte asnjë përgjegjësi për Gërdecin.
 
“Ne iu drejtuam qeverisë Rama për zgjidhje, pasi qëndrimi i saj [në opozitë] ka qenë i qartë që tragjedia e 15 marsit 2008 ishte një krim shtetëror dhe faji nisi nga Ministria e Mbrojtjes,” shpjegon Dorian Matlija, përfaqësuesi ligjor i disa prej familjeve të viktimave.
 
Për tre muaj, kërkesa e nisur nga Matlija në emër të familjarëve të viktimave nuk mori asnjë përgjigje. Përpjekjet vazhduan me të tjera kërkesa, derisa në 31 tetor, familjarët e viktimave në Gërdec marrin një letër nga Këshilli i Ministrave.
 
Përmes saj, qeveria po u përcillte qëndrimin e Ministrisë së Mbrojtjes për kërkesën e tyre të dorëzuar që në mars.
 
Në shkresën e siguruar nga BIRN, Ministria e Mbrojtjes nuk refuzon mundësinë e një marrëveshjeje, por lë pak shpresë për zgjidhjen e shpejtë të çështjes së dëmshpërblimeve, duke mbajtur një qëndrim të ngjashëm me qeverinë e ish-kryeministrit Berisha.
 
Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes, Arian Kraja në të vërtetë informon Kryeministrinë se familjarët e pretendojnë dëmshpërblimin nga Ministria e Mbrojtjes dhe MEICO, “duke mos e përmendur fare faktin se kjo veprimtari është kryer nga disa shoqëri private dhe se një pjesë e viktimave punonin realisht atje”.
 
Më tej shtohet se Ministria e Mbrojtjes, në vazhdimësi ka mbajtur qëndrimin se “nuk është përgjegjëse për shkaktimin e këtij aksidenti”. Megjithatë, Ministria e Mbrojtjes sugjeron ngritjen e një grupi ekspertësh nga fusha të ndryshme për përcaktimin e dëmit dhe masën e dëmshpërblimit në këtë rast.
 
E kontaktuar nga BIRN, Ministria e Mbrojtjes shmangu komentin nëse ky komision është ngritur tashmë apo jo.
 
Gjyqin e fitojnë vetëm gjyqtarët
 
Gjyqi i dëmshpërblimeve për familjarët e tragjedisë së Gërdecit është ndarë tanimë në 18 procese të ndryshme në Gjykatën Administrative.
 
Gjykata e Tiranës, ku u dorëzua padia e parë dështoi të dilte me një vendim për më shumë se 1 vit.
 
Në mënyrë që çështja të shkojë përpara, gjykata i kërkon familjarëve të viktimave pagesën e taksës 1% të vlerës së kërkuar të dëmshpërblimit si dhe tarifat e ekspertëve, që shkojnë diku tek 200 mijë lekë për një vlerësim.
 
Për shkak se shumica e tyre jetojnë me ndihmë ekonomike dhe nuk kanë të ardhura të mjaftueshme për t’i paguar kostot administrative të procesit, ata rrezikojnë të djegin afatet e gjykimit dhe ta humbin çështjen përfundimisht.
 
Dritan Cani iu fut bashkë me të tjerët gjyqit të dëmshpërblimit, por një vit më pas vendosi ta ndiqte çështjen vetëm në gjykatë, pasi humbi shpresat për një ndërmjetësim të mundshëm me qeverinë.
 
“I mora 4 milionë lekë borxh kunatit në Itali që të paguaja taksën gjyqësore,” pohon ai në shtëpinë e tij gjysmë-karabina e akull të ftohtë në fshatin Marqinet, vetëm pak metra larg kraterit të shpërthimit.
 
Deri ditën e tragjedisë, babai i katër fëmijëve vazhdonte jetën normale në Greqi, ku punonte prej 13 vitesh si bojaxhi. Të nesërmen e kthimit me urgjencë ishte pa baba, me motrën dhe vëllanë të djegur rëndë dhe me shtëpinë e kthyer në gërmadhë.
 
“Nuk kam ndërmend ta lë këtë çështje, do të shkoj deri në Strasburg për të gjetur të drejtën,” thotë Cani i vendosur, edhe pse lista e tij borxheve sa vjen dhe rritet.
 
Nga të gjithë çështjet e ngritura, vetëm familjarët e njërit prej viktimave të shpërthimit, Endri Dvoranit, ish-magazinier i shoqërisë Albademil, që kryente demontimin në Gërdec, kanë arritur të marrim një vendim gjykate përfundimtar që i shpërblen me 20 milion lekë për humbjen e të afërmit të tyre.
 
Njëri prej familjarëve të tij që përfitoi dëmshpërblimin është anëtari i Gjykatës së Lartë, Ardian Dvorani. Apeli konfirmoi vendimin më 21 Maj 2012.
 
Edhe pse pritej që vendimi i Gjykatës së Apelit t’i hapte rrugën padive të ngritura nga familjet e tjera, gjykata vendosi të përjashtonte Ministrinë e Mbrojtjes nga përgjegjësia për shpërthimin, duke ia vështirësuar rrugën atyre edhe më shumë.
 
Precedenti i vendosur nga çështja Dvorani, ia vështirëson mundësinë familjeve të tjera për të kërkuar dëmshpërblim nga Ministria e Mbrojtjes, duke e ngushtuar përgjegjësinë civile te kompanitë MEICO dhe Albademil.
 
MEICO, ndërmarrja shtetërore e importeve dhe eksporteve ushtarake, nuk ka buxhet për të shlyer dëmshpërblimin.
 
Ndërsa kompania Albademil, edhe pse vazhdon të ketë status aktiv në Qendrën Kombëtarë të Regjistrimit, QKR, ka mbetur pa administrator dhe kapitale, pas masës së sekuestros të vendosur nga Gjykata pas tragjedisë së Gërdecit dhe vendimit penal që e gjobiste me gjobë.
 
Në kërkesën e tij drejtuar Ministrisë së Mbrojtjes, avokati Matlija apelon që shteti të marrë përgjegjësi për tragjedinë, t’u japë zgjidhje familjarëve e më pas të vazhdojë vetë procesin gjyqësor me kompanitë.
 
Ndërsa Zamira Durda thotë që procesi i tyre civil nuk ka për qëllim vetëm të kërkojë dëmshpërblim për familjarët dhe të afërmit që humbën jetën gjatë shpërthimit, por gjithashtu të vendosë një precedent të ri gjyqësor për të gjithë ato raste kur shteti do të gjendet fajtor për humbjen e jetës së qytetarëve.
 
“Vendimi për Dvoranin na dëmtoi ne të tjerëve, ndaj nuk dua që procesi për ne të dëmtojë të tjerë njerëz që do të gjenden në kushte të ngjashme në të ardhmen,” thotë ajo.
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit