-2.3 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Fevziu dhe oligarkët e Shqipërisë

Më të lexuarat

“Kush janë oligarkët e Shqipërisë”- kjo ishte pyetja enigmë që gazetari  Blendi Fevziu u drejtonte të ftuarve të vet mbrëmjen e djeshme me këmbëngulje.

“Dua emra konkretë jo kështu në përgjithësi”.

Sapo e bënte këtë pyetje, fërkonte duart i gëzuar që asnjë nga të ftuarit nuk po jepte përgjigjen e kërkuar.

Kur dikush i tha “Edi Rama”, duke ia sqaruar edhe pse ishte ashtu, prapë Fevzo nuk u kënaq.

Dukej sikur Edi Rama ishte i përjashtuar automatikisht, ishte si të thoje “Zoti”. “E mo lëri këto tani, unë po të them emra konkretë” –ishte nënteksti i fjalisë së tij.

Lorenci i Madh i Shqipërisë, një qenie sa servile dhe e nënshtruar aq edhe arrogante e agresive, që thirret si ekspert  për krimin, poezinë, dashurinë, ekonominë, oligarkinë, politikën apo edhe gatimin, na bëri të ditur se oligarkët më të mëdhenj ishin Edi Rama, Sali Berisha, Lulzim Basha, Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi. Në këtë moment, njëra dorë e Fevzos u bë grusht dhe fërkonte gjithë kënaqësi pëllëmbën e tjetrës, ndërkohë që, një gaz i madh e pushtoi.

Edhe kjo përgjigje po trajtohej si të ishte humor jo si e vërteta.

Në fakt Lorenci këtë radhë dha një përgjigje jo fort të gabuar. Këta janë qendra rreth së cilës vërdalloset oligarkia. Ose kryeoligarkët. Por, këta i dimë ne, tani jemi në kërkim të të tjerëve, pak më të vegjëlve…

Oligark quhet një njeri nga bota e biznesit me shumë influencë në politikë. Ky është koncepti më i gjithpranuar për oligarkinë. Influenca mund të jetë në legjislacion, emërime në administratë, deri edhe në emërimin e më të madhit, Kryeministrit. Në versionin shqiptar, oligarku që influencon në politikë nuk vjen detyrimisht nga bota e biznesit klasik. Ai mund të vijë edhe nga bota krimit për shembull (çunat problematikë të mirënjohur botërisht), ose nga bota e medias. Pra, të gjithë biznesmenët, kriminelët, gazetarët/pronarët e medias që influencojnë vendimet politike quhen oligarkë. Kemi oligarkë të krimit, oligarkë të medias dhe oligarkë të biznesit. Më i keqi nga të gjithë është ai që i bën të gjitha këto, pra, është krimineli që financon media, bën biznes dhe merret me politikë. Mundet edhe të jetë deputet, Ministër apo Kryetar Bashkie.

Dhe përveç këtyre, mundet të vijë në studio me kollare  e të japë leksione për oligarkinë! Ky është pasurimi krijues i fjalës oligark në versionin shqiptar.

Pasi ta krijosh identikitin nuk është vështirë të gjesh emrin.

Pushteti i oligarkut është i mirëkuptueshëm për sa kohë nuk e cënon pozitën diellore të kryeoligarkut. Presidenti rus Putin  ka dhënë një intervistë të famshme për raportet e “shtetit” me “oligarkinë”:

“Siç e shoh unë, shteti ka një shkop, të cilin e përdor vetëm një herë. Dhe goditja jepet në kokë”.

Shkopi u përdor me të vërtetë me shpronësimin, arrestimin dhe dëbimin e Mikhail Khodorkovskyt, Vladimir Gusinskyt dhe Boris Berezovskit në fillim të viteve 2000. “Oligarkët” e tjerë u bënë vasalë të shtetit dhe arritën të mbajnë pasurinë e tyre.

Pra, ti sot je oligark, mundet edhe zv/Kryeministër, madje edhe “Kryeministër i Jugut”, jep e merr, vran e kthjell por një ditë të bukur, ti gdhihesh askushi! Shkopi të ra në kokë Koço! Jo me ashpërsinë e Putinit, sigurisht. Por Dielli duhet të ndriçojë i plotë, pa re.

Oligarkët e tjerë e morën mësimin. Kur ky e hodhi Koçon, partnerin e pleqërisë, po ne çfarë na ka – thanë me vete Çeti, Salillari, Fusha, Bashkimi, Vilma, Gjoka?!

Një tip me kollare, në studio të Fevzos, tha dje:

“Damian Gjiknuri e anuloi tenderin e Unazës së re kur e mori vesh që fituesi është falsifikator. Si ka mundësi që oligarku u rrëzua”?

Pra, ky tipi me kollare, që ka qenë Ministër, biznesmen, është deputet, mendonte se edhe në këtë rast, pra edhe kur u diskredituan para të gjithë shqiptarëve, ata mund ta vazhdonin procedurën, mund tia jepnin tenderin oligarkut!

Deri këtu shkon pafytyrësia dhe guximi i tyre!

Por, ajo që dua të theksoj këtu dhe më ndihmon për përgjigjen e pyetjes krysore “Kush janë oligarkët”, është kjo që do them në vijim.

Nga e kuptoi ish-Ministri që firma falsifikatore ishte oligark?!

Po kjo është fare e qartë. Në tenderin në fjalë nuk kishte konkurencë, asnjë ofertë për be! “Vëllezërit Hysa”, kompania tjetër pjesëmarrëse në tender nuk kishte dorëzuar ofertë fare!

Kishte harruar ;)!

Vazhdojmë më tej Blendi. Çfarë ndodhi me atë segment të Unazës së re që u anullua? Ai tender u ribë, sigurisht, megjithëse fiks një vit me vonesë. Tashmë nuk mundet ta bënin pa konkurencë se mbante erë muhabeti. Ajo çfarë ndodhi ishte që, oferta fituese ishte 14,4 milionë Euro ose 4 milionë më pak se oferta e parë e falsifikatorit.

Shmangia e konkurencës dhe ndarja e parave me pushtetin e bën një biznesmen-oligark. Pra, 4 milionë Euro e fituara nga mungesa e garës, logjika minimale ta don që do ndaheshin mes pushtetit dhe oligarkut. Këtë, aviokatët e qeverisë nuk e quajnë vjedhje, e quajnë indicie për vjedhje.

Ky pra është dallimi Fevzo, në tenderat e Oligarkëve nuk ka konkurencë, ato fitohen me çmim limit,prandaj edhe ish Ministri e di që bëhej fjalë për oligark në rastin e Unazës së re. Prandaj edhe rastet e përmendura në tabelën në fillim të emisionit janë oligarkë! Sepse eleminojnë konkurencën përmes ndikimit politik.

Dhe një gjë të fundit. Agron Shehaj dhe Ylli Rakipi e zbuluan këtë skandal, i kursyen shtetit 4 milionë euro +2,6 milionë Euro si pagesë e garancisë së ofertës nga falsifikatori, e fituar me gjyq nga Drejtoria e Rrugëve. Pra, 6,6 milionë Euro ua kursyen shtetit shqiptar. Mos u gëzua ndonjë njeri nga shteti thua ti?

Policia jep shpërblim për informacionet për kapjen e kriminelëve. Po për informacionet që dëshmojnë kapjen e shtetit kush duhet të japë të tilla?

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit