Lideri i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, pas takimit të liderëve që u mbajt sot në Vilën Vodno, ka vlerësuar se më 12 prill, datë kur do të mbahen zgjedhjet parlamentare të parakohshme, përfundimisht do të vihet në vend vullneti i qytetarëve, pasi disa deputetë janë kontrabanduar në Qeveri.
“Ne si Lëvizje BESA vazhdimisht kemi kërkuar që të ketë zgjedhje, që vullneti i qytetarëve të vendoset në vend, veçanërisht atyre shqiptarë. Këtu e potencoj atë që i ndodhi Lëvizjes BESA, që disa deputetë janë kontrabanduar në Qeveri”, tha Kasami.
Ai ka vlerësuar se pasi të mbahen zgjedhjet, atëherë edhe brenda Bashkimit Evropian (BE) do të ketë konsensus për dhënien e datës.
“T’i bëjmë detyrat e shtëpisë, dhe sigurisht edhe brenda Bashkimit Evropian do të ketë konsesus që Maqedonia të jetë vend anëtar i saj dhe ta vazhdojmë rrugën tonë për anëtarësim të plotfuqishëm në BE, NATO shpresojmë se sa më shpejtë do të ndodh”, tha Kasami.
Sa i takon regjistrimit, ai tha se do të vendoset nga shumica parlamentare.